E prezantuar këtë të mërkurë, Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 është produkt i një procesi të gjerë konsultimesh me ekspertë, artistë, institucione, organizata dhe komunitete kulturore nga e gjithë Shqipëria.
Sipas ministrit Blendi Gonxhja, strategjia vjen në një moment kur sektori kulturor po përjeton transformime të rëndësishme. Ai solli në vëmendje rritjen e investimeve në trashëgiminë kulturore, zgjerimin e mbështetjes financiare për skemën e pavarur dhe rritjen e numrit të vizitorëve në muze, kala dhe parqe arkeologjike. Ndërsa dokumenti i ri, parashikon një mbështetje shumë më të madhe financiare në të ardhmen Sipas ministrit Blendi Gonxhja, sot “pas vitesh pune intensive, sektori kulturor në Shqipëri po përjeton një transformim rrënjësor.”
“Në fushën e trashëgimisë, investimet për restaurimin dhe konservimin janë rritur me mbi 300 % vetëm në dy vitet e fundit. fundit duke kurorëzuar një bilancë prej rreth 650 ndërhyrjesh në të gjithë vendin përgjatë dekadës së fundit në objekte kulti, kala, site arkeologjike dhe banesa karakteristike. Këto ndërhyrje kanë sjellë një rilindje të vërtetë urbane duke i kthyer monumentet dhe qendrat historike në qendra dinamike ekonomike që integrojnë biznesin lokal me identitetin.”, tha ministri Blendi Gonxhja.
Ai vërejti se përmes kësaj strategjie kombëtare “ne angazhohemi zyrtarisht tashmë ta dyfishojmë mesataren aktuale të financimit deri në vitin 2030, duke synuar të arrijmë në 0.8% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.”
Gonxhja bëri me dije se është duke u çuar përpara një paketë e thellë reformash, nga puna për ligjin e ri të donacioneve dhe sponsorizimeve për artin, kulturën dhe sportin, te ligji i ri për kinematografinë dhe audiovizualin, si dhe te rishikimi i ligjit për artin dhe kulturën. Ndërkohë po punohet për jetëzimin e Fondit Kombëtar të Artit dhe Fondit të Kujdesit për trashëgiminë kulturore. Strategjia Kombëtare u hartua me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim dhe Fondazione Santagata.
“Strategjia e bën vizionin të realizueshëm dhe të ligjshëm. Kultura do të thotë të kujdesesh për vendin tënd, për identitetin tënd. Ne flasim jo vetëm për kulturën, por edhe për zhvillimin. Në Itali, kultura vlen rreth 112 miliardë euro, afërsisht 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, të gjeneruar nga sektori kulturor.”, tha ambasadori i Italisë në Shqipëri, Marco Alberti.
Përfaqësuesit e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim vlerësuan veçanërisht procesin e konsultimit dhe bashkëpunimit që përfshiu institucionet, komunitetin artistik, diasporën dhe sektorin e pavarur kulturor.
“Strategjia nuk është vetëm një dokument programatik. Ajo është gjithashtu diçka shumë më e rëndësishme, sepse përfaqëson një investim nga ana e Shqipërisë për të imagjinuar dhe ndërtuar rrugëtimin e saj të ardhshëm përmes kulturës.”, tha zv. drejtoresha e AICS, Letizia Fischioni.
Me objektiva që shtrihen nga mbrojtja e trashëgimisë kulturore te zhvillimi i industrive kreative dhe modernizimi i institucioneve, Strategjia Kombëtare e Kulturës 2026-2030 synon ta shndërrojë kulturën në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit, por dhe integrimit evropian të Shqipërisë.
Komente










