Stavropulu: Ju tregoj pasojat e
diktaturave në Greqi dhe Shqipëri

Stavropulu: Ju tregoj pasojat e<br />diktaturave në Greqi dhe Shqipëri
TIRANE- Pasi u dha ne skenën greke “Zonjusha Margaritë”, vepër e dramaturgut dhe poetit brazilian Roberto Athayde, vjen në Tiranë me dy protagoniste; aktoren shqiptare Luiza Xhuvani dhe aktoren greke Evgjeni Stavropulu. Shfaqja e Luiza Xhuvanit do të jepet sot në orën 20.00 dhe shfaqja e aktores greke Evgjeni Stavropulu do të jetë të premten më 23 Maj, ora 21.00. Në sallën Black Box të Universitetit te Arteve përballë publikut shqiptar do të shfaqen, jo vetëm dy aktore të ndryshme, por edhe dy koncepte të ndryshme regjisoriale që vijnë nga Teatri Shëtitës i Tiranës dhe teatri grek Praxi Epta. “Zonjusha Margaritë” do të interpretohet nga aktorja Stavropulu në greqisht, kurse Xhuvani do të interpretojë në shqip dhe greqisht.

E programuar për t’u vënë në dy net me radhë në Tiranë, drama "Zonjusha Margaritë" është mundësuar me mbështetjen dhe vëmendjen e Ambasadës Greke në Shqipëri. Për regjisorin Kiço Londo, dhënia e dy shfaqjeve me dy gjuhë të ndryshme dhe regji të ndryshme nuk shihet si konkurrencë mes artistëve. “Jam i sigurt se të dyja shfaqjet janë pjesë e teatrit modern grek dhe shqiptar”, tha Londo. Jemi bashkë si miq si krijues”. Edhe për aktoren greke Evgjeni Stavropulu kjo shfaqje nuk shihet si një përballje artistike, ndërsa ambasadori grek në Shqipëri, Leonidas Rokanas, në konferencën e djeshme për shtyp me trupën e ardhur nga Athina dhe trupën e Teatrit Shëtitës, u shpreh se e sheh shfaqjen si “mbështetjen e artit si një gjuhë të përbashkët miqësie që kemi midis nesh”.

Regjisori Londo i mëshon rëndësisë që ka fryma moderne e shfaqjes, ndërsa aktorja greke në intervistën për “Shqiptarja.com” i mëshon filozofisë së diktaturave dhe pushteteve. Edhe pse është shumë e re dhe ka përjetuar pak nga pesha e tyre, aktorja Evgjeni Stavropulu ka një perceptim shumë të mençur për diktaturën, pasojat dhe rudimentet e saj që i sheh edhe sot në të dyja vendet në Greqi dhe Shqipëri. 
 
Zonja Stavropulu, a mund të na thoni se çfarë ju tërheq nga vepra “Zonjusha Margaritë”. Ju e patë edhe shfaqjen e Luiza Xhuvanit në Athinë. Si ndiheni në Tiranë me përballjet e shfaqjeve?
-“Zonjusha Margaritë” është luajtur më shumë se 300 herë në të gjitha vendet e botës se dhe kjo nuk është e rastësishme, sepse kjo vepër u përket gjithë qytetarëve të botës. Kjo vepër ka të bëjë me keqpërdorimin e pushtetit, me dëshirën e papërmbajtshme që ka njerëzimi për të kontrolluar jetën e të tjerëve.

Vepra nga shkrimtari i njohur Roberto Athayde është shkruar në kohën e diktaturës në Brazil. Kjo vepër është tragjikomike, por ka dramë brenda, dhe ashtu përjetohet, sepse ne të gjithë e kemi përjetuar nga pak diktaturën. Kemi përjetuar pushtetin e të tjerëve në jetën tonë, dhe e kemi përjetuar me eksperienca shumë të këqija. Unë kisha fatin e madh të ndiqja shfaqjen që u bë në Athinë nga aktorja e madhe Luiza Xhuvani, e cila më kënaqi jashtë mase me mënyrën e saj të interpretimit. E vlerësova shumë shfaqjen e saj dhe më pëlqeu shumë edhe si njeri. Duke e njohur si njeri nuk kam problem konkurrencën, se ajo që më bëri përshtypje, ishte njohja me të, njohja e vlerave të saj si njeri.   
 
Për sa i përket interpretimit të Luiza Xhuvanit, mendoj se ajo zotëron një “sekret të vogël” se e njeh diktaturën, e ka përjetuar realisht atë. Ndërkohë ju jeni e re dhe nuk keni përvoja pushtetesh të egra diktatoriale. Si keni arritur ta zotëronin rolin?
-Kemi pasur edhe ne diktaturë në Greqi, pavarësisht se nuk e kam jetuar, por kam lexuar shumë për të. Kujtesa ndaj diktaturave është shumë e  hapur për të dy popujt tanë. Edhe ne kemi kaluar nga pushtimi osman, edhe nga pushtimi gjerman dhe gjithashtu kemi përjetuar diktaturat e brendshme. Pra, edhe ne kemi pasur diktatorë dhe kemi përjetuar nga këto lloje të pushtetit. Ndaj meqenëse kjo është një shfaqje që u përket edhe moshave të reja do të kisha kënaqësi që shfaqja të ishte edhe për të rinj, që të njohin diktaturën, filozofinë e saj.

Atëherë le të flasim për diktaturën, çfarë mbetje, rudimente, të diktaturës kanë mbetur aty te ju në Greqi, dhe çfarë sheh në Shqipëri si mbeturina të diktaturës?
-Greqia është duke kaluar një krizë jashtëzakonisht të gjatë dhe të lodhshme. Unë duke bërë edhe një shëtitje të vogël në rrugët e Tiranës shoh diçka të ngjashme që e shoh shpesh në Greqi. Dhe pashë se të njëjtat gjëra ndodhin edhe në Shqipëri.

Pra nëse i vëren ndokush të dyja vendet tona edhe në Athinë dhe në Tiranë dhe që që e pashë edhe këtu: të bie menjëherë në sy se në të dyja vendet tona në Athinë e në Tiranë është një diferencë e madhe që sheh mes të varfërve dhe të pasurve. Pra shumë gjëra të cilat bëhen gabim në diktaturë i shoh që bëhen kaq hapur edhe në demokraci në të dyja vendet tona. Pra vazhdon kjo sjellje, kjo mendësi e diktaturave të kaluara. Dhe për fat të keq pushteti ka shumë fuqi mbi njerëzimin dhe nëse është dikush që ka pushtet, duhet të jetë shumë mendje-ndriçuar që të jetë në favor të njerëzimit për të ndihmuar qytetarët e vet.  

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)
 

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Thomas Brdaric thotë fjalët e parë pas rikthimit te Vllaznia: Të 'marrim hak' kundër Egnatias, kopjojmë Leverkusenin

Thomas Brdaric thotë fjalët e parë pas rikthimit te Vllaznia: Të 'marrim hak' kundër Egnatias, kopjojmë Leverkusenin