Shoqata “Blegtorët Prodhues të Qumështit” janë mbledhur përpara Ministrisë së Bujqësisë për të protestuar për skemën kombëtare 2026. Ministri Andis Salla sapo ka mbërritur dhe ka kërkuar të zgjedhin një përfaqësi prej 10 personash për të zhvilluar një takim me të e ministrin e Financave, Petrit Malaj. 

Disa nga pankartat e tyre mbajnë thirrje si “Stop importit të qumështit”, “Formalizoni tregun e bulmetit”, “Bojkotoni firmat serbe” etj.

Ankesa kryesore është në raport me skemën kombëtare të bujqësisë.

“Skema nuk na mbështet, kostot janë të larta. Skema 2026 nuk ishte ajo që u diskutua me ne. Të na subvencionohet nafta. Të rritet mbështetja për blegtorinë, të bllokohet importi që na konkurron”, është thirrja e tyre.

Subvencionimi është një nga kërkesat e tyre më të shprehura. Sipas tyre, në një takim u është premtuar subvencion më i lartë, por kjo s’është realizuar ndërsa është hequr edhe nafta pa taksa.

“Kërkojmë subvencione si gjithë rajoni. Kemi 7-8 herë më pak subvencione sesa rajoni. Me kë duhet të konkurrojmë ne? Kërkojmë naftë pa taksa për fermerët ose të bëjë një rregullim qeveria për taksën e qarkullimit”, thonë ata duke kërkuar edhe një laborator për sigurinë e produkteve.

Aktualisht ky sektor po përballet me vështirësi për shkak të rritjes së çmimit të naftës.

Nuk prodhohet asgjë në këtë vend me 230 lekë/naftë”, u shpreh një nga fermerët.

“Ne kemi fikur traktorët sepse nuk e mbulojmë dot naftën. Jemi në pikë të hallit. S’kemi ardhur për qejf, as për të bërë shfaqje, as për militantë të partisë”, thonë fermerët. “Duam naftë pa taksa!”

Thirrja e tyre është për kostot e ushqimit të bagëtive, karburantin, shpenzimet bazë dhe pamjaftueshmërinë e mbështetjes nga shteti.

Gjithashtu ata rendisin informalitetin dhe TVSH-në e pabarabartë si faktorë që krijojnë vështirësi për fermerët shqiptarë.

“Qeveria të ngrejë një bord për produktet e shportës sepse nuk arrijmë dot të konkurrojmë fermerin evropian ose të rajonit”, thanë fermerët.

Në rast se kërkesat e tyre nuk respektohen, fermerët thonë se reagimi i tyre do të përshkallëzojë.

“Do të dyndemi në rrugët e Tiranës me mjetet e traktorët tanë, bashkë me lopët”, thonë ata.

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:43
Meta: Buxheti i ulët, mungesa e fondeve IPARD dhe politikat kufizuese po lënë bujqësinë shqiptare shumë pas vendeve të rajonit

Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj politikave aktuale të subvencioneve në bujqësi, duke i cilësuar ato të pamjaftueshme dhe diskriminuese për fermerët e vegjël. Ai kritikoi kriterin prej mbi 3 hektarësh për përfitimin e fondeve, si dhe kufizimet për blegtorinë sipas numrit të krerëve, duke kërkuar që mbështetja të bazohet vetëm në regjistrimin e fermave dhe tufave.

Meta denoncoi gjithashtu heqjen e subvencionit të naftës dhe rritjen e kostove për plastmasin e serave dhe plehrat kimike, të cilat sipas tij po dëmtojnë rëndë prodhimin vendas. Ai theksoi se Shqipëria mbetet pas vendeve të rajonit si Greqia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova në mbështetjen për bujqësinë.

Sipas tij, në mungesë të fondeve IPARD dhe me një buxhet të ulët për sektorin, bujqësia shqiptare rrezikon falimentimin. Meta bëri thirrje për rritje të menjëhershme të mbështetjes financiare, duke e lidhur zhvillimin e bujqësisë me ndalimin e shpopullimit të vendit.

Reagimi i plotë i Ilir Metës

Është e papranueshme që skemat kombëtare të subvencionit në Shqipëri të mbeten kaq të pamjaftueshme, duke vendosur pragje absurde mbi 3 hektarë si kusht për financim. Ky kriter përjashton shumicën e fermerëve të vegjël, kur në fakt kriteri i vetëm duhet të ishte identifikimi dhe regjistrimi i parcelave, pa diskriminim sipas madhësisë. 

Po aq absurd është kufizimi i mbështetjes për blegtorinë sipas numrit të krerëve. Mbështetja duhet të lidhet vetëm me identifikimin dhe regjistrimin e tufës, jo me kufij numerikë pa kuptim, që nuk marrin parasysh madhësinë mesatare të fermës shqiptare. 

Heqja e subvencionit të naftës në një kohë kur çmimi i saj është në maksimum historik është një goditje shumë e rëndë për serat, duke rritur kostot e prodhimit dhe duke e bërë të pamundur konkurrencën. Ndërkohë, plastmasi për serat ka pësuar një rritje çmimi prej rreth 60% vetëm këtë muaj, prandaj subvencioni duhet të dyfishohet urgjentisht për të mos lejuar shkatërrimin e prodhimit intensiv. 

Edhe më dramatike është situata me plehrat kimike azotike, të cilat në Shqipëri shiten 30% më shtrenjtë se në Greqi dhe Itali, duke goditur rëndë prodhimin vendas dhe duke e nxjerrë jashtë tregut. Për to nuk ka asnjë subvencion, duke e lënë fermerin shqiptar të pambrojtur përballë konkurrencës së huaj.

Në Greqi, subvencionet për blegtorinë dhe tokën janë të lidhura vetëm me regjistrimin në sistemin CAP. Nuk ka pragje absurde mbi sipërfaqe; çdo hektar i regjistruar merr mbështetje. Për më tepër, plehrat kimike dhe inputet bujqësore kanë TVSH të reduktuar (13%). 

Në Maqedoninë e Veriut, subvencionet jepen për çdo parcelë të regjistruar dhe për çdo tufë të identifikuar. TVSH për produktet bujqësore bazë është vetëm 5%, duke ulur ndjeshëm kostot e prodhimit. 

Në Kosovë, skemat e pagesave direkte mbështesin çdo fermë të regjistruar, pa pragje diskriminuese. TVSH për ushqimet bazë është 8%, duke e bërë prodhimin më të përballueshëm. 

Në kushtet kur fondet IPARD janë ndërprerë për të tretin vit radhazi, buxheti i bujqësisë në Shqipëri nuk mund të mbetet në nivelet aktuale.

Vetëm për të ndaluar degradimin e sektorit, ai duhet të ishte të paktën trefish më i lartë. Ndryshe, me vetëdije Shqipëria do të mbetet shumë prapa fqinjëve të saj, duke varfëruar qëllimisht fermerin dhe duke e falimentuar këtë sektor jetik, me pasoja shkatërrimtare për prodhimin vendas.

Vetëm duke mbështetur bujqësinë, ndalim shpopullimin!