E gjithë pjesa e mbetur e arkivës, dorëshkrimeve dhe dokumenteve të Jeronim De Radës, një prej figurave më të mëdha të letërsisë dhe rilindjes shqiptare, do të vijë më në fund në Shqipëri. Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave do të marrë në dorëzim nga Biblioteka e Kozencës, 1/3-ën e arkivave të rilindësit Jeronim de Rada.
Kjo falë një marrëveshje të rëndësishme mes dy institucioneve, ndërsa lajmi bëhet i ditur nga Drejtori i Arkivave, Ardit Bido.
“DPA është i vetmi institucion shtetëror shqiptar që ka prezencë fizike në arbëreshët e Italisë, teksa kemi sjellë Shqipërinë pranë bashkëkombësve të atjeshëm nëpërmjet 12 Këndeve Arkivore të çelura në Siçili dhe në Kalabri. Konferenca do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh të tjera, si ekspozitë në Bari, me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së Luigj Gurakuqit, marrjen e 1/3 të dorëshkrimeve të Jeronim de Radës nga Biblioteka e Kozencës, teksa 2/3 gjenden në AQSH, aktivitet të përbashkët në Rosano, me përfaqësues të Muzeut të Rossano-s, ku strehohet simotra e “biblës tonë perandorake”, Kodiku i Beratit, si dhe vizita në disa prej katundeve arbëreshe të Kalabrisë dhe Pulias.”, - thotë Bido.
Ekspertëve, arkivistëve dhe studiuesve të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, u bëhet me dije hapja e aplikimeve për pjesëmarrje në punimet e Konferencës së 9-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës, që do të organizohet më 13-17 qershor 2025, në një epiqendër të shqiptarisë, në Shën Mitër (San Demetrio Corone), në Kalabri të Italisë.
Materialet e përgatitura dhe të paraqitura prej kumtuesve, do të kurorëzohen me botimin e të vetmes revistë në fushën e arkivave anëkënd trojeve, “Arkivat Shqiptare”. Kjo revistë e përbashkët me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (ASHAK), ka një origjinë të hershme në botimet e vazhdueshme të institucioneve simotra përgjatë 60 vjetëve të fundit.
Drejtuesi i DPA-së bën me dije, se abstraktet e punimeve për të dyja thirrjet, do të pranohen deri më datë 5 prill 2024 në shqip, në italisht ose në anglisht, në faqen botime.arkiva.gov.al.
Pas Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit, Boletinit, Manastirit dhe Elbasanit, Shën Mitri është ndalesa e radhës e konference periodike të arkivistikës, që mbledh ekspertë, arkivistë dhe studiues të arkivave nga mbarë trevat shqiptare, për të bashkëndarë rezultatet dhe për të koordinuar veprimtarinë arkivore në rang kombëtar.
Qëllimi i kësaj konference është të mbledhë ekspertët dhe studiuesit e arkivave të vendeve shqipfolëse, të arkivave të rajonit dhe jo vetëm, të cilët diskutojnë çdo vit për problematikat, metodologjinë e studimit, dixhitalizimin dhe përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe vizionin e punës së arkivave në realitetet e sotme.
Një panel i veçantë në konferencë do t’i përkasë studiuesve, të cilët do të paraqiten me tema që kanë të bëjnë me gjuhën, historinë dhe kulturën e arbëreshëve.