TIRANË - Të pafuqishëm përballë kostove të larta, fermerë dhe blegtorë nga gjithë vendi protestuan këtë të martë përpara Ministrisë së Bujqësisë.
“Respekt për prodhimin vendas”, “stop importit të qumështit”, “bojkotoni ushqimin serb”, “duam naftë të subvencionuar si jahtet”, shkruhej në disa prej pankartave që mbanin në duar fermerët.
Fermerët kërkuan, rishikim të skemës kombëtare për të rritur financimin për blegtorinë dhe bujqësinë. Ata deklaruan se mbështetja e miratuar nuk është ajo që është diskutuar me ata.
“Ne kërkojmë nga qeveria shqiptare subvevencion, më shumë për fermerin për ta përballuar këtë krizë, sepse ky kolaps do të kapi fermat shqiptare të cilët janë të detyruar të ulin numrin e kafshëve dhe sasinë e prodhimeve”, tha një fermer.
Rikthim të subvencionit të naftës ishte kërkesa tjetër, në kushtet kur çmimi i karburanteve vetëm po rritet ndikuar prej luftës në Lindjen e Mesme.
“Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët siç jepet për jahtet ose të bëjë një rregullim qeveria shqiptare për taksën e qarkullimit”, shtoi fermeri.
Financimi thonë fermerë e blegtorë duhet shtuar edhe si përgjigje për shtrenjtimin e plehrave kimike.
“Ne na shtohen çdo ditë kostot nga plehrat kimikë dhe nafta”, tha një tjetër.
Për të mbrojtur prodhimin vendas, më shumë kontroll duhet për qumështin që vjen nga rajoni.
“Blegtorët në botë dhe rajon janë 4 herë më shumë të subvencionuar se ne. Ne po falimentojmë sot dhe nuk i konkurrojmë dot”, theksoi një fermer.
Shpresë për gjetjen e një zgjidhje u duk takimi 2 orësh mes një përfaqësie fermerësh, ministrit të Bujqësisë dhe atij të Financave. Efekt ku futen
Por pa rezultat. Premtimet e dhëna në takim përçanë fermerët në qëndrimet e tyre.
“Do të rishikohet mundësia nga shtatori”, tha një përfaqësues që mori pjesë në takim.
Ministrat nuk pranuan të heqin akcizën për naftën dhe mundësia për rishikimin e skemës u shty për në shtator.
"Të paktën fermerëve tu hiqet akciza sa është koha e luftës",shtoi një tjetër.
Të pakënaqur, pas 4 orësh protesta e fermerëve u mbyll, për t’u përshkallëzuar në vijim, jo më vetëm përballë institucioneve, por duke bllokuar rrugët e vendit.
“Ne do të dyndemi drejt rrugëve dhe shesheve të Tiranës bashkë me traktorët tanë”, tha një fermer.
Me skemën e re qeveria mbështet me 12 mijë lekë çdo krerë lope për tufa jo më të vogla se 5 bagëti, por është hequr mbështetja për viçat. Në skemë është parashikuar financim 1500 lekë për të imtat për tufa jo më të vogla se 50 krerë dhe për herë të parë financimi për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, jepet 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere.
Skema Kombëtare për vitin 2026 është në vlerën 5.2 miliardë lekë, nga 4.4 miliardë lekë vitin e kaluar.

Fermerët protestuan këtë të martë përpara Ministrisë së Bujqësisë duke kundërshtuar Skemën e re Kombëtare për Bujqësinë. Një ndër kërkesat e tyre ishte rikthimi në Skemë i subvencionit të naftës, në kushtet kur çmimi i karburanteve vetëm po rritet ndikuar prej luftës në Lindjen e Mesme.
Fermerët sjellin si shembull jahtet që furnizohen me naftë në portet shqiptare për shkak se ata nuk tatohen si konsumatorët brenda vendit. Në vitin 2021 qeveria propozoi që për herë të parë nafta për "mjetet lundruese turistike" të taksohej me 65 lekë për litër. Pas shumë diskutimeve në komisionet parlamentare aso kohë u vendos që taksa të ulej në 40 lekë për litër.
