Statusi kandidat? Në
Tiranë e Lazarat!

Statusi kandidat? Në<br />Tiranë e Lazarat!
Askush nuk është befasuar për dështimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të arrijnë konsensusin për t’i dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit kandidat në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel, në dhjetorin. Ata të cilët e dinë se si vepron BE-ja dhe sa muaj më parë fillon ndërtimi i konsensusit e kanë ditur se edhe ky rast do të jetë i humbur. Vendet si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Holanda dhe Danimarka disa muaj më parë në konsultimet mes vendeve anëtare kishin bërë të ditur se, ndonëse e njohin progresin e arritur në Shqipëri dhe nisjen e mbarë të punës së Qeverisë së re, nuk mendojnë se është momenti i duhur për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, dhe se kësaj qeverie duhet dhënë pak më shumë kohë që të dëshmohet në praktikë pas disa fjalimeve të bukura dhe porosive pozitive që ka dhënë.

Siç ndodh zakonisht sa herë që priten vendime të tilla gjithmonë krijohen disa grupime joformale brenda BE-së, të cilat mbështesin njërin apo tjetrin vendim. Një numër i madh shtetesh, madje shumica e tyre, ishin në favor që Shqipërisë tash t’i jepej statusi i kandidatit. Kroacia madje bëri një nismë me shkrim për këtë dhe mori një mbështetje të gjerë nga shtetet e tjera. Kjo nismë e Kroacisë u pa me simpati, sepse ajo, si shteti më i ri, është e vetëdijshme se sa motiv i mirë është për vazhdimin e reformave në një vend të Ballkanit marrja e statusit të kandidatit dhe sa dekurajues mund të jetë refuzimi. Por në BE, në fushat ku vendimet merren me konsensus, gjithmonë fitojnë ata të cilët janë kundër. Madje, siç dëshmon rasti i Maqedonisë, mjafton të jetë vetëm një shtet i vetëm kundër, dhe vendimi nuk do të merret.

Maqedonia ka tash e pesë vjet rekomandim të qartë për nisjen e negociatave dhe ato nuk kanë nisur për shkak se Greqia e bllokon një lëvizje të tillë, duke shfrytëzuar si arsyetim mospajtimin e Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë. Pra, këtu nuk ka fare rëndësi se kush ka të drejtë. Të drejtë ka gjithmonë ai shtet, i cili është brenda dhe ka të drejtë vetoje.

Në rastin e Shqipërisë, kundër dhënies së statusit të kandidatit kanë qenë shtetet, të cilat janë më serioze dhe veprojnë me më shumë racionalitet sesa Greqia apo Qiproja. Madje mund të thuhet se kundër dhënies së statusit Shqipërisë kanë qenë shtetet më serioze, shtetet më të pasura të Bashkimit Evropian. Dhe kur e ka kuptuar diplomacia e Shqipërisë se cilat shtete janë skeptike ndaj dhënies së statusit të kandidatit, e kanë pasur pak a shumë të qartë se çfarë do të ndodhte. Përkundër kësaj, diplomacia e Shqipërisë është angazhuar aq sa ka mundur që të bindë vendet skeptike se e meriton statusin e kandidatit. Ky angazhim është i natyrshëm dhe në gjashtë muajt e ardhshëm mund të dëshmohet se ka pasur edhe rezultat.

Sepse vendimi i BE-së mund të dëshmohet të mos ketë qenë aq negativ për Shqipërinë. Nëse në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të vitit 2014 punohet me seriozitet dhe përkushtim, sidomos në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gashtë muaj vonesë mund të shfrytëzohen në mënyrë pozitive dhe statusi mund të fitohet në qershor. Pas aq shumë vjetësh që ka humbur Shqipëria për shkak të konfliktit të brendshëm politik, edhe gjashtë muaj nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh. Për ta bërë dhënien e statusit në qershor realitet, Shqipëria duhet të fokusohet në dy fronte; të vazhdojë lobimin diplomatik, por të fokusohet në krijimin e institucioneve të pavarura dhe profesionale, jopolitike, në vend, të cilat do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në lobimin politik Shqipëria duhet të harrojë PR-in klasikë dhe emrat e mëdhenj. Emrat si Tony Blair nuk munden më të kryejnë punë. Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe është një emër i madh, është një folës i shkëlqyer, por ai sa u përket zhvillimeve në BE nuk ka as ide më e as ndikim. Nuk ka ndikim më as në Partinë Laburiste të Britanisë së Madhe e lëre më në qeverinë e këtij shteti. E ndikimi i Tony Blairit tek shtetet të cilat janë skeptike ndaj Shqipërisë është edhe më i kufizuar. Ky lobim duhet të bëhet në mënyrë të kombinuar dhe të drejtpërdrejtë.

