E sapodiplomuar nga shkolla e modës në Barcelonë Isabell de Hillerin nuk pa mundësi të mira për të ardhmen në Spanjë. Stacioni i saj i radhës ishte Berlini, ku në vitin 2009 themeloi markën e saj. "Nuk kisha një plan B. Isha e interesuar vetëm për modën", thotë de Hillerin për DW.
Përpara se të hapte dyqanin e saj të vogël në lagjen Neukölln të Berlinit, ajo shkoi në Rumani, ku është ende një pjesë e familjes së saj, për të zbuluar mënyrën tradicionale të endjes. "Shkova nga një fshat në tjetrin dhe bëra kërkime në muzeume. Isha duke kërkuar për gra, të cilat bënin punime në mënyrën tradicionale", thotë ajo.
De Hillerin gjeti grupe femrash në Rumani dhe Moldavi, të cilat mund të prodhonin pjesët e para të koleksionit të saj. Që atëhere projekti është bërë më shumë se bashkëpunim biznesi. Tanimë është edhe një mision për ta ruajtur këtë fromë arti.
Krijimi i partneritet të suksesshëm
Kanë kaluar katër vjet qëkurse de Hillerin hapi biznesin, që tani ka filluar të lulëzojë. Punimet e saj që shiten nga Los Anxhelos e deri në Hong Kong. Por gjërat nuk kanë qenë gjithmonë kaq të lehta. Kur vajza vizitoi për herë të parë një qytet, ku thuhej se femrat ishin eksperte në qëndisje, ajo u refuzua. De Hillerin(foto) u tha atyre se ajo kishte në plan që të paraqiste punimet e tyre në pasarelat e Berlinit dhe Parisit, por asaj ia mbyllën derën në fytyrë. "Kështu që shkova në një fshat tjetër dhe fola me njerëzit, të cilët merreshin me punime dore", shpjegon stilistja.
Moldavi, aty ku prodhohen veshjet e de Hillerin
Të punonte me partenrët e rinj në biznes ishte një eksperiencë e paprovuar më parë për të dhe ajo mësoi shumë gjëra të reja. Përshembull disa nga gratë, që jetojnë në fshatra shumë të vegjël, kanë vështirësi me dërgimin e punëve të tyre. Por vendosmëria e de Hillerin dhe njohuritë e saj në gjuhën rumune kanë bërë që të kapërcehen këto pengesa. "Nëse një koleksion prodhohet jo vetëm nga një grua, por nga dhjetë, atëherë rritet akoma më shumë edhe interesi i të rinjve për punimet me dorë", thotë ajo.
Një nga momentet kulmore të partneritet të saj me gratë qëndistare ishte vitin e shkuar, ku de Hillerin i solli disa prej tyre për të parë shfaqjen e saj të modës në Berlin. Udhëtimi në Berlin ishte i pari për disa nga gratë, të cilat nuk ishin larguar asnjëherë nga fshatrat e tyre. "Momenti kur ato u ngjitën në skenë pasi kishte përfunduar sfilata ishte me të vërtetë emocionues. Ato qëndronin në krah të modeleve, që ishin veshur me punime të bëra nga duart e tyre. Ishte e pabesueshme."
Partneret e stilistes së re në Moldavi
Ruajtje e traditës së vjetër
Ndërkohë që marka e de Hillerin është ende shumë e vogël në industrinë e modës, ajo ka fituar simpatinë e atyre fansave që vlerësojnë cilësinë. Punimet e saj nuk janë shumë të lira. Kompania e shitjeve online 'A Boy Named Sue' me bazë në Hong Kong shet krijimet e de Hillerin në Azi dhe SHBA. Themeluesja e faqes online Tania Reinert Shchelkanovtseva shpjegon, se ajo është në kërkim të koleksioneve të punuara me dorë. "Të gjithë njerëzit që dëgjojnë historinë e Isabelës e pëlqejnë shumë atë. Ata habiten kur mësojnë se duhen të paktën katër ditë për të krijuar një model", thotë ajo.
Puna e de Hillerin ndosha nuk do të mund ta frenojë rënien e interesit për punimet me dorë të veshjeve në Rumani dhe Moldavi, por ajo shpreson t'i mbajë partneret e saj të biznesit për t'i dhënë jetë një tradite që po zhduket dalë-ngadalë në Europën Lindore. Por a ka ndonjë inovacion? De Hillerin i kërkoi një gruaje të bënte një tapet prej mëndafshi e jo prej leshi. Në fillim gruaja e pati të vështirë të punonte me fijet deilkate të mëndafshit. "Por më pas ajo ia arriti qëllimit dhe tani është për mrekulli", përfudon de Hillerin.
Marrë nga Deutsche Welle
(ad.ti/shqiptarja.com)