Skema kombëtare e mbështetjes së fermerëve prej 5.2 miliardë lekë, vjen me një sërë ndryshimesh. Zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari sqaron në emisionin "Portofol" në Report TV, se skema e re ka më shumë financim për fermerët.
“Në 2025-ën skema kishte 4.4 miliardë lekë në 2026-ën ka shkuar 5.2 miliardë, që do të thotë që 0.8 miliard lekë janë më shumë. Do të thotë që do t'u jepet më shumë para fermerëve", thotë Jaupllari.
Blegtoria merr në shumë financim, ndërsa fermerëve do t'u mungojnë aplikimet për naftën pa taksa pas 5 vitesh në fuqi. Jaupllari sqaron se vendimi për të hequr naftën i mor pasi është gjykuar që do të mbulohet me kompensimin e faturave me 10%, që fermerët do të marrin nga subjektet grumbulluese apo agroturizmat.
“Në qoftë se gjerë dje ne jepnim para për të subvencionuar naftën, sot nuk kemi vetëm një, por kemi katër masa dhe masa kryesore. Tashmë ju është bërë e ditur fermerëve ky 10% që ata do shesin tek subjektet me TVSH, do të marrin 10% të faturës kompensim mbrapsht. Tek kompensimi 10% hyn inputet, nafta dhe plehrat dhe të gjitha", thotë zëvendësministri.
Numri maksimal i përfituesve nga nafta ka qenë 54 mijë në vitin 2024, ndërsa buxheti i shpenzuar për këtë skemë 5 vjeçare mbi 87 milionë euro.

Zëvendësministri bën thirrje që fermerët të shkojnë vetëm në subjekte që kanë xhiro mbi 100 mijë euro në vit, në mënyrë që fatura që ata marrin prej tyre të përdoret për kompensim.
"Një fermer që do bëjë 100 kuintalë kastravecë edhe do t'i çojë në një subjekt me TVSH, do marrë 10% mbrapsht. Por subjekti duhet të jetë me TVSH, jo te subjektet e tjera te marketi i lagjes, te një baxho e cila nuk ka TVSH, edhe pse mund të lëshojë faturë nuk do tu njihet", thotë Jaupllari.
Zëvendësministri sqaron që këtë vit do të synohet që aplikimi të bëhet fizikisht nga fermerët.
" Ne skemën duhet aplikimet do jenë online por do ngulmojmë që aplikimet të bëhen te AREB-et tona sepse marrin informacionin më të qartë, do t'i ndihmojnë më shumë ata, por do të angazhojmë të gjitha bashkitë që t'i sjellin fermerët aty dhe t'i ndihmojnë, se nganjëherë e humbin për diçka të vogël. Janë me mijëra që janë eliminuar nga skema për një copë letër që s'kanë bërë si duhet", sqaron ai.
Jaupllari thotë se aplikimet nisin pas 20 prillit.
“Pas datës 20 prill, mund të hapen, në varësi se kur firmoset udhëzimi dhe po, jemi pak si vonë, për shkak të konsultimeve në terren”, tha Jaupllari.
Me skemën e re qeveria mbështet me 10 mijë lekë çdo krerë lope për tufa jo më të vogla se 5 bagëti, dhe jep 1500 lekë për të imtat për tufa jo më të vogla se 50 krerë. Për herë të parë financimi për dosat në 7 mijë lekë për krerë, kush ka tufë jo më pak se 5 krerë. Kurse për bletarinë, jepet 20 mijë lekë për zgjua, për ferma me jo më pak se 25 koshere.
.jpeg)
Ndër të tjera Jaupllari njofton se skema e investimeve do të rihapet përsëri në qershor.
“Por skema nuk mbaron këtu sepse ne mund të kemi një thirrje përsëri edhe të skemës investimeve që do jetë ndoshta gjashtë mujorin e dytë pas qershorit një hapje të thirrjes së re dhe në këtë skemë të investimeve kur numri i atyre që do aplikojnë dhe masave që ne kemi parashikuar është shumë më nxitëse dhe shumë atraktive për t'i lejuar fermerët që të futen sa më shumë veta në skemë”, shprehet zëvendësministri.
Zëvendësministri i Bujqësisë, Arian Jaupllari, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Portofol” në Report Tv, për të promovuar dhe prezantuar Skemën e re Kombëtare për mbështetjen e fermerëve.
Pavarësisht risive dhe përmirësimit të Skemës, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli tha se ende fermerët nuk po përkrahen në masën e nevojshme nga shteti. Sipas tij, Shqipëria është ndër vendet më të prapambetura në rajon për mbështetjen e fermerëve.
Për shkak të këtyre opinioneve, sksperti Çoçoli dhe zëvendësministri Jaupllari patën një përplasje të fortë gjatë emisionit.
Menjëherë pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, në Shqipëri përveçse i shtrenjtua nafta, u rrit me deri 40% edhe çmimi i plehrave kimike që përdoren nga fermerët në të mbjellat e tyre.
Brenda një muaji, ureja dhe nitrati janë shtrenjtuar me 1400 lekë për kuintal, ndersa DAP-i me 1100 lekë për kuintal.