Pra jahtet furnizohen me naftë që përbëhet nga çmimi real i karburantit plus taksa prej 40 lekë/litri. Kjo tarifë është në fuqi prej vitit 2022, dhe është pjesë e ligjit "Për taksat kombëtare". Pra jahtet nuk paguajnë as akcizë, as TVSH dhe as tarifa të tjera, veç kësaj tarifë prej 40 lekësh.
Ndërsa sot në tregun shqiptar, taksat përbëjnë me shumë se 50% është taksa. Nëse marrim si shembull blerjen e një litër naftë me çmim 220 lekë, brenda tij 112.8 lekë janë taksa, 38.8 lekë akciza, 27 lekë taksa e qarkullimit, 3 lekë taksë karboni dhe në fund 20% TVSH.

Foto: Petrit Malaj dhe Andis Salla
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me Ministrin e Financave, Petrit Malaj, pritën sot në një takim në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural një përfaqësi prej 15 fermerësh, pjesë e protestës së organizuar ditën e sotme, për të dëgjuar dhe diskutuar nga afër shqetësimet, sfidat konkrete në terren dhe çështjet që lidhen me sektorin.
Gjatë diskutimeve, përfaqësuesit e sektorit të blegtorisë parashtruan një sërë çështjesh që lidhen me subvencionimin, funksionimin e tregut, konkurrencën dhe standardet e produkteve, ndërsa nga ana e institucioneve u riafirmua angazhimi për ndjekjen dhe trajtimin e tyre në mënyrë të koordinuar.
Në vijim, Ministri Salla bëri dije se përmes Skemës Kombëtare të këtij viti, e hartuar në bazë të nevojave të terrenit, blegtorët përfitojnë mbështetje të shtuar, duke përfshirë rritjen e pagesave direkte:
Nga 10,000 në 12,000 lekë për lopët
Nga 1,200 në 1,500 lekë për të imtat
Nga 1,000 në 2,000 lekë për koshere bletësh.
Përfshihet për herë të parë mbështetja për derrin dhe përgjysmohen pragjet e poshtme të përfitimit:
5 krerë lopë
50 krerë të imta
25 koshere.
Sa i përket mbështetjes financiare, Ministri Salla theksoi se në vitin 2025 vlera totale e përfituar nga pagesat direkte për blegtorinë arriti në rreth 2.5 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2026 parashikohet të rritet në rreth 4 miliardë lekë, pjesërisht përmes shtesave të fondit nga aktet normative gjatë vitit.
Gjithashtu, për herë të parë, fermerët prodhues të qumështit do të përfitojnë 10% të vlerës së faturave të shitjes, një mekanizëm mbështetës jashtë Skemës Kombëtare, që synon të nxisë formalizimin dhe të mbështesë prodhimin vendas.
Nga ana e tij, Ministri Salla siguroi se Ministria e Bujqësisë, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vijojë të mbështesë blegtorinë, duke synuar nxitjen e bashkimit të blegtorëve dhe forcimin e interesave të tyre, për më shumë fitim dhe produkte më cilësore.
Në të njëjtën linjë, Ministri Salla tha se do të intensifikohen kontrollet mbi produktet e importit në pikat e inspektimit kufitar, me fokus në garantimin e standardeve të cilësisë, korrektësinë e etiketimit dhe verifikimin e origjinës së produkteve.
Po ashtu, gjatë muajit korrik do të nisë mbështetja për forcimin e kapaciteteve laboratorike, si në nivel rajonal, ashtu edhe në pikat e inspektimit kufitar, në funksion të rritjes së standardeve të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Një përfaqësi prej 10 personash mori pjesë 2 orë në takimin me ministrin Andis Salla dhe Petrit Malaj, pas protestës kundër skemës së re të bujqësisë. Pas takimit, fermerët thanë se kanë rënë dakord për rishikim të skemës në shtator. Fermerët thanë se ministri u ka thënë s’la naftë pa taksa, por do ta blejnë me akcizë me 20% më të ulët. Në takim, ministri i Financave nuk ka pranuar të hiqet akciza plotësisht.
