Protestuesit e maskuar që ndërmarrin akte dhune në protestë po dhunohen prej një jave nga policia, thotë Sali Berisha. Në një videomesazh para selisë blu, ai përsërit akuzat ndaj policisë për forcë jo proporcionale ndaj protestuesve.

Shpërbimin me 2500 euro nga qeveria të punonjësve të policisë që këto ditë përballen me sulmet e protestuesve të maskuar, Sali Berisha e cilëson si një platformë kriminale të Ramës që krijon kosto të rënda për Shqipërinë. Kreu i PD thotë se kjo platformë u përmbys sot nga pedagogët që i dhanë mbështetje studentëve.

“Ky mesazh i drejtohet çdo shqiptari. Prej një jave, Tirana po përjeton terrorin e kuq që Shqipëria nuk e njihte më që nga ditët e zeza të regjimit komunist. Prej një jave, fëmijët shqiptarë, nën moshë, gjimnazistë dhe studentë po dhunohen barbarisht nga grupe narko-kriminelësh me uniformë. Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit. Prej një jave, kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si një re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe çdo ditë po mbyt jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por dhe shtëpitë dhe banorët e tyre në Tiranë. Plumbave të gomës që lëshohen në breshëri, me pamëshirë, në shkelje të plotë të ligjit, ndaj studentëve, gazetarëve, por edhe qytetarëve, dhe që në fakt kanë çarë kafkat e tyre.

Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës. Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit.  Edi Rama, pasi nxiu jetën 13 vite shqiptarëve me vjedhjen kolosale të fondeve dhe pasurive publike, me arrogancën, përçmimin, me krimin, drogën, me bllokimin e rotacionit politik dhe farsat elektorale, vendosi që deri në fund të tij, t'i krijojë kosto të rënda Shqipërisë.  Ai kërkon të mbrojë me çdo çmim lëkurën, krimet, paratë e tij, mirëpo studentët dhe të rinjtë heroikë nuk bëjnë pas. Ata së bashku me pedagogët e tyre, prapë sot dolën në sheshin e mejdanit, asgjësuan platformën e terrorit të kuq të Edvin Kristaq Kolekës", tha Berisha.

Ai përsëriti edhe thirrjen për mbështetje ndaj protestuesve të maskuar, për të cilët e ktheu selinë e PD në një strehë.

"Por çdo qytetar shqiptar duhet të kuptojë se sot ka një përgjegjësi. Qytetarët shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, por dhe ata të paparti, nuk duhet të harrojnë se prej 13 vitesh keni ngritur zërin, keni kërkuar që të rinjtë të ngrihen kundër të keqes që ka kapluar vendin. Keni kërkuar prej tyre të marrin fatin e tyre në dorë. Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri.  Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj.

Shumica shqiptare që prej një jave mbështet në heshtje, me të gjithë shpirt studentët, duhet të vrasë frikën dhe të zbresë së bashku me ta në sheshin e mejdanit. Ata studentë sot janë drita e shpresës për Shqipërinë, prandaj ftoj çdo qytetar të dëgjojë thellë në ndërgjegjen e tij thirrjen më sublime që qenia njerëzore mund të ndjejë, thirrjen e të rinjve, thirrjen e kombit.  Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë, por çdo ditë që ti nuk bashkohesh me studentët, Edi Rama zgjat fundin e tij të pashmangshëm.

Ndaj dhe dil sot, në mbështetje të atyre të rinjve, që Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por ende nuk e kanë braktisur dhe duan të bëjnë Shqipërinë sipas projektit të ëndrrave të tyre rinore. Ende kanë shpresë të bëjnë Shqipërinë. Ata po luftojnë për të ardhmen e tyre, ata po luftojnë për ty. Mos t'i lëmë ata vetëm që të bëjnë betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para universitetit, gjer në fitore. Zoti ju bekoftë!”, tha Berisha.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:31
Berisha krah protestuesve të maskuar: Çdo protestues që dënohet, do të dekorohet e dëmshpërblehet 100% nga PD

Përkrahja e Sali Berishës ndaj protestuesve të dhunshëm me maska ka arritur një tjetër prag. Në përgjigje të shpërblimit prej 2500 eurosh nga kryeministri Edi Rama për policët, kreu i Partisë Demokratike njofton se protestuesit e dënuar do të dëmshpërblehen 100% dhe do të dekorohen sapo kjo forcë të vijë në pushtet.

Berisha shton edhe se për rastet e lëndimeve të lehta, mund të përballohen nga mjekë e infermierë të partisë, në një pikë mjekimi që do të ngrihet. Gjithashtu ofron edhe shërbim falas avokatie e denoncimesh, duke e plotësuar ‘strehën’ e ngritur brenda selisë së PD për protestuesit e maskuar.

Deklarata e plotë:

Sikundër dua të garantoj studentët dhe qytetarët se për çdo lloj dënimi që ata marrin sot, do të dëmshpërblehen 100% nga Partia Demokratike nesër pasi të përcjellim këtë kufomë politike. Do të dekorohen për qëndresën e tyre, do marrin vlerësimin që meritojnë.

Ndaj dhe, se del e thotë se nuk do u paguaj, nuk do dilni jashtë shtetit, do bëjmë këtë e atë, marrëzirat e tij si një njeri i rrjedhur që nuk di se çfarë flet, por u them studentëve dhe të rinjve, se çdo lloj sanksioni që të shpallë do jetë zero, përkundrazi, do dëmshpërbleheni për atë që keni sakrifikuar. Po, do të ndëshkohen mercenarët që vishen për të mbrojtur një monstër për të qëndruar kundër popullit të vet.

Së fundmi, çdo protestues, ne kemi shpallur parimin, ne bëjmë gjithçka për mbrojtjen e tyre. Ka shërbim falas avokatie, denoncimesh dhe gjithçka tjetër. Është hapur një faqe për keqtrajtimet dhe shkeljet e të drejtave. Do hapet një faqe për plagët që mund të marrin, por dhe mjekime mund të gjejnë këtu. Do të krijohet një pikë mjekimi.

Kemi ne kapacitetet, mjekë dhe infermierë, sepse ka prej tyre që nuk duan të shkojnë në qendra shtetërore, natyrisht që rastet e komplikuara ne do i çojmë, ta dinë sepse ne jemi për shëndetin e tyre, por për gjëra të vogla do mund të përballohen nga një grup i vogël mjekësh e infermierësh të rinj këtu. Shtëpia e Partisë Demokratike është shtëpia e protestuesve. E hapur për ta plotësisht dhe në çdo rrethanë.

Dhunimi që i bëri policia tregoi fytyrën e vërtetë, por në mënyrë absolute çdo i mitur do ketë mbrojtjen e Partisë Demokratike, sepse kjo mbrojtje i garantohet atij nga Kushtetuta dhe ligjet. Kjo që po ndodh me të miturit, kjo tejkalon të gjitha praktikat staliniste dhe naziste të kohërave më të zeza.