Steve Jobs, biografia që zbulon
sekretet e burrit të Apple

Steve Jobs, biografia që zbulon<br />sekretet e burrit të Apple
Steve Jobs” është biografia e autorizuar e Steve Jobsit, themeluesit të kompanisë Apple. Jobsi i kërkoi biografit të mirënjohur, Ëalter Isaacson, të shkruante biografinë e tij. Ëalter Isaacsoni ka qenë një nga menaxherët e CNN-it dhe revistës Times dhe ka shkruar disa biografi shumë të rëndësishme. Me më shumë se dyzet intervista të bëra në një periudhë dyvjeçare me Steve Jobsin, si dhe mbi njëqind intervista me shokë, familjarë, kundërshtarë, konkurrentë dhe kolegë, Isaacsonit iu dha një qasje "ekskluzive dhe e papërsëritshme" në jetën e tij. I parashikuar për botim në mars 2012, botimi u vendos të afrohej në nëntor 2011, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të Jobsit. Por humbja e tij në 5 tetor 2011, bëri që libri të botohej edhe më herët, më 24 tetor 2011, në ShBA. Ky libër rrëfen jetën e themeluesit të kompanisë Apple nga lindja e deri në vdekjen e tij të bujshme. Aty zbulojmë, jo me pak habi, se si ky njeri aq krijues e i vullnetshëm, ishte edhe një maniak i përsosmërisë, një individ i egër, pa shumë skrupuj, me një karakter shumë të vështirë. Jobsi arrinte t'i egërsonte dhe t’i dëshpëronte njerëzit rreth tij. Por personaliteti dhe produktet qenë të ndërlidhura, ashtu siç janë të ndërlidhura hardueri dhe softueri në produktet Apple. Që nga botimi i tij e deri më sot, libri “Steve Jobs” është ende në listën e librave më të shitur të New York Times-it dhe në shumë të tjera. I përkthyer në shqip nga Taulant Hatia dhe botuar nga “Pegi” libri pritet të joshë mjaft lexues shqiptar dhe adhurues të panumërt që u trishtuan nga humbja e parakohshme e Jobs. Historia se si u shkrua ky libër rrëfyer nga autori Walter Isaacson, e josh lexuesin drejt zbulimit të jetës së këtij personazhi të pazakontë.
Autori rrëfehet: Si u shkrua biografia
Në fillim të verës së 2004-ës, më telefonoi Steve Jobsi. Për vite me radhë ishte treguar mjaft miqësor me mua, edhe pse hera herës shpërthente furishëm, sidomos kur ishte rasti për të nxjerrë në treg një produkt të ri dhe ta reklamonte në faqen e parë të revistës Time apo ta shfaqte në CNN, vende ku punoja atëherë. Por që kur nuk punoja më në asnjërin prej tyre, e kisha parë më rrallë. Folëm pak për Institutin Aspen ku punoja së fundi dhe e ftova të vinte të fliste në një kurs veror në Kolorado. Më tha se do t’i pëlqente të merrte pjesë, po nuk donte të dilte nëpër tribuna. Do t’i pëlqente të bënim një shëtitje e të bisedonim.
Më erdhi paksa çudi. Nuk e dija që shëtitjet e gjata i quante mënyrën më të mirë për të zhvilluar biseda serioze. Mora vesh se donte që t’i shkruaja biografinë. Kisha botuar një të tillë për Benjamin Franklinin dhe po shkruaja atë të Albert Einsteinit. Në fillim reagova i habitur dhe i thashë, gjysmë me të qeshur, në e shihte veten si pasues të natyrshëm të këtyre lloj njerëzve. Ngurrova, ngaqë mendoja se ndodhej në mes të një karriere me luhatje e do të kishte ende shumë të panjohura. Jo tani, i thashë. Ndoshta pas një apo dy dhjetëvjeçarësh, kur të dalësh në pension. E kisha njohur qysh në vitin 1984, kur pat ardhur një herë në
Manhatan në një drekë me botuesit e revistës Time dhe ngriti në qiell kompjuterin e ri Macintosh. Edhe atëherë u tregua zemërak, duke sulmuar një gazetar, i cili e kishte lënduar me një shkrim që e nxirrte shumë zbuluar. Por edhe unë, si shumë të tjerë gjatë viteve, pasi fola me të, u magjepsa nga forca e tij tërheqëse. I mbajtëm lidhjet edhe mbasi u largua nga kompania Apple. Kur kishte për të nxjerrë diçka nga duart, si për shembull, ndonjë kompjuter NeXT apo ndonjë film të studiove Pixar, rrezet e magjepsjes së tij binin drejt e mbi mua, më thërriste në ndonjë restorant ku gatuhej sushi në Manhatanin e Poshtëm dhe më thoshte se ajo që do të paraqiste tani ishte gjëja më e mirë që kishte prodhuar ndonjëherë. Më pëlqente. Kur u ngjit