Stop photoshopi-t, të parat që e
refuzuan Magjistari dhe Andrea

Një fotografi flet sa 100 fjalë, dhe ajo mund të të bëjë të dukesh dhe 10 vjet më e re. E kujt nuk do ti pëlqente një fytyrë e bukur, e lëmuar dhe pa rrudha? Nëse këtë nuk e bën dot me botoks, me operacione plastike, shumë mirë mund ta bësh në photoshop. Pikërisht një debat mbi përdorimin po ose jo të Photoshopit , e trajtoi të premten edhe kryeredaktorja e Revistës Madame Mapo, Iva Tiço, në faqen e saj zyrtare në rrjetin social Facebook. Tiço ka ironizuar të gjitha ata ‘Vipa’ që e kanë quajtur si jo cilësore Revistën që ajo drejton, pasi nuk fsheh rrudhat apo shenjat e fytyrës së tyre.
Nga komentet e shumta në facebook, vëmë re që shqetësimit të kryeredaktores Tiço i janë bashkuar shumë njerëz (të njohur dhe të panjohur), të cilët janë shprehur kundër përdorimit të photoshopit. Në një intervistë për suplementin THASH & THEM Iva Tiço tregon se janë të shumtë edhe personat publikë që nuk i duan fotografitë e tyre të rregulluara me Photoshop. Ajo rendit disa emra si prezantuesja Rudina Magjistari, aktorja Ema Andrea, etj, ndërsa e cilëson Photoshopin si një modë që ndoshta po i vjen fundi.

Si kryeredaktore e revistës Madame Mapo, si e shikoni përdorimin e shumtë e photoshopit në revistat apo gazetat roze?

Dikur kam qenë nga ato të magjepsurat pas photoshopi-it. Mbaj mend të parat fotografi të tilla, të punuara në photoshop, në kohën kur në Shqipëri fotografitë bëheshin në film, stampoheshin e pastaj skanoheshin... Rreth dhjetë vjet më parë erdhën të parat fotografi të bëra në Amerikë nga Fadil Berisha, që ishin kaq ndryshe nga kopertinat e revistave që bëheshin këtu. Jo vetëm prej mjeshtërisë së fotografit, por edhe prej rregullimit në photoshop, lëkurë që shkëlqente, rrudha që nuk ekzistonin, fytyura perfekte. Ndër të parat foto të tilla mbaj mend të Vera Grabockës, një fotografi që ajo e përdor ende sot e kësaj dite nëpër intervista në shtyp... Pastaj me kalimin e viteve edhe në revistat shqiptare filloi që të përhapej moda e rregullimit të fotografive. Nuk mund të them se është i gabuar përdorimi, pasi në të gjitha revistat në botë përdoret. Por kur ekzagjerohet, rezultati është thjesht qesharak. Sepse të tilla fotografi më kujtojnë një shprehje që përdorej dikur – “mos e shiko kështu se nuk duket gjë, ta shohësh në fotografi sa e mirë është!”

Këtë debat e kishit komentuar në rrjetin social facebook, në një status që tërhoqi shumë vëmendjen edhe për një nismë të titulluar “e dua surratin tim ashtu siç është” ?


Ishte një përgjigje ironike në fakt ndaj atyre komenteve. Por më erdhi mirë që shumë zonja iu bashkuan menjëherë “lëvizjes”, duke e bërë debatin edhe më të gjerë sesa thjesht manipulimi i fotografive, por edhe për botox-in, fillesat dhe gjithë teknikat e sotme të elenminimit të rrudhave... Para disa kohësh revista ELLE France në një speciale kishte mbledhur më të bukurat e ekranit dhe i kishte fotografuar pa photoshop dhe pa make up. Duke u dhënë grave një mesazh të qartë, se edhe yjet e kopertinave jenë njerëz të vdekshëm si ato. Edhe me rrudha dhe me papërsosmëri në fytyrë.

Sa profesional është përdorimi i photoshopit?

Ky është një debat ku unë nuk mund të kthej një përgjigje profesionale, sepse unë nuk jam fotografe. Nga përvoja që kam në drejtimin e revistave, ku shoh sete të ndryshëm fotografikë, të punuar apo të paprekur në photoshop, di vetëm të them se fotografët e vërtetë, ata që dinë të punojnë me dritën, sjellin fotografi që nuk ke pse t’i prekësh. Në gjithë revistat e huaja që shfletoj, e shoh se fotografët e mëdhenj nuk kanë si rezultat fy tyra si prej alabastre apo shkëlqim dylli dhe pa rrudhat e mimikës. Çfarëdolloj teknike që përdorin, nuk e ndryshojnë personalitetin e të fotografuarit. Krejt ndryshe nga shumë prej revistave shqiptare, kur ka raste që po nuk lexove emrin e personazhit nuk e kupton menjëherë se kush është.

Kush është ajo kategori vipash që e duan fotografi ‘me fytyrë të patinuar’?

Nuk është se është zgjedhje vetëm e VIP-ave kjo, është dhe e fotografëve... Ka fotografë që nuk i sjellin kurrë fotot të papunuara në redaksi, për zgjedhjen e tyre apo sepse ua kërkon personazhi i radhës... Shumica do donin fotografi ku duken sa më të bukura, sa më të reja, rrjedhimisht sa më të rregulluara.

Sa e aplikoni ju në revistën tuaj?

Dikur kur punoja në revistën JETA, kur fotografitë vinin të gatshme nga Fadil Berisha dhe më pas nga fotografë dishepuj të tij, e kam praktikuar në çdo kopertinë. Por si çdo mode, edhe kësaj ndoshta po i vjen fundi. Madje janë vetë personazhet VIP që po kërkojnë të mos tjetërsohen me fotografi të manipuluara. E para ndër ta mbaj mend të ketë qenë Rudina Magjistari, që pasi i treguam fotografitë ku e kishim holluar pak kërkoi që t’i linim fotografitë siç ishin. Apo së fundmi Ema Andrea, ku e para dhe e fundit kërkesë ishte “mos më hiqni rrudhat që më krijohen kur qesh se pastaj nuk jam më unë”. Në përgjithësi kopertinat tona nuk kanë pasur pamje kukullash porcelani: kopertina që është tashmë në treg, me producentin Holta Dulaku u komentua pikërisht për këtë – pse nuk ishte punuar në photoshop.

E komentoi producentja Dulaku?
Absolutisht jo. Por siç ndodh zakonisht, e bënë të tjerët rreth e rrotull. Sigurisht që nuk na kushtonte gjë për pesë minuta në photoshop, të zhduknim çdo rrudhë që krijohet kur njeriu qesh me gjithë shpirt... Por ajo nuk do ishte me buzëqeshja e Holta Dulakut. Pse duhet ta bënim këtë? Ajo është një kopertinë ku zonja 37 vjeçare flet për fillimin e “Dancing ëith the Stars”. Pse duhej ta kthenim në një kukull prej dylli?

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Përpjekjet për të justifikuar 'marrëveshjen' që shuajti revolucionin