Ditët kalojnë dhe situata te Milani mbetet e bllokuar, megjithëse kjo mund të jetë një javë shumë e rëndësishme, ndoshta vendimtare. Fillimi i Kupës së Botës 2026 pritet të ngadalësojë planet e merkatos dhe organizimit të shumë klubeve ndërkombëtare. Qëllimi është të përcaktohet më në fund se kush do të jetë trajneri i ri i kuqezinjve, si edhe drejtuesi i sektorit teknik.
Sa i përket pankinës, në orët e fundit duket se ka pasur një afrim idesh rreth Oliver Glasnerit. Për këtë arsye pritet një takim tjetër pas atij të së martës. Trajneri austriak e sheh me shumë interes mundësinë për të drejtuar Milanin, por ndërkohë po pret edhe zhvillime nga Feyenoordi, i cili ka shkarkuar Van Persien dhe po e konsideron pikërisht Glasnerin si zëvendësuesin e tij.
Si do të luante Milani i Glasnerit?
Sipas La Gazzetta dello Sport, gjatë takimit me Cardinalen dhe Ibrahimovicin, Glasner tregoi se e kishte analizuar në detaje skuadrën, duke parë edhe disa ndeshje të sezonit të kaluar për të krijuar një ide të qartë mbi punën që duhet bërë.
Austriaku është përshtatur gjithmonë me lojtarët që ka pasur në dispozicion, por duke praktikuar një futboll krejt ndryshe nga ai i Allegrit; presion të lartë, intensitet dhe lojë sulmuese. Ai i ka premtuar drejtuesve të Milanit se në 'San Siro' do të sjellë spektakël dhe një mentalitet ofensiv.
Megjithatë, Glasner ka qenë i qartë se do t’i duhet kohë për të ndryshuar skuadrën. Ai ka kërkuar mbështetje të plotë në muajt e parë, edhe në rast se rezultatet fillestare nuk do të jenë në nivelin e pritshëm.
Alaba te Milani, zhvillimet e fundit
Pikërisht për këtë arsye po afrohet edhe mundësia e ardhjes së Ralf Rangnickut, i cili shihet si figura ideale në rolin e drejorit sportiv, për të mbrojtur dhe mbështetur Glasnerin.
Gjithashtu, Milani mund të afrojë një lojtar me peshë të madhe në dhomat e zhveshjes, David Alabën. Mbrojtësi austriak 34-vjeçar, i cili pritet të largohet si lojtar i lirë nga Real Madridi, ka pasur disa dëmtime në sezonet e fundit, por mbetet një nga liderët e përfaqësueses së Austrisë, që drejtohet pikërisht nga Rangnick.
Alaba konsiderohet si i denjë për të shërbyer si pikë referimi për skuadrën, veçanërisht nëse Luka Modric, siç po përflitet, do të rikthehet te Real Madridi si drejtues, duke e mbyllur me futbollin e luajtur.
Komente








