STRASBURG, 26 nëntor /ATSH-DPA/ - Parlamenti Evropian i dha çmimin "Saharov" për Lirinë e Mendimit mjekut kongolez, Denis Mukwege, duke i lavdëruar punën e tij të jashtëzakonshme me viktimat e përdhunimit në grup apo ato të dhunës seksuale.
Gjinekologu 59-vjeçar drejton një spital në Kongo që ka trajtuar mijëra viktima të përdhunimeve dhe të dhunës seksuale.
"Në vend që t'i shmangeshit dhe të kthenit kokën, ju jeni shndërruar në një burrë trim përballë dhunës së përbindshme, një njeri që kujdeset për viktimat më të neglizhuara të një lufte", deklaroi presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz.
Mukwege ka kritikuar njëherazi si dhunën seksuale ashtu edhe dështimin e drejtësisë për dënimin e autorëve të këtyre lloj krimesh.
Për këtë vendosmëri ai është kërcënuar shpesh, madje edhe me vdekje.
"Si mund të rri i qetë kur, për më tepër se 15 vjet, kemi parë gjëra që as edhe një sy kirurgu nuk mund t'i shikojë?", pyeti Mukwege anëtarët e parlamentit.
"Trupat e grave janë shndërruar në një fushëbetejë të vërtetë dhe përdhunimi përdoret tani si një armë lufte. Tani, unë po mjekoj brezin e tretë të viktimave të dhunës seksuale. Kjo është e papranueshme", theksoi mjeku kongolez.
Pretendentët e tjerë për fitimin e çmimit të njohur ishin lëvizja ukrainase e protestës "EuroMaidan" dhe aktivistja azere e të drejtave të njeriut, Leyla Yunus./ a.jor.








