Elementët e traditës së qytezës së Patosit kësaj here vijnë të realizuara në pikturat murale të dhjetë artistëve nga mbarë bota.
Puset e naftës, ullinjtë dhe gjelbërimi i zonës vijnë nën mjeshtërinë e piktorëve, të cilët synojnë, që të kthejnë Patosin në një qytet ekologjik. 6 pikturat murale po realizohen në fasadat e pallateve kryesorë në kësaj qyteze industriale. Të gjithë brezat do të gjejnë veten në këto imazhe, që do të shoqërojnë gjatë jo vetëm banorët, por edhe turistët, që do të udhëtojnë drejt kësaj qyteze. Një gjyshe që shoqëron mbesën, filtri mes dy të dashuruarve, peizazhi i qytetit, lulet e pranverës edhe një vajzë e bukur mes tyre, pa harruar ëndrrat e fëmijëve, që kanë udhëtuar edhe do të udhëtojnë mes këtyre pallateve, janë në fokusin e punës së artistëve. Kuratori i festivalit Helidon Haliti dhe kryebashkiakja Rajmonda Balili flasin për këtë iniciativë, që synon që të jetë një ogur i mirë edhe për shtimin e numrit të turistëve në këtë zonë.
“Artistët që kanë bërë pikturat njihen nga e gjithë bota. Ky medium është i posaçëm për turistët, që kanë hartat e tyre dhe i ndjekin. E nesërmja do të tregojë më shumë, se ky është një projekt që nuk mbaron këtu, pasi sapo ka filluar. Shqipëria është jashtëzakonisht e bukur për sa i përket peizazhit, por arkitekturën ne po e përshtatim. Jam jashtëzakonisht i kënaqur për sa i përket peizazhit”, shprehet Helidon Haliti, kurator i festivalit.
Në festivalin ndërkombëtar “Street art” marrin pjesë artistë nga Argjentina, Spanja, Greqia, Meksika dhe Gjermania.
“Kemi ndërhyrë në infrastrukturën e banesave për të rifreskuar fasadat e pallateve në pjesën kryesore të qytetit, por me këtë lloj projekti synojmë, që të sjellim gjallëri në qytet, duke i dhënë të gjitha ngjyrat, që do të simbolizojnë edhe ngjyrat e qytetit, por që njëkohësisht do të edhe disa simbolika të veçanta, që ka qyteti edhe historia e tij” thotë kryetarja e bashkisë, Rajmonda Balili.
Pikturat murale do të përfundojnë deri në datë 4 qershor./ Përgatiti Kristaq Thano