përsëri në fronin e kompanisë Apple, e nxorëm në kopertinën e revistës Time dhe, pas njëfarë kohe, nisi të më jepte ide për një varg shkrimesh për persona që kishin më tepër ndikim në vend. Nisi fushatën Think different, ku përdori portrete të disa prej njerëzve që po shqyrtonim edhe ne, dhe iu duk magjepsës ndikimi historik i tyre. Edhe pse nuk pranova që t’i shkruaja biografinë, komunikonim me raste. Një herë i dërgova një e-mail ku e pyesja nëse ishte e vërtetë, siç kishte dëgjuar vajza ime, se logoja e kompanisë Apple ishte zgjedhur për nder të Alan Turingut, pionierit britanik të kompjuterëve, i cili theu kodet gjermane gjatë luftës dhe vrau veten duke ngrënë një mollë të lyer me cianur. M’u përgjigj se do të kishte dashur të ishte kështu, po nuk ishte. Kjo u bë shkas për shkëmbimin e disa letrave rreth historisë së hershme të kompanisë Apple dhe m’u duk sikur kisha nisur të mblidhja materiale për këtë temë, sikur të kisha vendosur ta shkruaja librin. Kur doli biografia e Einsteinit, erdhi në një veprimtari që kasha organizuar në Palo Alto, më mori mënjanë dhe më tha edhe një here se tema e tij ia vlente. Më hutoi kjo këmbëngulje. Njihej si person që e ruante fort privatësinë, ndërsa unë nuk kisha arsye të besoja se kishte lexuar ndonjë nga librat e mi. Ndoshta më vonë, vazhdova t’i thosha... Por, në vitin 2009, gruaja e tij, Loren Pauelli më foli hapur: “Nëse ke ndërmend të bësh ndonjë libër për Steve-in, bën mirë ta bësh tani.” Sapo kishte marrë përsëri pushimet për arsye shëndetësore. I thashë se kur ma kishte parashtruar në fillim idenë, nuk e dija që ishte i sëmurë. Nuk e di pothuajse askush, ma ktheu. Më kishte telefonuar përpara se të bënte një ndërhyrje kirurgjikale për kancerin e përsëri nuk më kishte treguar, më shpjegoi ajo. Atëherë vendosa ta shkruaja librin. Jobsi më habiti pa masë, kur më
tha se nuk donte të kontrollonte asnjë pjesë të tij, madje nuk donte as ta shihte përpara se të shtypej. “Është libri yt”, më tha. “Madje, as kam për ta lexuar.” Më vonë, nga vjeshta, dukej se kishte ndërruar mendim për bashkëpunimin, për shkak të disa ndërlikimeve të tjera nga kanceri, të cilat nuk i dija. Nuk po u përgjigjej telefonatave, prandaj, edhe unë e lashë mënjanë për ca kohë projektin. Pastaj, papritur, ditën e Vitit të Ri 2009 më telefonoi pasdite vonë. Ishte në shtëpinë e vet, në Palo Alto, së bashku me të motrën, shkrimtaren Mona Simpson. Gruaja dhe fëmijët kishin shkuar për ski, por atë nuk e lejonte gjendja shëndetësore që t’i shoqëronte. Kishte rënë në mendime, folëm për më tepër se një orë. Nisi të kujtonte kohën kur donte të ndërtonte një numërator frekuencash, në moshën dymbëdhjetëvjeçare, kërkoi në librin e telefonave emrin e Bill Hewlettit, themeluesit të kompanisë HP, dhe i telefonoi duke i kërkuar t’i gjente pjesët. Jobsi tha se dymbëdhjetë vitet e shkuara të jetës, që kur ishte rikthyer në kompaninë Apple kishin qenë më produktivet nga pikëpamja e krijimit të prodhimeve të reja. Por qëllimi më i rëndësishëm i tij, më tha, ishte të bënte atë që kishin arritur të bënin Heëletti dhe miku i tij David Packardi: Ndërtimi i një kompanie aq të ngjeshur me risi, sa do të jetonte edhe pas tyre. “Si fëmijë, gjithnjë e kam parë veten si person të prirur ndaj shkencave humane, megjithëse më pëlqente elektronika”, më tha. “Pastaj lexova diçka ku njëri nga heronjtë e mi, Edëin Land i Polaroidit, fliste për rëndësinë e njerëzve që qëndrojnë në kryqëzimin ndërmjet shkencave humane dhe atyre natyrore, dhe kuptova se doja të bëhesha edhe unë i tillë.” M’u duk sikur po më sugjeronte tema për biografinë (dhe në këtë rast, kjo temë doli mjaft e vlefshme). Aftësia krijuese që lind kur një personalitet i fortë ndihet si gërshetim i fushave shoqërore dhe shkencore, ishte tema që më kishte interesuar më tepër në biografitë e Franklinit dhe Einsteinit dhe besoj se ajo do të jetë pika kyç në krijimin e fushave novatore në shekullin e njëzetenjëtë.
