TIRANE- Foto Strakosha përveç se është trajneri i ekipit kombëtar të futbollit U-19 është edhe një nga legjendat që ka mbrojtur portën e ekipit kuqezi për shumë vite, madje ka qenë edhe kapiten. Pas largimit të Strakoshës nga ekipi përfaqësues dhe brezit të tij, kombëtarja po kalon një moment jo shumë të këndshëm me krijimin e harmonisë së brezave. Një gjë e tillë theksohet edhe nga Strakosha që deklaron se ekipi kombëtar është në një moment tranzicioni.

Strakosha, cili është mendimi juaj për ekipin kombëtar?
Për të gjykuar ecurinë e kombëtares nuk do të nisem nga paraqitja me Gjeorgjinë, pasi ishte një ndeshje miqësore. Mendoj që në dispozicion kemi një grup cilësor, por që po kalon një periudhë tranzicioni. Do pak kohë që të krijohet harmonia brenda grupit për të pretendojmë për rezultate.

Sa besim keni që mund të kualifikohemi në botërorin e Brazilit?

Dëshira është shumë e madhe që të kualifikohemi, por mendoj që duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi është shumë e vështirë. Duhet edhe pak kohë që të pretendojmë, më parë të kalojmë periudhën e tranzicionit.

Ndeshja e radhës është përballë Norvegjisë, mes Ujkanit dhe Berishës kë do zgjidhnit në portë?
Kjo është një pyetje shumë e vështirë, vendimi për këtë i takon trajnerit. Unë mendoj që të dy janë shumë të talentuar. Ujkani luan në një nga kampionatet më të mira botë, ndërsa Berisha është ndër më të kërkuarit në merkato. Jemi me fat që kemi dy mundësi zgjedhje. Ndeshja do jetë e vështirë, por shpresojmë në një rezultat pozitiv, dëmtimi i Kukelit na penalizon shumë.

Ku çalon ekipi kombëtar dhe cili nga repartet është më lart?

Kemi janë grup me futbollistë të talentuar, por nuk kanë eksperiencë. Secili nga repartet ka nevojë për përmirësime, por uroj që futbollistët tanë në Evropë të luajë sa më shumë minuta. Në sulm kemi shumë alterantiva, mbrojtja dhe mesfusha mbeten për t'u përmirësuar. De Biasi ka bërë një punë të mirë deri tani.

Cfarë mendoni për rastin ‘Kaçe’ dhe a keni komunikuar me atë?
Nuk kam biseduar me Kaçen dhe nuk kam asnjë koment, pasi është dicka që i përket atij për të zgjedhur. Ajo që do ti thoja është që të pranojë ftesën e Shqipërisë.

Me çfarë note e vlerësoni Superligën, pasi në ekipin U-19 ka shumë pak futbollistë që luajnë në Shqipëri?

Kampionati shqiptar ka ende edhe shumë për të bërë, të rinjtë ndodhen në një moment të vështirë, pasi nuk u jepet hapësirë, ndërsa terrenet janë një problem më vetë. Në ekipet e Superiores të rinjtë numërohet me gishtat e dorës, duhet t'ju jepet më shumë besim.

Nëse do t'ju ofrohej posti i trajnerit të kombëtares a do ta pranonit?

Fillimisht dua të them që më është besuar një detyrë dhe do mundohem ta bëj sa më mirë. Drejtimi i kombëtares është kulmi i karrierës dhe një moment i vecantë për cdo trajner. Aktualisht nuk është në planet e mia, por nëse do më propozohej do ta pranoja, pasi është në synimet e mia afatgjate.