TIRANE - Një denoncim i ardhur vetëm një ditë pas hapjes së portalit online stopkorrupsionit.al nga stafi pedagogjik, ka çuar në pezullimin e drejtoreshës së shkollës 9-vjeçare publike “Dhora Leka” në Tiranë. 

Denoncimi i drejtoreshës u bë nga mësuesit në portalin që u prezantua të hënën nga qeveria për të luftuar korrupsionin në administratë, duke shënuar rezultatin e parë të denoncimit online.

 
Një ditë pas denoncimit, vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla me një grup specialistësh shkoi për inspektim në shkollën në fjalë nga ku u mor vendimi për pezullimin e drejtoreshës Mira Brahimi.
 
Gjatë mbledhjes së komisionit të Medias, ministrja Nikolla tha se vendimi ndaj drejtoreshës ishte për “mungesë etike”. Sipas burimeve nga ministria e Arsimit, drejtoresha ishte denoncuar per keqmenaxhimin e shkolles.

“Ju bej me dije se denoncimi ka filluar që ditën e hënë për një mënyrë jo korrekte administrimi dhe mungesë etikës në një komunitet shkollor në Tiranë. Unë iu përgjigja, dhe para se të vija këtu (në Komisionin e Medias) isha në atë shkollë. Pra ne jemi të vendosur jo vetëm një një sistem të shëndetshëm dhe të mbrojtur, por për të treguar me gisht edhe fytyrën e korruptuar në sistemin arsimor”, theksoi Nikolla.
 
Edhe kreu i qeverisë ka falënderuar mësuesit e shkollës të cilët denoncuan drejtoreshën.

“Faleminderit mësuesve të shkollës "Dhora Leka" që dje denoncuan drejtoren. Sot ministrja Nikolla bëri verifikimin në vend dhe e largoi atë nga detyra!”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.
 
 Platforma kundër korrupsionit Rama: Keni në dorë një armë

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)