Por, një pjesë e fermerëve dhe blegtorëve kanë kundërshtuar dakordësinë e arritur dhe u përfshinë në përplasje verbale jashtë ministrisë së Bujqësisë.
Rritja e çmimeve po godet veçanërisht shtresat në nevojë, tha kreu i PD-së Sali Berisha, duke kërkuar kompensim për ta, dhe ulje të taksave mbi naftën.
Nga selia blu ai komentoi edhe protestën e fermerëve para Ministrisë së Bujqësisë, të cilëve iu hoq nafta pa akcizë, duke thënë se për ta, nafta duhet të jetë pa asnjë taksë.
“Asgjë nuk shënon heqja e akcizës për fermerët. Për fermerët duhet përgjysmim i ngarkesës fiskale dhe heqja e akcizës. Nafta duhet t’u jepet atyre pa asnjë lloj takse dhe kjo nuk po ndodh. Ndaj dhe fermerët janë të pashpresë. Shpresa e vetme dhe rruga e vetme e fermerëve është protesta me të gjitha mjetet më datën 17 prill në Tiranë dhe më pas bllokimi i rrugëve, i shesheve të vendit në mënyrë që qeveria të marrë ndëshkimin që meriton”, tha Berisha.
Fermerët e konsiderojnë tallje nga ana e Ministrisë së Bujqësisë skemën e re kombëtare për bujqësinë dhe blegtorinë. Ata kërkojnë subvencione për naftën ndërsa thonë se janë të mbytur nga produktet që vijnë nga importi.
“Protestojmë për subvencionet, për të drejta të barabarta. Ne na mbyt Serbia se ka subvencione 10 fish, ka naftën e bujqësisë më lirë. Ne naftën bujqësisë, aty ku e mbush kryeministri, furnizohen dhe zetorët. Naftën nuk e kemi përfituar sepse Shteti e di shumë mirë se këto fermerë që kanë ngelur në Shqipëri, tokat me qira i kemi. Na ka vënë kusht të gjejmë tapinë. Ai që është në emigrim nuk e jep se thotë kam frikë se më merr tokën. Unë me 400-600 dynym tokë, kam marrë vjet 600 mijë lekë naftë. Tani e hoqën dhe atë. Skema tani është mashtrim, është për të na hedhur hi syve. Unë 250 mijë lekë në ditë të dalë zetori në punë për të punuar 8 orë. Nëse shteti nuk merr përgjegjësi ne do të organizohemi nga Shkodra deri në Vlorë, u bëj thirrje dhe qytetarëve, a u leverdis atyre të blejnë qumështin e Serbisë?”
“Ne jemi fermerë në Myzeqe. S’kemi ujë për vaditje. Nuk ka ujë në zonën e Tërbufit, ka 35 vite. Çdo gjë e bëjmë me puse. Çfarë skeme është ajo, ajo është për tu tallur. Shoku im ka më shumë se unë tokë. Çfarë do bëjë ai me 230 mijë lekë? Të falimentojë? Asnjë lloj subvencioni nuk kemi.”
“1 mijë lekë qumështi i deles, 5 qind lekë qumështi i lopë. Të paktën ta shisnin 150 lekë dhe të na ulin naftën për traktorët”, thanë disa prej fermerëve.

Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj politikave aktuale të subvencioneve në bujqësi, duke i cilësuar ato të pamjaftueshme dhe diskriminuese për fermerët e vegjël. Ai kritikoi kriterin prej mbi 3 hektarësh për përfitimin e fondeve, si dhe kufizimet për blegtorinë sipas numrit të krerëve, duke kërkuar që mbështetja të bazohet vetëm në regjistrimin e fermave dhe tufave.
Meta denoncoi gjithashtu heqjen e subvencionit të naftës dhe rritjen e kostove për plastmasin e serave dhe plehrat kimike, të cilat sipas tij po dëmtojnë rëndë prodhimin vendas. Ai theksoi se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit si Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova në mbështetjen për bujqësinë.
Sipas tij, në mungesë të fondeve IPARD dhe me një buxhet të ulët për sektorin, bujqësia shqiptare rrezikon falimentimin. Meta bëri thirrje për rritje të menjëhershme të mbështetjes financiare, duke e lidhur zhvillimin e bujqësisë me ndalimin e shpopullimit të vendit.
