Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të takohet sot në Shkup me liderët e shteteve anëtare të aleancës ushtarake nga Ballkani, për të biseduar për sigurinë e rajonit dhe gjëra të tjera.
Në takimin joformal të liderëve të shteteve anëtare të NATO-së nga rajoni i Ballkanit me shefin e aleancës do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, president i Kroacisë, Zoran Milovanoviq, dhe kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.
“Ne do të diskutojmë për sigurinë rajonale me liderët, por edhe të adresojmë sfidat me të cilat përballemi në këtë rajon, shohim më shumë gara globale, luftën në Ukrainë që vazhdon, por edhe luftën e re”, tha Stoltenberg.
Takimi i Stoltenbergut me liderët e Ballkanit në Shkup vjen pas turit të tij në vendet e Ballkanit, përfshirë Kosovën, ku qëndroi të hënën dhe u takua me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Në Prishtinë, ai tha se NATO-ja po shqyrton nëse i duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë dhe se nuk do të lejojë konflikt të gjerë në Ballkan.
Ndërkohë, kryeministri shqiptar Rama tha të mërkurën se takimi i liderëve ballkanikë me Stoltenberg po mbahet në një kohë të krizave dhe luftërave që, sipas tij, kanë mundësi ta rrezikojnë edhe rajonin ballkanik.
“Gjendemi në një moment kur këtu në rajon duhet të fokusohemi te mbrojtja dhe ruajtja e asaj që kemi arritur, që është jo pak, një paqe e brishtë e përgjithshme, por sidoqoftë një paqe dhe të vëmë të gjitha forcat për ta bërë këtë paqe përfundimtare dhe të qëndrueshme”, tha Rama.
Stoltenberg tha të martën në Shkup se aleanca veri-atlantike do të bëjë gjithçka për të parandaluar ndonjë përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, apo kërcënim ushtarak ndaj ndonjë vendi anëtar të NATO-së, apo edhe të vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor.
Kreu i NATO-s përsëriti mesazhin e aleancës për Rusinë se “duhet të përmbahet nga veprimet agresive ndaj fqinjëve dhe gjithsesi t’i japë fund agresionin ndaj Ukrainës”./REL