TIRANË - Pas afro dy vitesh proces, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur vendimin për dosjen e njohur si “Sterilizimi”, hetim për koncesionin me vlerë 100 milion euro. Për tetë të pandehurit në proces, Gjykata dha një dënim total prej me 28 vite burg. Por në fund të gjithë përfituan nga gjykimi i shkurtuar.
Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi tenderin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore, u shpallën fajtor për “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”. Ata u dënuan secili me 6 vite burg, të cilat u reduktohen në vetëm 4 vite.
Për të dy, Gjykata rrëzoi akuzën e grupit të strukturuar kriminal, duke i shpallur të pafajshëm. Kjo akuzë, ishte ngritur nga Prokuroria me kërkesë të gjyqtares së seancës paraprake. Tanimë dhe ish ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili po gjykohet veçmas, pasi zgjodhi një proces të zakonshëm, pritet të çlirohet nga e njejta akuzë, që ishte ngritur dhe ndaj tij.
Rektori i Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata, u dënua me 3.6 vite burg, që ulet në 2.4 vite. Por gjykata vendosi pezullimin e dënimit dhe vendosjen e tij në shërbim prove për 2 vite. Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike, Saimir Kadiu, drejtori ekonomik në ministri, dhe Petraq Mersini, anëtar i Komisionit të tenderit, janë dënuar me 3 vjet e 6 muaj vite burg, I reduktuar në 2.4 vite burg. Serjanaj dhe Kadiu do të lirohen pasi kanë përmbushuar afatet e dënimit në arrest shtëpi, ndërsa Mersinit dënimi iu konvertua në shërbim prove për 24 muaj.
Genc Byrazeri u dënua me 1.6 vite burg, dënim që u konvertua përfundimisht në 80 orë punë në interes publik. Naile Ajazi u dënua me 2 vite shërbim prove.
Për dy të pandehurit kryesorë, Rrjepaj dhe Rrapaj, prokuroria kishte kërkuar nga 10 vite burg për secilin, që me gjykim të shkurtuar do të zbrisnin në 6 vite e 8 muaj. Të arrestuar në gusht të vitit 2023, të dy pritet të lënë qelitë Brenda disa javësh, për shkak se e kanë konsumuar thuajse të gjithë dënimin me kohën e paraburgimit.
Komente










