Strasburgu, një dashuri e vogël europiane

Strasburgu, një dashuri e vogël europiane
Nëse do të pyesësh një parizian për Strasburgun do të thotë se e klasifikon në një qytet të vogël. Por menjëherë do të shtojë se i përkulet atij tri herë. Deri në 1995-ën, kur shkela për herë të parë në këtë qytet nuk arrija ta kuptoja dot këtë përcaktim të çuditshëm. Më pas, teksa shkelja vit pas viti në këtë qytet lindor të Francës, arrita të zbuloj magjinë e tij, sharmin dhe ngjyrat me të cilat ai mbështillet dhe kuptova përse pariziani i përkulet tri here Strasburgut “mon amour”. Strasburgu është një dashuri e vogël çka të jep mundësinë ta mbështjellësh me një dorë, pra ta vizitosh lehtësisht në një fundjavë. Vizitën duhet ta nisni nga katedralja e qytetit, një ndërtesë impozante që mori jetë rreth viteve 1439 dhe që ngrihet si një “mrekulli e madhështores dhe e delikatesës” sikundër e ka përcaktuar atë Viktor Hygo. Pak më tutje,vetëm 5 minuta me këmbë ndodhet “Petit France”, një lagje tërësisht mesjetare, me shtëpiza të vogla e rrugë të ngushta. Një hapësirë e paqtë në të cilën bie erë Alzase, pak Francë, pak Gjermani.”Petit France” është Strasburgu i vërtetë, i viteve 1300 -1400 ku ti ndjen aromën e Francës mesjetare. Që ta bësh tënden këtë pjesë të historisë mos harro të marrësh një “bateau mouch”, anije turistike me të cilën do të rrëshqasësh mbi ujërat e lumit duke dëgjuar përgjatë brigjeve të tij, se përse Strasburgu cilësohet si qyteti i rrugëve dhe i lumit, se përse ai gjendet në një ishull e për çfarë i duhen kanalet e tij të pafundme. Në një dyqan karakteristik nën këmbët e Katedrales blini një souvenir në formën e pirografisë, një katedrale në dimensione të vogla apo një qeramikë tipike alzasiane, një lejlek simboli i qytetit apo një papuçe e fshatarëve të periferisë. Nëse doni t’ia rrëmbeni maksimumin e magjisë këtij qyteti alzasian duhet ta vizitoni në fundin e majit ose gjatë gjithë qershorit sepse atëherë është simfonia e ngjyrave, e luleve dhe e një dielli që fillon të perëndojë vonë, shumë vonë duke i lënë vend një muzgut rreth orës 22 të natës. Deri atëherë do të keni mundur
të shëtisni në Kleber, sheshin historik të qytetit apo të hidheni deri në sheshin e Republikës për të shijuar ndërtesat impozante të Bashkisë, Operas apo të Pallatit të Drejtësisë. Pak minuta më tej me autobus ju mbërrini në Strasburgun europian ku gjenden ndërtesat e Këshillit të Europës e Parlamentit Europian apo Pallatit të Drejtave të Njeriut. Një kompleks marramendës arkitektonik rrotull të cilit ngrihet një pafundësi parqesh e kopshtesh. Mes tyre, më marramendësi, Parku i Orangerisë (i portokajeve), që ishte dhuratë e Perandorit Napoleon për gruan e tij Perandoreshës Jozefinë në fillim të viteve 1800. Me 26 hektarët e tij konsiderohet sot si një ndër parqet më atraktive të Francës brenda së cilit ngrihet njëzoopark, një liqen artificial, një minifermë për rritjen e pelikanëve dhe një pallat ku pushonte Jozefina. Por nuk mbaron këtu. Strasburgu edhe pse sipas konceptit të një pariziani është një qytet i vogël, që ka vend për dhjetëra muze që e bëjnë atë të jetë një kryefjalë kulturore. Nëse jeni partizanë të artit modern ndaloni disa orë në Muzeun e Arteve Bashkëkohore ku do të jeni vizitorë të veprave të krijuara që nga 1870 e deri në ditët e sotme. Dhe nëse doni të zbrisni në histori dhe në jetën e dikurshme të qytetit ndaluni pak në Muzeun Alzasian atje ku arti dhe tradita popullore nisin që nga 1700 dhe vijnë dekadë pas decade me objekte, dokumenta, foto, piktura, mobilje, gota e pjata. Por ecejakeve të lodhshme nëpër rrugë e rrugica, nëpër muze e dyqane duhet t’ja lini vendin edhe pak shplodhje me një gotë vere tipike alzasiane.
Në “Petit France” do të gjeni një braserri që daton që nga 1500 apo pak më vonë dhe do të ndjeheni ngrohtë nëse konsumoni një tarte flambé, pjata tipike e zonës, një lloj pete mbi të cilën hidhen gjithfarë ingredientësh dhe që piqet në flakë. Nuk duhen lënë pa provuar edhe pjata tipike vendase (choucroute alsacienne) lakra tave,(carpe frite), një lloj krapi i fërguar, apo e papërsëritshmja “foie gras” mëlçi e patës me të cilën mund të lyesh varietet e bukëve alzasiane. Përtej mureve të shekullit të kaluar mund të gjeni restorante luksoze ku kuzhina franceze mbetet e paarritshme. Njëri prej tyre është restorant “Krokodili”,vetëm pak metra larg sheshit Kleber. “Krokodil” nuk është i famshëm për faktin se atje kanë darkuar në 2008 Berisha dhe Rama, por sepse atje është shef kuzhine një francez tipik që u ka shërbyer dy presidentëve francezë në Elize,Valeri Giscard D’Esten dhe Francois Miterrand. Numëroni eurot para se të hyni atje sepse për një person darka mund të shkojë deri në 150 euro. Së fundi një natë strasburgiane ofron magjinë e muzikës së rrugës, tingujt e një violine në sfond apo një bend që performon në sheshin e qytetit. Sepse Strasburgu në vetvete është muzikë, është tingull, është si ajo çentro e bërë me dorë dhe që mjafton të shtrish krahun për ta përqafuar të gjithin në një muzg maji apo mëngjes të paqtë qershori. (xh.k/shqiptarja.com)



  • Sondazhi i ditës:

    Çfare prisni nga sesioni i ri parlamentar?



×

Lajmi i fundit

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim

Serie A/ Juventus dhe Roma ndahen në paqe, 0-0 në Torino! Udinese mposht Comon, Verona fiton në udhëtim