Statusi i kandidatit,Sekui e thotë
shqip: Jo pushim, por integrim

Statusi i kandidatit,Sekui e thotë <br />shqip: Jo pushim, por integrim
TIRANE – Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, në një konferencë për shtyp në lidhje me progresin e Shqipërisë drejt integrimit evropian, tha se prioritet në këtë proces është shteti i së drejtës dhe luftimi i korrupsionit, jo vetëm me heqjen e imuniteteve, por duhet gjithashtu “krijimi i një bilanc arritjesh të hetimeve dhe dënimeve që kanë të bëjnë me korrupsionin”, ndërsa shtoi se “presim reformën parlamentare dhe ligjin për Gjykatën e Lartë”.

Gjatë fjalës së tij, ambasadori foli për mënyrën se si janë përmbushur deri më tani prioritetet kyçe për Shqipërinë dhe se cilat janë sfidat që duhet të miratohen përsa i përket raportit të progresit, mbi të cilin Sekui tha se do të përfundojë në fund të shtatorit e do të promovohet për mediat nga vetë ai në fillim të tetorit, ndërsa shtoi se “progresi varet nga ligjet që janë miratuar dhe masat që janë zbatuar”.

Ambasadori shtoi ndër të tjera se, nga nëntori i vitit të kaluar deri më tani ka pasur progres, “Avokati i Popullit është emëruar, votimi i disa ligjeve me 3/5, Kodi Zgjedhor është aprovuar”, por siç tha ai, ka ende punë për tu bërë deri në vjeshtë, “atëherë kur Shqipëria, duhet të fitojë besimin e BE”.

Ndër prioritetet që ende duhen arritur, Sekui tha se “duam të shikojmë përfundimin e reformës parlamentare. Miratimi i ligjeve për gjykatën administrative është një hap pozitiv, megjithatë janë edhe 3 ligje të tjerë thelbësore. Ligji për Gjykatën e Lartë ende i pa miratuar, sistemi i imuniteteve të zyrtarëve dhe gjyqtarëve duhet ndryshuar”.

Ambasadori Sekui vuri theksin në bashkëpunimin mes palëve kryesore politike, mazhorancës dhe opozitës, duke i ftuar ato “të vijojnë konsensusin gjatë procesit të hartimit të reformave”.

Sekui vlerësoi zhvillimet pozitive në lidhje me të drejtat e grave apo të komunitetit LGTB, por nga na tjetër tha se duhet progres “në përfshirjen sociale të komunitetit rom”, ndërsa shtoi se “ka ende boshllëqe që duhen rregulluar, pasi duhet zbatim i shëndosh i ligjeve”.

“Koha është një burim i kufizuar, prandaj na duhet që kjo kohë që ka mbetur të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme”, komentoi ambasadori.
Ndërkaq, ambasadori i Be-së në Shqipëri, ftoi të gjithë shqiptarët, gazetarë, intelektualë, civilë, që të marrin pjesë në “Klubin e Be-së”, në mënyrë që “të diskutojmë të gjithë bashkarish për t’i dhënë një shtysë Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”.

Mbylljen e konferencës Sekui e bëri me një frazë në shqip, drejtuar gjithë shqiptarëve, “Drejt Evropës të përbashkuar, jo pushim, por integrim!”, teksa shtoi se integrimi “duhet trajtuar si një objektiv kombëtar që nuk përfshin vetëm politikanët, por të gjithë shoqërinë shqiptare”.

(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit

Euro 2024/ Spanja kundër surprizës Gjeorgji, formacionet e sfidës së Këlnit