Strategjia e bllokimit, tre alibitë
e PD për të zvarritur Vetingun

Strategjia e bllokimit, tre alibitë<br />e PD për të zvarritur Vetingun
Opozita shqiptare vijon rezistencën kundër Vetingut. Partia Demokratike, në mbledhjen e dytë të komisionit ad hoc, ka demostruar mungesë vullneti për të verifikuar në një kohë sa më të shkurtër dosjet e 193 kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për të shërbyer në organet e Vetingut, duke provokuar kësisoj prishjen e marrëveshjes politike Rama-Basha.

Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në komisionin e posaçëm parlamentar kanë paraqitur dje tre kërkesa, zbatimi i të cilave konsiston në shtyrjen e ngritjes së organeve të Vetingut, ndoshta edhe pas zgjedhjeve të 25 Qershorit. Tre kërkesat kanë ardhur një ditë pasi kryeministri Edi Rama paralajmëroi ish-kryeministrin Sali Berisha se do të prishë marrëveshjen politike nëse zvarrit Vetingun përtej muajit maj.

Kërkesat janë artikuluar nga përfaqësuesit e PD në komision Flamur Noka dhe Oerd Bylykbashi. Deputeti Noka tha se pas ditës së shtunë, asnjë nga deputetët e opozitës, nuk kanë më kohë për të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit, për shkak të angazhimit në fushatë. Ai propozoi që komisioni të mblidhen natën deri në mëngjes, propozim që u hodh poshtë nga përfaqësuesit e mazhorancës.

Ndërkaq, deputeti Bylykbashi kërkoi që komisioni t’u kërkonte informacion me shkrim dhe dokumentacion shtesë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Avokatit të Popullit për kandidatët që kanë marrë rekomandim negativ si dhe për kandidatët e skualifikuar pasi nuk plotësojnë kriteret formale.

Anëtarja e komisionit, Vasilika Hysi tha se kjo kërkesë ishte e panevojshme pasi të gjitha informacionet ishin në dosjen e aplikantit, i cili ka marrë rekomandim pozitiv apo negativ.

Së treti, demokratët kërkuan që të shqyrtonin dosjet e të gjithë kandidatëve si dhe të zhvillimin seanca dëgjimore, pavarësisht vlerësimeve të ONM dhe Avokatit të Popullit. Kërkesa e fundit gjeti darkodësinë e socialistëve, edhe pse e kundërshtuan në fillim.

Jo mbledhje ditën
Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka tha dje se anëtarët e PD nuk janë të gatshëm për të marrë pjesë në mbledhjet e komisionit gjatë ditës. “Çdo njëri nga ne sot është deputet. Kjo është një periudhë fushate. Ne jemi në fushatë. Ndaj unë propozoj që të gjitha seancat t’i zhvillojmë darkave, natën deri në mëngjes. Sepse unë ditën jam në fushatë, zonjë. Jam gati të rri nga darka deri në mëngjes këtu të bëj detyrën, por do të bëj edhe detyrën time atje pranë qytetarëve. Ndaj, të gjitha mbledhjet e këtij komisioni unë propozoj t’i bëjmë pas orës 20:00 të darkës. Por, nga mëngjesi deri në orën tetë të darkës në jemi në fushatë”, tha Noka.

Paralajmërimi i kryeministrit
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar tre ditë më parë Sali Berishën se nëse bllokon sërish Vetingun marrëveshja prishet. Rama ka kërkuar që anëtarët e dy komisioneve të Vetingut të zgjidhen deri në fund të majit. “Sali Berisha paska thënë mbrëmë se mund ta bllokojë sërish Vetingun. Sali, nëse PD nuk do ta zhbllokojë me votat e deputetëve të saj që bashkë me deputetët tanë duhet të përzgjedhin anëtarët e dy komisioneve të Vetingut, brenda Majit, marrëveshja është e prishur. Vetingu është arsyeja themelore pse ne bëmë marrëveshjen”, ka pohuar Rama.
 
