Pavarësisht fishekzjarreve e lumturisë së pamatë të qeverisë për marrjen e statusit, ky qëndrim artificë i Brukselit ndaj Shqipërisë nuk duhet të
kënaqë askënd që e njeh sadopak Bashkimin Europian dhe dinamikat brenda tij. 

Siç ndodh rëndom në marrëdhëniet Shqipëri – BE, kjo e fundit pozicionohet edhe kësaj here në ambiguitet dhe nuk na e thotë copë nëse statusin e meritojmë ose jo, nëse kemi bërë punë të mirë ose jo, dhe nëse pritshmëria e tyre përputhet me progresin tonë. Edhe në qëndrimin e tij të fundit, Brukseli shkoi e gjeti një mjet të papërdorur më parë, atë të statusit të kushtëzuar. 

Që e përkthyer shkoqur për entuziastët fishekzjarrehedhës, do të thotë që statusi NUK është marrë akoma dhe MUND të merret vetëm nëse përmbushen
disa kushte. 
Për ta bërë edhe më të qartë këtë gjë, mjafton të thuhet që statusi i kushtëzuar i është ofruar njëkohësisht edhe Serbisë, me kusht që kjo e fundit të ‘normalizojë marrëdhëniet me Prishtinën’, ose e thënë troç, të respektojë integritetin territorial dhe të njohë instritucionet e Kosovës. 

Ky impostim i BE-së ndaj Shqipërisë mund të interpretohet në shumë aspekte. Aspekti i parë, dhe besoj edhe më i rëndësishmi, është ai i perspektivës europiane të Shqipërisë. Një refuzim i tretë rradhazi do kishte qënë një shuplakë tepër e rëndë për mazhorancën qeverisëse, e cila së fundmi, me përkëdheljet drejt Ankarasë, marrëdhëniet çuditërisht vllazërore me Azerbajxhanin, dorështrëngimet me kryeministrin renegat anti-europian të Hungarisë, e kështu me rradhë, ka treguar se nuk e ka edhe shumë të vështirë të ndërrojë kursin drejt-europian të vendit. 

Me gjithë problemet që Shqipëria ka sot, ajo ka dhe duhet të ketë një përspektivë europiane, dhe kjo është e panegociueshme për Brukselin. Sigurisht që edhe në aspektin simbolik BE-ja, me gjithë problemet e brendshme që e kanë ngërthyer, dëshiron që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë t’i japë Shqipërisë mesazhi se Europa nuk e ka harruar dhe vazhdon ta ketë në radarët e vetë. 

Aspekti i dytë, që lexohet qartazi në raportin e Komisionit, është vlerësimi (dhe rrjedhimisht shpërblimi) për përmirësimin e klimës politike në vend. Ndonëse mazhoranca dhe kryeministri (siç ndodh rëndom dhe siç pritej) po rreken e po nxitojnë t’i marrin të gjitha lavdet dhe kredot politike për vete, BE-ja ka ditur të vlerësojë bashkëpunimin dhe arritjen e reformave kyçe politike në Parlament e në komisionet parlamentare, dhe këtu kontributi i opozitës është i pamohueshëm. 

Sigurisht që Komisioni Europian kërkon ta nxisë edhe më tepër këtë bashkëpunim, dhe për këtë qëllim kërkon bashkëpunim të mëtejshëm për reformat kyçe, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të arrihen në mënyrë të njëanshme. 

Aspekti i tretë, dhe në fakt edhe kyçi themelor që qëndron brenda ‘kushtëzimit të statusit’, është dyshimi tepër i madh që BE-ja ka për aftësinë dhe veçanërisht për vullnetin që ka mazhoranca qeverisëse për të kryer zgjedhje të lira e demokratike. Memoja e Komisionit Europian thekson se “zgjedhjet parlamentare të 2013-ës do të jenë një test thelbësor” dhe një parakusht për vazhdimin e procesit të integrimit për vendin. 

Ndërkaq, vetë Komisioni nuk heziton të jetë dyshues për zgjedhjet e ardhshme teksa vë re se zgjedhja e njëanshme e Presidentit prej mazhorancës qeverisëse frenoi bashkëpunimin mes palëve. 

Duhet theksuar këtu fakti se Shqipëria është i vetmi vend të cilit i kushtëzuar marrja e statusit të vendit kandidat me kryerjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, që praktikisht do të thotë se asnjë prej zgjedhjeve të kaluara s’e ka përmbushur këtë kriter.
Më shumë se sa një rrahje shpatullash për punën e mirë, kushtëzimi që na vë BE-ja është një instrument hibrid për të na thënë se klasën nuk e kemi kaluar, por për ca arsye që i di më mirë Brukseli sesa ne vetë, do na ofrohet mundësia ta rijapim prapë provimin. 

Arroganca dhe entuziazmi i mazhorancës janë tërësisht pa vend dhe tejet të tepruara, duke konsideruar se fushat ku BE kërkon progres në të ardhmen e afërt janë “vazhdimi i dialogut politik, reforma në gjyqësor, dhe lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar” dhe asnjë prej tyre nuk mund të arrihet me shpërthime fishekzjarresh dhe fjalime ngadhënjyese në parlament. 

(s.f/shqiptarja.com)