Gjykata e Posaçme rrëzoi një pjesë të kërkesave të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj në gjyqin për koncesionin e sterilizimit të seteve kirurgjikale.
Mes tyre ishin kërkesat për pushimin e çështjes dhe për shpalljen e akteve të pavlefshme dhe të papërdorshme.
"Vendimet e gjykatave nuk komentohen, megjithatë nga 22 kërkesat që ne kishim paraqitur, unë dhe avokatët e mi, gjykata e ndau vendimmarrjen e saj në 3 grupe. Për një pjesë tha që nuk më takon mua të shprehem në këtë moment, për një pjesë tha që i përkasin gjykimit të themelit, ndërsa një pjesë të tretë e rrëzoi. Ajo që unë konstatova të saktë është që procedura penale në Shqipëri krijohet çdo ditë, çdo seancë që ndodh këtu. Praktikisht procedura penale ka shumë detyrime për prokurorët por ka harruar me ose pa dashje të shprehet për pasojat nëse prokurorët nuk e zbatojnë. Në këto kushte gjykata konstaton po, nuk e ka zbatuar procedurën penale për rifillimin e procesit kur ka pasur një vendim pushimi, nuk e ka zbatuar për t’u marrë në pyetje në kohë, nuk e ka zbatuar për të marrë provat tona, por thotë meqenëse nuk ka pasojë për mosveprimin e tyre, do të vazhdojmë këtu ndërkohë që të drejtat procedurale të çdokujt që është i akuzuar ngelin jetim", tha Beqaj.
Për kërkesat e tjera, gjykata do të shprehet në vijim, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 2 dhjetor, në orën 10:00.
Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe grup i strukturuar kriminal. Nga ana tjetër 8 të pandehurit e tjerë, përfshirë ish-zv/ministrin Klodian Rjepaj dhe biznesmenin që fitoi koncensionin, Ilir Rrapaj, janë dënuar në proces më vete me gjykim të shkurtuar. Rrjepajt dhe Rrapajt u është rrëzuar nga gjykata akuza e grupit të strukturuar kriminal.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Lajmi në përditësim.....









Komente
Komento