Prej fillimit të muajit, avokatët kanë vendosur unanimisht bojkot të seancave në Gjykatën e Posaçme, në shenjë kundërshtie të hapur ndaj rregullores që kryetari i kësaj gjykate Erjon Bani nisi të zbatojë në 1 shtator, që në thelb cenon detyrën e gazetarëve dhe të avokatëve duke mos lejuar telefonët celularë në sallë.

Deri më tani janë një sërë procesesh gjyqësore që janë bojkotuar prej avokatëve, të cilët kanë marrë pjesë vetëm në seanca me karakter urgjent, siç janë ato për masat e sigurisë.

Report Tv, kontaktoi me kreun e Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, Prof Dr Maks Haxhia, i cili deklaroi se deri më tani, nuk ka asnjë përgjigje të shkresave të dërguara institucionalisht, as nga Gjykata e Posaçme, as nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe as nga ndërkombëtarët.

“Në analizë të kësaj situate, shumë shpejt në ditët e afërta do të mblidhet përsëri Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë dhe do të diskutoje për hapat e mëtejshme të cilat natyrisht do të jenë drejt radikalizimit të qëndrimit, si në thellësi ashtu edhe në gjerësi ”, u shpreh Prof Dr. Maks Haxhia.

Reagimi lë të kuptohet, se për të tërhequr vëmendjen e Gjykatës së Posaçme deri në pezullimin e rregullores që godet transparencën, avokatët mund të bojkotojnë edhe seancat për masat e sigurisë, që do të çonte në një situatë kaotike në gjykata, me dhjetëra të arrestuar që nuk mund të qëndrojnë në qeli pa një vendim gjykate. Po ashtu, siç kanë paralajmëruar më herët, bojkoti mund të shtrihet edhe në gjykatat e tjera në vend.

Në bisedën që Report Tv bëri me Maks Haxhinë, i indinjuar, Presidenti i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, tha me ironi, se “KLGJ nuk ka pasur kohë të trajtojë këtë situatë, pasi është e zënë me problemin e pagave”.

“Urojmë që edhe bojkoti I tyre të arrijë me sukses objektin. Të dyja palët jemi në bojkot, por dallimi qëndron në kahet e kundërta të interesave dhe objektivave”, theksoi Haxhia në një përgjigje me shumë indinjatë institucionale.

Edhe gazetarët në shenjë kundërshtie ndaj kësaj rregulloreje, që përveç kamerave, i  ndaloi edhe futjen në seancë me celular, i vetmi mjet pune për të përcjellë informacionin në kohë reale për qytetarët, nuk janë akredituar në GJKKO.

Në vend të tërheqjes nga rregullorja, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli grupin e komunikimit në WhatsApp ku ishin të përfshirë gazetarët që mbulojnë aktivitetin e saj, përfshirë punonjës të redaksive mediatike që për të bërë detyrën duhet të vihen në dijeni mbi njoftimet publike nga kjo gjykatë.

Edhe rregullat e akreditimit të gazetarit, cenojnë redaksitë e mediave, pasi kërkonin të dhëna personale, deri në adresën e banimit të një gazetari të përveçëm, duke mos i dhënë mundësi redaksive të mediave të dërgojnë një tjetër gazetar në procese. Kjo mund të realizohet vetëm si publik, por edhe në këtë rast gazetari mund të hyjë në sallë vetëm nëse ka vende të lira.

Rregullorja është kundërshtuar ashpër edhe mediat dhe organizatat ndërkombëtare të gazetarëve pasi censuron punën e tyre dhe cenon të drejtën e informimit.