Në Gjykatën e Posaçme është shtyrë seanca për dosjen Sterilizimi në ngarkim të ish ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili ishte pranishëm në sallë, krah avokatit të tij, jashtë kafazit të qelqtë.

Shkak u bë kërkesa e prokurorëve që kërkuan kohë për të shqyrtuar qëndrimet e tyre ndaj kërkesave të ish ministrit.

"Ne kemi mundur vetëm dje që të zotërojmë kopjen e materialit 93 faqe të përgatitur nga mbrojtja e Ilir Beqaj. Ka qenë e pamundur të bëjmë një lexim të këtij materiali, për këtë arsye kërkojmë kohë të mbajmë qendrim përfundimtar lidhur me kërkesat e paraqitura nga Beqaj. Kërkojmë shtyrje të seancës”, tha prokurori Edvin Kondili.

Seanca e radhës u vendos të mbahet më 17 korrik.

Për “Sterilizimin” ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. Nga ana tjetër 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar.  Rrjepajt dhe Rrapajt u është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë