Çiftet e reja apo familjet që nuk arrijnë të përballojnë blerjen e një shtëpie, do kenë mundësi të marrin më shumë para në formën e kredisë së butë. Për t’ju përgjigjur çmimeve stratosferike të banesave Ministria e Ekonomisë po punon me bashkitë për rishikimin e metodologjisë për skemat e kredive të buta, ku do të rritet vlera e kredive që do të vihet në dispozicion të qytetarëve. Ky rishikim do të bëhet pasi vlerat e kredive të buta shpesh nuk mbulon vlerën e apartamenteve.
‘Një pjesë e ndryshime që ne propozojmë është një metodologji e re e përcaktimit të çmimeve referencë e cila nuk do të bazohet vetëm tek transaksionet e deklaruara në Kadastër por do të bazohet tek një studim më i mirë i tregut përmes metodave të tjera të studimet, si sondazhet apo anketat. Pra pjesë e ndryshimeve do të jetë edhe prodhimi i një metodologjie të re e përcaktimit të vlerës së pronave në treg dhe për pasojë edhe vlerën e kredisë që do të jepet. Por do caktojmë edhe fashat e pagave që do të përballojnë kredinë”, u shpreh zv/ministri i MEKI Enkelejd Musabelliu.
Në konferencën për strehimin social, ku nuk mungon krerë të bashkive më të mëdha, ministri i Ekonomisë njoftoi se do të rriten edhe fondet në dispozicion të programit kombëtar, si dhe prioritet financimi nga buxheti i shtetit do të kenë bashkitë që kanë më pak mundësi financiare.

“Po punojmë që të vlera e strehimit të arrijë nga 8 mln euro programin, në afro 75 deri 80 milionë euro në vit, ta 10-fishojmë. Nga kredi me interesa zero, banesa sociale, kredi me interesa shumë të ulta etj. Reforma e strehimit social do rimodelohet për të qenë proporcional në mënyrë që t'u japim fonde me shumë bashkive që nuk kanë mundësi por të ndihmojmë edhe të tjerat”, tha ministri Blendi Gonxhja.
Problem i pazgjidhur mbetet vjelja e taksës 3% që ndërtuesit duhet të paguajnë si kontribut për strehimin social. Ministri Blendi Gonxhja tha se kjo taksë nuk do të ndryshojë edhe pse ndërtuesit prej vitesh kërkojnë shfuqizim të saj.
“Sa i takon taksës 3% për ndërtuesit ende nuk kemi një inventarizim të pritshmërive që duhet të ishin arkëtuar qoftë të metrave katrorë dhe të vlerave të përfituara nga 3% i strehimit social. Por nuk do të tërhiqemi nga kjo skemë 3%, vetëm nëse ka ndonjë vendim gjykate”, tha Gonxhja.
Deri në vitin 2030 qeveria synon që nga programet e strehimit të përfitojnë 50 mijë familje, ndërsa deri më tani numri i familjeve që kanë përfituar nga programet e strehimit arrin në 35 mijë.
‘Deri tani janë 35 mijë familje që kanë përfituar nga programet e strehimit. Janë 130 mijë persona përfituese. Duke 10- fishuar fondet në synojmë të kemi 50 mijë familje që të përfitojnë nga programet e strehimit deri në 2030-ën’, tha Mazniku.
Për vitin 2025 për programin e “Strehimit social” kanë aplikuar 43 bashki për 55 projekte, ndërsa fituesit do të shpallen brenda pak ditësh. Janë 6 programe që financohen si, banesa sociale me qira, kredi me kosto të ulët, përmirësimi i banesave, zhvillimi i zonave për strehim, strehim i përkohshëm dhe programi për ata me aftësi të kufizuar.
S.B/I.M/Shqiptarja.comKomente

