Ngritja e 20 qendrave të reja pritjeje për emigrantët e paligjshëm në Shqipëri, kanë shkaktuar reagime kundër këtij vendimi të qeverisë, konkretisht nga partia Aleanca e Maqedonisë për Integrim Evropian (AMIE) për 3 prej qendrave të projektuara në Pustec të Korçës. Këto qendra do të presin nga vende të pasigurta apo në krizë si Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani apo Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si një vend-kalimi tranzit me destinacionin final vendet e Bashkimit Evropian.
Aleanca e Maqedonisë thotë se ky vendim është marrë pa asnjë konsultim publik me banorët e komunitetit maqedonas pa përfshirjen e pushtetit vendor dhe pa dialog me aktorët lokalë. Në reagim gjithashtu ceket dhe cenimi i zonës së mbrojtur pasi qendrat pritëse janë projektuar për tu ndërtuar buzë liqenit të Pustecit.
“Hapja e këtyre qendrave, e kombinuar me mungesën e plotë të investimeve shtetërore, rrezikon të thellojë edhe më tej emigrimin e banorëve të Bashkisë Pustec nga vendlindja e tyre, duke vënë seriozisht në rrezik ekzistencën dhe vazhdimësinë e komunitetit maqedonas në këtë zonë”, thuhet ndër te tjera në reagim.
AMIE kërkon nga qeveria shqiptare heqjen e menjëhershme të bashkisë së Pustecit nga harta e ndërtimit të qendrave pritëse dhe investimin në infrastrukturë e zhvillim lokal.
Reagimi i partisë Aleanca e Maqedonisë për Integrim Europian:
Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE) shpreh shqetësimin e thellë dhe kundërshtimin e vendosur të komunitetit maqedonas të Bashkisë Pustec ndaj vendimit të Qeverisë Shqiptare për hapjen e tre qendrave pritëse për emigrantët në territorin e kësaj bashkie, konkretisht në Njësinë Administrative Zrnosko, në fushën sportive të Pustecit dhe në fushën sportive të fshatit Dollna Gorica.
Ky vendim buron nga akti normativ “Për miratimin e Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028”, i botuar në Fletoren Zyrtare, sipas të cilit, në rast krize, për menaxhimin e flukseve migratore parashikohet ngritja e 20 qendrave pritëse për emigrantët në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë dy viteve të ardhshme. Këto qendra janë planifikuar për emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin Shqipërinë si vend tranziti drejt Bashkimit Europian.
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian denoncon faktin se ky vendim është marrë pa asnjë konsultim publik me banorët e komunitetit maqedonas të Bashkisë Pustec, pa përfshirjen e pushtetit vendor dhe pa dialog me aktorët lokalë, duke shkelur rëndë parimet e vetëqeverisjes vendore, transparencës dhe demokracisë pjesëmarrëse.
Theksojmë se të tre zonat e parashikuara për ndërtimin e qendrave pritëse ndodhen buzë Liqenit të Prespës, ndërkohë që i gjithë territori i Bashkisë Pustec është pjesë e Parkut Kombëtar të Prespës, një zonë e mbrojtur me rëndësi të veçantë mjedisore, kulturore dhe turistike. Për më tepër, Bashkia Pustec është shpallur zonë turistike, ndërsa fshati Zrnosko është përfshirë nga vetë Qeveria Shqiptare në programin e 100 fshatrave turistike.
Banorët e komunitetit maqedonas në Prespë nuk kërkojnë qendra pritëse për emigrantë, por investime konkrete në infrastrukturë, turizëm, bujqësi dhe zhvillim të qëndrueshëm, me qëllim shndërrimin e Prespës në një destinacion të mirëfilltë turistik dhe ndaljen e procesit të shpopullimit të zonës.
Hapja e këtyre qendrave, e kombinuar me mungesën e plotë të investimeve shtetërore, rrezikon të thellojë edhe më tej emigrimin e banorëve të Bashkisë Pustec nga vendlindja e tyre, duke vënë seriozisht në rrezik ekzistencën dhe vazhdimësinë e komunitetit maqedonas në këtë zonë.
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian i kërkon Qeverisë Shqiptare:
* Heqjen e menjëhershme të Bashkisë Pustec nga harta e parashikuar për ngritjen e qendrave pritëse për emigrantët;
* Planifikimin dhe realizimin e investimeve konkrete në infrastrukturë dhe zhvillim lokal, duke marrë parasysh faktin se zona e Prespës është lënë pas dore nga të gjitha qeveritë gjatë 35 viteve të fundit.
AMIE vlerëson se ky vendim përbën cenim të drejtpërdrejtë të Nenit 16 të Ligjit nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili ndalon shprehimisht marrjen e masave shtetërore që ndryshojnë ose synojnë të ndryshojnë përbërjen demografike të njësive të vetëqeverisjes vendore të banuara nga pakicat kombëtare.
Vendosja e qendrave pritëse për emigrantë në një bashki me popullsi autoktone maqedonase përbën një ndërhyrje demografike me pasoja afatgjata, e cila rrezikon seriozisht ekzistencën, identitetin dhe qëndrueshmërinë e këtij komuniteti, si dhe do të ketë ndikim negativ në zhvillimin e turizmit në zonën e Prespës.
Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bashkinë Pustec dhe u bën thirrje institucioneve shtetërore që të respektojnë ligjin, mjedisin, identitetin dhe vullnetin e banorëve autoktonë të Prespës.
Komente











