TIRANË- Në një kohë kur stoku i dosjeve të pashqyrtuara sa vjen e po rritet në Gjykata, kreu i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia ka sjellë një zgjidhje për këtë problem. Në emisionin ’5 Pyetjet nga Babaramo’, në Report Tv ai ka propozuar që për të eliminuar stokun, të “përdoren” si gjykatës, avokatët. Ai ka deklaruar se këto avokatë të marrin statusin e “gjyqtarit të përkohshëm” dhe të merren me çështje të lehta e që janë në vëzhgim nga shtetit. Në rast se rezultojnë që të jenë të aftë në këtë punë, atëherë ai mund të marrë statusin e gjyqtarit të përhershëm! Për këtë, thotë se nuk është e nevojshme të ketë dalë nga shkolla e magjistraturës apo të ketë kaluar Vettingun, pasi është i mendimit se vendi ndodhet në një “situatë të jashtëzakonshme, për pasojë edhe duhen përdorë mjetet të jashtëzakonshme”.
“Situata me stokun e dosjeve, por si do jepet drejtësia për qytetarët por edhe fati i avokatëve se janë 600 avokatë në rrethe, 1800 janë në Tiranë. Heqja e shumë institucioneve nga rrethet, jeta nuk bëhet vetëm në Tiranë. Ne kemi thënë, ne trupa e avokatëve që mund të jenë për shkallë të parë e të dytë, t’i afrojnë sa të evadohen dosjen, që është modeli i Anglisë. Deri 40-vjeç punon avokat, në kufirin afro 40 vjeç shteti të ngarkon të bëhet prokuror dhe gjyqtar, dhe kush është më i miri i mbajnë, Se janë pirgu i çështjeve, por edhe cilësia, dhe ne kemi ofruar zgjidhje që ta heqim këtë pirg, s’ka nevojë për vetting, se i jep çështje të thjeshta, që e mban në vëzhgim. Apeli Administrativ ka 5 apo 6 gjyqtar, dhe ai që ka më pak, ka 3700 dosje. Shkolla e magjistraturës? Në situatë të jashtëzakonshme përdoren mjetet të jashtëzakonshme! Avokatët nëse do jepet statusi i gjykatësit të jetë i përkohshëm, prsh vetëm me evadimin e çështjeve, nëse shkëlqejnë merr këtë të duash, nëse jo janë shumë të nderuar të vijnë prap avokat. Nuk i duan gjyqtar? T’i marrin e t’i bëjnë këshilltar dhe më pas gjyqtari të bëjë seleksionimin dhe të shprehet me vendim”, tha Haxhia.
Përballë gazetarit Ilir Babaramo, Haxhia është shprehur skeptik për vendimin e qeverisë, duke shprehur i bindur se do e kalojnë në Kuvend hartën e re gjyqësore të propozuar nga KLGJ. Këtë e thotë me bindje, pasi sipas tij, mazhoranca i druhet akuzave që mund t’u vijnë, në rast se nuk e kalojnë, si “pengues të Reformës në Drejtësi”.
“Nuk kemi shpresë te qeveria, se ajo e di që është masë ekstreme, dhe që ka një faturë shumë të madhe që do rëndojë në xhepat tanë, qeveria nëse do e miratojë këtë hartë do të tregojë dhe për t’iu shmangur akuzave që po pengojnë reformën në drejtësi dhe është e deklaruar se ca të kërkojë KLGJ, do e miratojnë, nuk do i hyjë fare eficensës apo argumenteve, por do t’i shmanget dhe të mos jetë më akuzave që qeveria nuk përkrah reformën. Qeveria duhet të ulet me ne”, tha Haxhia në Report Tv.
Ai tha se bojkoti i avokatëve javën e parë ka qenë i shkëlqyer, mirëpo thekson se nuk ka vend që të arrihet deri në grevë, pasi thekson se propozimet e tyre janë të pranueshme.
“Ka vend të mos bëhet greva, zgjedhjet janë të pranueshme dhe problematikat që ne kemi zgjidhur qëndron. Bojkoti ka qenë model javën e kaluar, me mbarimin e afatit, ne deklaruam të mbyllur bojkotin, por dhomat vendore që kanë pavarësinë e tyre, nisur nga interesat e tyre, vendosën një bojkot të 2-të”, përfundoi kreu i dhomës së avokatisë.
Harta e re gjyqësore prej ditësh ka sjellë diskutime dhe reagime mes avokatëve. Dhoma e Avokatisë vendosi bojkot të të gjithë seancave të gjyqësorit për 4 ditë (14-17 qershor), ndërsa kundër kanë dalë avokatët penalistë që shkojnë në seanca sepse mendojnë që çështja duhet të shkojë në Gjykatën e Kushtetuese për të kundërshtuar KLGJ. Report Tv ka siguruar relacionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor i cili shpjegon se për të arritur në draftin me 13 gjykata të shkallës së parë nga 22 dhe në një apel nga 6 që kishte më parë ata kanë marrë modelet, Daneze, Portugeze, Suedeze, Holandeze dhe modelin e Moldavisë, por për Haxhinë, kjo është të gënjesh veten, pasi nuk mund të merren këto shembuj dhe të impementohen në Shqipëri.