Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka publikuar shifrat e turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë gjatë vitit 2025.

Përmes një postimi në rrjetet sociale Gonxhja shprehet se Shqipëria ka thyer rekordin e një viti më parë, duke theksuar se turistët kanë qenë mbi 12 milionë turistë të huaj që kanë vizituar vendin.

“Me mbylljen e vitit 2025, Shqipëria thyen rekordin e një viti më parë, duke kapërcyer shifrën e 12 milionë vizitorëve me pasaportë të huaj!

Një rezultat që konfirmon konsolidimin e vendit si një destinacion turistik gjithëvjetor, me interes të qëndrueshëm përtej sezonit veror dhe me oferta të larmishme në turizëm kulturor, natyror, kulinar, sportiv dhe jo vetëm, duke forcuar pozicionin e saj në hartën ndërkombëtare të turizmit”, shkruan Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Lajmi është ndarë në Facebook edhe nga Kryeministri Edi Rama. 

"Shqipëria thyen rekordin duke kapërcyer shifrën e 12 milionë vizitorëve me pasaportë të huaj, përgjatë vitit 2025" shkroi Rama nw Facebook.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj, plazhe këto që frekuentohen përveç shqiptarëve edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj, janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor.

Foto nga postimi i Gonxhes në Facebook