Këtë duhet ta bëjnë përfaqësuesit e Qeverisë dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërinë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet ta bëjnë deputetët e Kuvendit në takime me homologët e tyre nga shtetet e BE-së, sidomos ato që janë skeptike. Ideale do të ishte ta bëjnë edhe partitë politike, PD dhe PS. Në kontakte me miqtë e tyre në familjet partiake evropiane PD-ja në EPP dhe PS-ja tek socialistët evropianë. Nëse ia duan të mirën Shqipërisë anëtarët e këtyre dy partive duhet të vazhdojnë garën e tyre legjitime politike kundër njëri-tjetrit në Shqipëri, por jashtë duhet të shprehin interesin e tërë popullit dhe shtetit për integrime evropiane. Shqipëria është vend i rrallë në Ballkan ku pajtimi deklarativ për integrime evropiane nuk shndërrohet edhe në veprim nga ana e partive politike, të cilat në Evropë më shpesh flasin kundër kundërshtarit të tyre sesa në favor të shtetit.

Shqipëria, sidomos elita e saj politike, duhet të mësohet me kulturat dhe traditat e ndryshme politike të vendeve anëtare të BE-së. Nuk duhet të kënaqen me mbështetjen e shumicës kur bëhet fjalë për ndonjë vendim, i cili merret me konsensus, siç është dhënia e statusit të kandidatit. Gabimisht në Shqipëri është krijuar përshtypja sikur Holanda e ka fajin kryesor pse Shqipëria nuk e mori statusin e kandidatit në samitin e dhjetorit. Shkaqet e mosdhënies së statusit të kandidatit dihet kërkuar më shumë në Lazarat dhe Tiranë sesa në Hagë apo Bruksel.

Kur flasim për traditën dhe kulturën diplomatike dhe politike  Holanda është ndër shtetet më transparente në Evropë. Ky shtet nuk e ka traditë të mbajë të fshehur qëndrimin e vet për ndonjë çështje dhe të dërgojë porosi të paqarta. Para secilit takim të rëndësishëm të BE-së qeveria e këtij shteti merr pëlqimin nga dhoma e posaçme e kuvendit për ndonjë qëndrim. E ky qëndrim bëhet publik në faqet zyrtare të Parlamenti. Kështu ishte edhe në rastin e Shqipërisë, sepse Qeveria e Holandës e bëri të qartë se do të jetë kundër. Por, ata po ashtu nuk do të kishin kundërshtuar Shqipërinë sikur të kishin mbetur i vetmi shtet kundër. Ata i përmbahen edhe një rregulli të pashkruar, sipas së cilës “vetoja ekziston për të mos u përdorur”. Holanda, siç mund ta kenë kuptuar ata të cilët kanë ndjekur procesin e zgjerimit në rastin e Kroacisë, është vend që i përmbahet filozofisë “ashpër, por fer”.

Kur caktohen kushtet dhe kur ato përmbushen, Holanda nuk e bllokon asnjë vendim, por mbetet besnike ndaj politikës së kushtëzimit. E në rastin e Shqipërisë Holanda nuk bazon vendimet e saja vetëm nga raportet e delegacionit evropian, por edhe nga burimet e tjera. Prandaj duket naive që aq shumë peshë në mediat në Shqipëri e në nivel politik t’i jepet Holandës dhe të mos përmenden shtetet që më së shumti ndikuan që të mos merret statusi i kandidatit, Gjermania dhe Franca.

