Adem Shehu, ish-ushtaraku shqiptarë që ka stërvitur më 1999 trupat e UÇK-s në zonën e Kukësit do të merret në pyetje nga gjykata dhe prokuroria speciale që po heton për krimet e luftës në Kosovë. Në ministrinë e drejtësisë shqiptare ka mbërritur letërporosia që i kërkon Shqipërisë të njoftoj Adem Shehun të paraqitet më datë 28 Janar në gjykatën speciale.

Kjo letërporosi ka mbërritur në rrugë diplomatike më 13 dhjetor në Ministrinë e Drejtësisë dhe i është përcjell prokurorisë së përgjithshme për t'ia kaluar Tiranës e cila duhet ta gjej. Në letërporosinë të cilën Report Tv pati mundësinë ta lexojë kërkohet shoqërimi i tij drejt Hagës si pjesë e grupit të UÇK. Shehu ish ushtarak ka jetuar shumë vite në Tiranë ndërsa së fundi ai është angazhuar politikisht në Kosovë edhe si pjesë e partisë së drejtuar nga biznesmeni Behxhet Pacolli, AKR.

Report Tv u interesua duke kontaktuar me ish-ushtarakun Adem Shehi. Ai tha se do ta respektojë patjetër kërkesën e thirrjes në drejtim të tij.  Ai konfirmon se me datë 28 janar do të jetë në Hagë.

Ai sipas letërporosisë do duhet të paraqitet personalisht në Hagë dhe do të merret në pyetje, në një proces ku i pandehur sot është ish kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli, ish presidenti Hashim Thaçi dhe të tjerë.

Adem Shehu nga Farka e Tiranës, oficer kundërajror i Ushtrisë Shqiptare, diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980, shërbyer në reparte e njësi të Mbrojtjes Kundërajrore të Kryeqytetit, do të bëhej një nga komandantët më në zë të UÇK-së.

Fillimisht u lidh me aktivistët kosovar në Shqipëri dhe më pas duke shkuar vullnetarisht në Kosovë në kuadrin e luftës u bë deri komandant…Në vitin 1996 u lidh me ilegalët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me Sejdi Veselin, Nazmi Zhukën, sot dëshmorë i Kosovës, Fatmir Humollin e të tjerë. Në vendlindjen e tij, në Farkë, në periferi të qytetit të Tiranës, organizoi stërvitjen luftarake të luftëtarëve të cilët vinin nga Kosova, trojet etnike dhe nga vendet perëndimore për t’u stërvitur. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta dhe Adem Shehu i stërviste ata ilegalisht. Banesa e tij, u shndërrua në një qendër stërvitore, pra në një “Akademi” të Farkës. Pas marsit 1998, kur UÇK-ja kaloi në veprime luftarake në shkallë të gjerë, Adem Shehu mbante lidhje të vazhdueshme me luftëtarët që kishte përgatitur vetë.