Reagimi i plotë i Ilir Metës
Është e papranueshme që skemat kombëtare të subvencionit në Shqipëri të mbeten kaq të pamjaftueshme, duke vendosur pragje absurde mbi 3 hektarë si kusht për financim. Ky kriter përjashton shumicën e fermerëve të vegjël, kur në fakt kriteri i vetëm duhet të ishte identifikimi dhe regjistrimi i parcelave, pa diskriminim sipas madhësisë.
Po aq absurd është kufizimi i mbështetjes për blegtorinë sipas numrit të krerëve. Mbështetja duhet të lidhet vetëm me identifikimin dhe regjistrimin e tufës, jo me kufij numerikë pa kuptim, që nuk marrin parasysh madhësinë mesatare të fermës shqiptare.
Heqja e subvencionit të naftës në një kohë kur çmimi i saj është në maksimum historik është një goditje shumë e rëndë për serat, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke e bërë të pamundur konkurrencën. Ndërkohë, plastmasi për serat ka pësuar një rritje çmimi prej rreth 60% vetëm këtë muaj, prandaj subvencioni duhet të dyfishohet urgjentisht për të mos lejuar shkatërrimin e prodhimit intensiv.
Edhe më dramatike është situata me plehrat kimike azotike, të cilat në Shqipëri shiten 30% më shtrenjtë se në Greqi dhe Itali, duke goditur rëndë prodhimin vendas dhe duke e nxjerrë jashtë tregut. Për to nuk ka asnjë subvencion, duke e lënë fermerin shqiptar të pambrojtur përballë konkurrencës së huaj.
Në Greqi, subvencionet për blegtorinë dhe tokën janë të lidhura vetëm me regjistrimin në sistemin CAP. Nuk ka pragje absurde mbi sipërfaqe; çdo hektar i regjistruar merr mbështetje. Për më tepër, plehrat kimike dhe inputet bujqësore kanë TVSH të reduktuar (13%).
Në Maqedoninë e Veriut, subvencionet jepen për çdo parcelë të regjistruar dhe për çdo tufë të identifikuar. TVSH për produktet bujqësore bazë është vetëm 5%, duke ulur ndjeshëm kostot e prodhimit.
Në Kosovë, skemat e pagesave direkte mbështesin çdo fermë të regjistruar, pa pragje diskriminuese. TVSH për ushqimet bazë është 8%, duke e bërë prodhimin më të përballueshëm.
Në kushtet kur fondet IPARD janë ndërprerë për të tretin vit radhazi, buxheti i bujqësisë në Shqipëri nuk mund të mbetet në nivelet aktuale.
Vetëm për të ndaluar degradimin e sektorit, ai duhet të ishte të paktën trefish më i lartë. Ndryshe, me vetëdije Shqipëria do të mbetet shumë prapa fqinjëve të saj, duke varfëruar qëllimisht fermerin dhe duke e falimentuar këtë sektor jetik, me pasoja shkatërrimtare për prodhimin vendas.
Vetëm duke mbështetur bujqësinë, ndalim shpopullimin!
Komente











Po pse sia futi ndonje naj shpulle atij ministrit qe thote ne shtator do piqen fiqte
PërgjigjuCdo fermer mire do ishte te kishte dhe 1 yacht keshtu blen nafte lire dhe e perdor cfare tepron nga Jahti qe ka e perdor per zetor apo traktor dhe keshtu behet milioner
PërgjigjuProteste me se e drejte dhe duhet mbeshtetur . Pse te favorizohen pasaniket qe e perdorin naften per qejf, dhe jo bujqit qe e perdorin per mbijetese ne treg.?
PërgjigjuSKEMA RISHIKOHET NË SHTATOR....hajde ministra hajde....kësaj i thonë PRIT GOMAR TË MBI BAR BARI DOLI GOMARI NGARDHI... A u ftofshi në b*thë......
PërgjigjuTe drejte kane per jahtet.
PërgjigjuKjo eshte e psmundur vetem nese ju siguroni tregun per sasine dhe cmimin.
Përgjigju