Disa diplomatë evropianë gabimisht menduan se Gjermania e ka zbutur qëndrimin e saj. Fakti se Gjermania që në tetor ishte shprehur kundër e më pas nuk kishte folur fare, kurrsesi nuk ka mundur të kuptohej se kanë zbutur qëndrimin. Ata nuk kanë folur më, sepse nuk e kanë ndryshuar qëndrimin dhe nuk kanë pasur nevojë më të flasin. Porosia se “na duhet më shumë kohë për të dhënë më shumë rezultate” nga Tirana është kuptuar mirë dhe është kthyer kundër dhënies së statusit të Shqipërisë pikërisht me moton e njëjtë: “Ata kanë nevojë për më shumë kohë dhe ne duhet t’u japim më shumë kohë, prandaj dhënien e statusit do ta diskutojmë pas gjashtë muajsh!”.

Kur flasim për arsyet që ndodhën në Shqipëri për mosdhënien e statusit të kandidatit, duhet të përmendim mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në kohën kur mediat evropiane raportojnë për Lazaratin si vend ku në mënyrë të papenguar kultivohet kanabis dhe kur pushteti pothuajse pranon se nuk ka qasje në atë pjesë të shtetit nuk mund të pritet që të mbështetet një vendim kaq i rëndësishëm, siç është dhënia e statusit të kandidatit. Kur në Shqipëri zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë thonë se “në Shqipëri nuk ka krim të organizuar”, kjo nuk ndihmon, sepse shihet në Evropë si mohim i asaj që të gjithë e besojnë, pra se Shqipëria vazhdon të jetë vend ku ende nuk është goditur sa duhet kjo dukuri negative.

E sa i përket skenës politike duhet pranuar realitetin se BE-së i duhet edhe një kohë për ta kuptuar salton e Ilir Metës dhe Edi Ramës, të cilët u bënë partnerë kaq shpejt. Kur Sali Berisha thotë se “Meta dhe Rama kanë deponuar akuzat kundër njëri-tjetrit në kancelaritë evropiane”, kjo edhe mund të quhet si një ekzagjerim i ish-kryeministrit, i cili matjen e fjalëve kurrë nuk e ka pasur veti pozitive. Por se në BE ende nuk e kanë harruar rastin e video-incizimit të Ilir Metës edhe këtë duhet pasur po ashtu parasysh. Kjo çështje mund të jetë “punë e së kaluarës” për Ilir Metën apo edhe për PS-në, por, siç kemi përmendur më lart, vendet e BE-së veprojnë edhe në bazë të raporteve, të cilat i kanë marrë nga ambasadat e tyre në atë kohë dhe të cilat i marrin edhe sot. Përkundër “respektit” që kanë për gjyqësorin në Shqipëri, duan më shumë dëshmi se gjyqësori është i pavarur dhe i paanshëm.

Duhet të luash lojën e strucit për t’u bërë se nuk e di se Edi Rama dhe PS-ja një pjesë të madhe të energjisë sa ishin në opozitë e kishin shpenzuar duke kritikuar në Shqipëri dhe duke denoncuar në Evropë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke fajësuar për këtë qeverinë Berisha- Meta. Tash ata nuk mund të presin nga BE-ja që menjëherë ta harrojë këtë dhe të bëhen sikur në Qeverinë e kaluar ishte vetëm pjesa e PD-së, e cila kishte përgjegjësi.

Pikërisht duke pasur parasysh se LSI ishte partnere e PD-së në qeverinë e shkuar dhe tash është partnere e PS-së, disa vende të BE-së duan të shohin se si përkushtimi për t’i përmbushur obligimet do të dëshmohet në realitet. BE-ja, përkundër një bindjeje që është krijuar në Ballkan për shkak të shembujve në Kroaci ku u arrestuan -ish kryeministri dhe disa ish- ministra (madje kur partia e tyre ishte në pushtet) nuk u jep qeverive të Ballkanit lista me emra se kë duhet futur në burg për të merituar biletën për BE. Por po ashtu duan dëshmi se askush, absolutisht askush, nuk mund të jetë mbi ligjin. Këtë duhet ta dëshmojë Shqipëria në gjashtë muajt e ardhshëm nëse nuk do që edhe një rast të humbet. E humbja e rastit në qershor do të ishte goditje shumë e rëndë, sepse në vjeshtë krijohen institucionet e reje të BE-së pas zgjedhjeve evropiane, pra do të ketë prioritete të tjera, dhe nuk dihet se kur do të vijë rasti i ardhshëm.
 

Shkrimi u publikua sot (11.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj

Vrasja e 47 vjeçarit në Tropojë, autori arrestohet pas 3 ditësh, ishte fshehur në një banesë të braktisur në Markaj