Pak ditë më parë Report Tv përmes një vezhgimi tregoi se ureja nga 5400 lekë për kuintal ka shkuar në 6800 lekë, DAP-i nga 8500 në 9600 lekë për kuintal, ndërsa nitrati nga 4400 në 5800 lekë për kuintal.
Për fermerët ky shtrenjtim ndikon në uljen e prodhimit pasi nuk do mund t'i përballojnë këto kosto të rritura.
Autoriteti i Konkurrencës konfirmon zyrtarisht për Report Tv se ka nisur monitorimin e operatorëve në tregun e shitjes së plehrave kimike, për rritjen e çmimit të tyr, vetëm pak ditë pasi nisi lufta në Lindjen e Mesme. Autoriteti i Konkurrencës sqaron se ende nuk mund të flitet për rezultate, pasi monitorimi ka vetëm pak ditë që ka nisur.
Por këtë sektor po e mban në monitorim për të ndërhyre edhe qeveria.
"Edhe ministria po shikon këtë aspekt, por jemi në bashkëpunim me Bordin e Transparencës",- tha Jaupllari.
Qeveria ka deklaruar se fermerët do të dëmshpërblehen për përmbytjet e fundit dhe se po punohet për të bërë një bilanc për dëmet.
Zëvendësministri zbulon në report tv se dëmshpërblimi nuk do të jetë 100%, por kulturat që kanë më shumë humbje do marrin më shumë para.
“Janë duke bërë llogaritë e dëmeve. Jo dëmshpërblim 100% por sipas masave të dëmtimeve, pra ajo kulturë që është dëmtuar më shumë, ajo do marrë më shumë”, tha Jaupllari
Akuzave se bujqesisa mbetet e nënfinancuar, dhe nuk po ngre 'krye' nga kriza disavjeçare zëvendësministri i përgjigjet duke thënë se vetëm këtë vit parashikohet që për fermerët do marrin 80 milionë euro.
"Kjo skemë e kompensimit kemi përllogaritur që mund të shkojë deri në 30 milionë dollarë. Kështu nga 5.2 miliardë lekë do shkojnë fondet për fermerët në 8.2 miliardë lekë", sqaron Jaupllari.
Sipas tij me financimin aktual, fermerët mund të konkurrojnë edhe rajonin.
“Ne nuk po themi se fermeri jonë është i super mbuluar dhe bujqësia s'ka nevojë me për para, pasi ka shumë. Por po të krahasojmë me rajonin se gjithmonë fillojmë të krahasojmë me Kosovën ka 80 milionë. A ka ndonjë kanal Kosova? Fare zero fare. Ne edhe ujitim edhe kullimin sepse kështu jemi ndërtuar", thotë Jaupllari.
Fondet e IPARD duket se do jenë zgjidhje për fuqizimin e sektorit.
"Më shumë do ketë kur ne të përfitojmë jo vetëm nga buxheti i shtetit por dhe nga skemat e Bashkimit Evropian", thotë Jaupllari.
Brenda datës 9 prill Ministria duhet të plotësojë detyrat e lëna nga Brukseli për të vijuar me pas me kërkesën për zhbllokimin e IPARD III, i bllokuar prej 2023-shit prej abuzimeve me IPARD II.
Përmes skemës së re do t'u jepen 10 mijë lekë për hektarë për sipërfaqe të mbjellë me kultura bujqësore, por me kusht që sipërfaqja totale, për të cilën aplikohet, duhet të jetë jo më pak se 3 ha. Kushti tjetër që vitin që vjen do t'i përballë fermerët edhe me gjoba është trajtimi i mbetjeve bujqësore që mbeten, për t'i kthyer në pleh.
"Ne do të japim përsëri mbështetje për sipërfaqen e tokës, por duhet të kemi parasysh që këtë vit nuk do kemi penalitet por vitin tjetër penalitet do vendosen për të edukuar fermerin që nesër në qoftë se ti këtë tokën që ke mbjellë, ato kashtat që mbeten, jo t'i djegësh atje, po t'i marrësh dhe t'i futësh në një gropë dhe t'i bësh pleh, dhe në qoftë se ti nuk e bën këtë gjë, pra do të japim para me kushte dhe do t'u japim ata që kanë mbi 3 hektarë.
Gazetarja: Domethënë kush ka më pak s'përfiton.
Jo, nuk përfiton", sqaron zëvendësministri.
Jaupllari sqaron, se aq kaq para nuk janë mjaftueshëm për bujqësinë.
“Kërkesat e fermerëve janë gjithmonë rritja. Po, bujqësia do para shumë, por investimet në bujqësi kanë ardhur gjithmonë në rritje. Patjetër që u reflektuan kërkesat bazë të edhe ato mundësi që ata kishin për të thënë që ja ju keni gabuar këtu apo atje në këtë skemë përsëri, dhe ato janë reflektuar dhe ne sot kemi një qasje tjetër të një skemë”, thotë Jaupllari.
Komente