E pyeta Jobsin përse donte që t’ia shkruaja unë biografinë. “Mendoj se je i zoti që t’i bësh njerëzit të flasin”, u përgjigj. Nuk e prisja këtë përgjigje. E dija që do të më duhej të intervistoja dhjetëra njerëz që ai i kishte pushuar nga puna, i kishte keqtrajtuar, braktisur apo qe inatosur me ta në ndonjë farë mënyre, prandaj kisha frikë se nuk do të ndihej rehat me mua, nëse do të shkoja t’i pyesja të gjithë. Dhe në të vërtetë u tremb pakëz, kur i shkuan fjalët e njerëzve të intervistuar. Por, pas disa muajsh nisi t’i nxiste vetë që të më flisnin, edhe armiqtë, apo edhe ish të dashurat. Nuk u përpoq të vendoste kufij në asgjë. “Kam bërë plot gjëra për të cilat nuk ndihem krenar, si për shembull, kur lashë shtatzënë të dashurën në moshën njëzetetrevjeçare dhe se si e trajtova këtë fakt”, më tha. “Po nuk kam në dollap ndonjë skelet që nuk dua ta nxjerr.” Nuk kërkoi kurrë të kontrollonte ato që shkruaja, as më kërkoi t’i lexonte paraprakisht. Ndërhyri vetëm kur botuesi duhet të zgjidhte kopertinën. Kur pa një variant të bërë gati qysh më parë, iu duk aq i shëmtuar, sa kërkoi të merrte pjesë vetë në skicimin e të resë. Më zbaviti kjo gjë, por edhe nuk doja ta lodhja, kështu që pranova menjëherë. Përfundova duke mbledhur më tepër se dyzet intervista dhe bashkëbisedime me të. Disa ishin formale, në sallonin e shtëpisë së tij në Palo Alto, të tjera gjatë shëtitjeve të gjata ose përmes telefonit. Gjatë atyre dy viteve që e vizitoja, u bë tepër i afrueshëm dhe i
hapur, megjithëse ndonjëherë dëshmoja atë që kolegët e tij të vjetër, në kompaninë Apple e quanin “fushë të shtrembërimit të realitetit”. Ndonjëherë ndodhte që, pa qëllim, nuk gjallëroheshin kujtimet, siç mund të na ndodhë të gjithëve; ndonjëherë tjetër e shtynte tepër larg variantin e tij të realitetit për veten dhe për mua. Për ta verifikuar dhe për t’i dhënë sa më shumë jetë historisë së tij, intervistova më tepër se njëqind shokë, të afërm, rivalë, kundërshtarë dhe kolegë të tij.
As gruaja e vet nuk vuri kushte, nuk kërkoi të kontrollonte ndonjë gjë e as ta lexonte paraprakisht atë që do të botoja. Në të vërtetë, me nxiti fort të tregohesha njësoj i ndershëm si me dobësitë, ashtu edhe me arritjet e tij. Është një nga gratë më të zgjuara dhe më me taban që kam njohur ndonjëherë. “Në jetën dhe personalitetin e tij ka pjesë të tëra që duken lëmsh dhe kjo është e vërtetë”, më tha qysh në fillim. “Nuk duhet t’i pastrosh. Ai di ta dredhë për shumë gjëra, por ama, historia e tij është e veçantë, kështu që do të më pëlqente ta tregoje me besnikëri.” Ia lë lexuesit ta vlerësojë nëse ia kam dalë mbanë në këtë mision. Jam i sigurt se, në këtë dramë, ka lojtarë që mund t’i mbajnë mend ndryshe disa ngjarje, apo të mendojnë se ndonjëherë Jobsi më ka përfshirë edhe mua në atë fushën e tij të shtrembërimit të realitetit.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Rrëzimi i helikopterit, vdes presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm! Nuk ka asnjë të mbijetuar

Rrëzimi i helikopterit, vdes presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm! Nuk ka asnjë të mbijetuar