Tre kërkesat e PD
 Komisioni të mblidhet pas orës 20:00 deri në mëngjes për shkak të angazhimit në fushatë (refuzuar)
Informacion ONM dhe Avokatit të Popullit për vlerësimin e kandidatëve (refuzuar)
Shqyrtim të dosjeve dhe seanca dëgjimore me edhe me kandidatët që kanë marrë rekomandim negativ. Shqyrtimi i të gjithë kandidatëve (pranuar) 
 
LSI nuk merr pjesë në komision
 Përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, nuk ka marrë pjesë dje në asnjërën nga mbledhjet e tre komisioneve parlamentare për ngritjen e organeve të Vetingut. Nuk dihen arsyet se mungesës së përfaqësuesit të LSI, por ditët e fundit, kjo parti, ka shprehur disa shqetësim dhe dyshime mbi marrëveshjen politike Rama-Meta. Ndërkaq, vota e LSI ka një rëndësi përcaktuese në komisionet që do të zgjedhin anëtarët e organeve të Vetingut. 

Vettingu, PD dyshime për listën e zezë të ONM: Na informoni
Partia Demokratike ka shprehur dje dyshime mbi argumentet e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, i cili ka përfshirë në listën e zezë 87 kandidatë nga 193 apliknatë për të shërbyer në institucionet e Vetingut, të cilat do të kalojnë në skanerin e trefishtë 800 gjyqtarët për prokurorë, për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale.

Për rrjedhojë, përfaqësuesi i opozitës, Oerd Bylykbashi, i ka kërkuar komisionit që t’i kërkojë ONM dhe Avokatit të Popullit një informacion shterues se pse një grup kandidatësh një herë bënin dhe një herë nuk bënin për t’u bërë pjesë e organeve të Vetingut.

“Kërkoni informacion si sekretariat Avokatit të Popullit dhe ONM për motivet e skualifikimit, në mënyrë që ne të jemi në gjendje të bëjmë vlerësimin tonë kur të ngremë dorën me 4 apo 5 vota.

Nëse ky komision do të vendosë në kushtet e mungesës së informacionit, ku thuhet përvojë e pamjaftueshme, apo mungesë e konsiderueshme dokumentesh, ky është një informacion i pamjaftueshëm. Për mua si deputet është një informacion i pamjaftueshëm dhe jemi në kushtet kur nuk votojmë dot. Para se ky komision të marrë vendim, ne duhet të jemi në gjendje që ta bëjmë këtë vlerësim duke marrë informacion, duke ditur se pse një grup kandidatësh një herë nuk bënin dhe herën e dytë bënin”
, tha Bylykbashi.

Vettingu nis nga puna, 2 ditë dëgjesa maratonë me kandidatët
Brenda muajit maj komisioni i Vettingut duhet të përpilojë një listë përfundimtare të kandidatëve pas verifikimit të të gjithë emrave që janë bërë nga listat i kanë përcjellë Kuvendit Avokati i Popullit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
 
Pas debateve për mënyrën se si do të thërriten në seancë për tu dëgjuar kandidatët, ku kreu i komisionit Ulsi Manja propozoi fillimisht që të dëgjohen ata kandidatë që nuk përmbushin kriteret e që janë përjashtuar nga ONM.
 
Por demokrati Oerd Bylykbashi kërkoi që në seancë të dëgjohen të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar këtij procesi, pasi komisioni tha ai nuk mund të vendosë në kushtet e mungesë së informacionit.
 
Në këto kushte u ra dakord që të gjithë gjyqtarët kandidatë që i janë nënshtruar rivlerësimit të përmbushjes së kritereve të dëgjohen ne seancë për dy ditë me radhe me 29 dhe 30 maj.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mjeku s'mund të kurojë të njëjtin pacient në shtet e privat, e mbështesni?



×

Lajmi i fundit

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik

Dosja 'Partizani' SPAK kërkon edhe 3 muaj kohë për hetimet, GJKKO vendos më 11 korrik