MALIQ-Edhe këtë vit fermerët që kultivojnë drithëra në fshatin Sheqeras të Maliqit po përballen me mungesën e tregut. Mbi 60% e prodhimit të misrit rezulton ende i pashitur. Siç shihet edhe nga pamjet, magazinat janë të mbushura.

Fermeri Shkëlqim Malo tregon se pas korrjes në muajin tetor 2025 arritën të shesin vetëm një sasi të vogël të prodhimit, ndërsa më pas nuk pati me kerkese nga tregtaret. Çmimi i një kilogrami misri me shumicë varion nga 30 deri në 33 lekë. Ndersa misri i importit eshte pak me lire por pa cilesi.

Këtë vit bujqesor, Shkelqim Malo nuk pret prodhim të madh, pasi një pjesë e tokave të mbjella u përmbytën ne dimer, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Me 20 kuintal miser te pashitur, Luftim Gishto thote se do te heqe dore dhe po mendon t’i japë tokat me qira.

Sipas Drejtorisë së Bujqësisë, në të gjithë fushën e Maliqit kultivohen më shumë se 3500 hektarë grurë, me një prodhim rreth 14 mijë ton. Ndërsa për misrin sipërfaqja është afërsisht e njëjtë, me një prodhim që arrin rreth 24 mijë ton.

Ndërsa në Maliq misri ka mbetur stok, në tregun vendas vijon të qarkullojë misër i importuar. Një ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit kallëzoi penalisht subjektin “Modi” në Shkodër, pasi zbuloi se kishte shitur 94,5 ton misër serb me aflatoksinë.

Fillimisht u bllokuan 104 ton por gjatë verifikimit u konstatua se shenjat e bllokimit ishin prishur dhe vetëm 9,5 ton kishte mbetur në magazinë. Pjesa tjetër, rreth 94,5 ton eshte shpërndarë në tregje. Shqetësimi kryesor mbetet mungesa e gjurmueshmërisë! AKU nuk ka nisur ende inspektim për të përcaktuar saktësisht se ku ka përfunduar ky miser? Cilat ferma blegtorale e kanë përdorur dhe cilat produkte të qumështit mund të jene te demshme per shendetin per shkak te nivelit të lartë të aflatoksinës?!