Marrëdhënia e ngushtë e politikës me ekonominë është padyshim një ndër elementet kryesore të analizimit të zhvillimeve politike  në një vend dhe ekonomia politike është bërë një ndër nën-disiplinat më të rëndësishme brenda të ashtuquajturave shkenca politike. Kjo marrëdhënie ndërdisiplinore mes ekonomisë dhe politikës ka bërë që në rrjedhën e kohës të krijohen qasje, metodologji apo teori nga më të larmishmet për të studiuar ndërveprimin mes tyre.

Një ndër trendet më të fundit është përqafimi i zgjedhjes publike (public choice) që shpjegon politikën pa romanticizëm duke aplikuar metodat ekonomike në analizën e zhvillimeve politike. Mirëpo një ndër format më të hershme të bërjes së kësaj analize ka qenë qasja e materializmit historik të Marksit . Për ta thjeshtuar bëhet fjalë për analizimin e zhvillimeve politike gjatë historisë duke marrë në konsideratë mjetet me anën e të cilave njerëzit prodhojnë në mënyrë kolektive produktet e nevojshme të jetës së tyre.

Kjo teori është e koklavitur dhe vështirë se mund të merren tërësish seriozisht në kushtet e sotshme ku shkencat sociale dhe instrumentat teorik dhe metodologjik kanë avancuar në mënyrë dramatike prej kur kjo qasje marksiste ka dalë, por ajo që është interesante të shqyrtohet është një aspekt i kësaj qasje të materializmit duke e aplikuar në kushtet e Shqipërisë.

Konkretisht premisa  është që shoqëria është e ndarë në klasa dhe çdo individ është pjesë e një klase në varësi të zotërimit apo jo të mjetëve të prodhimit dhe momentit historik.  Secilës klasë i përket një filozofi apo ideologj politike që përfaqëson më së miri interesat ekonomik të klasës përkatëse. Proletariati është klasa që punon për të tjerë e borgjezia ajo që zotëronte mjetet e prodhimit, dhe respektivisht socializmi është parë si klasa e proletariatit dhe liberalizmi ajo e borgjezisë.

Konservatorizmi i është atribuar aristokracisë dhe shtresave rurale që merren me bujqësinë dhe blegtorinë. Mirëpo një tjetër ideologji politike është edhe anarkizmi i cili e konsideron shtetin që të jetë i padëshirueshëm, i panevojshëm dhe i dëmshëm dhe propozon që të kundërshtohen autoritetet ose organizimi hierarkik shtetëror dhe jo vetëm duke bërë që njerëzimi të jetojë në shoqëri pa shtete por të mbështetura në ndërveprime vullnetare.

Po të vijojmë me  qasjen materialiste, anarkizmit i korrespondon si shtresë socio-ekonomike mikro-borgjezia. Në këtë shtresë përfshihen shitësit e vegjël, punishtet apo firmat e vogla që ofrojnë shërbime të thjeshta e të kufizuara, të punësuar shtetërorë dhe jo vetëm që kanë të ardhura modeste etj. Mikroborgjezia dallon prej borgjezisë së mesme dhe të lartë sepse pavarsisht se mund të pajtojnë pra blejnë krahun e punës së të tjerëve, ata në shumicën e rasteve punojnë bashkë me punëtorët e tyre.

Ata zotërojnë mjetet e prodhimit por në të njëjtën kohë janë edhe punëtorë në kompanitë e tyre dhe ata nuk kanë mundësi që të kenë mjaftueshëm të ardhura dhe fitim që teprica t’u lejojë akumulimin e kapitalit që mandej do të investohej sërish në prodhim.  Kësaj shtrese i intereson anarkizmi pra mungesa e autoritetit shtetëror pasi aktorët e saj gëlojnë më së miri në mjegull, në mungesë rregullash e institucionesh.

Mund të hamendësohet që pronari i një dyqani të vogël nuk e ka për gjë që ta ndryshojë destinacionin e pronës së vetë nga dyqan perimesh, në dyqan konfeksionesh e mandej në berberanë sa herë lë konsumatorë apo klientë të pakënaqur dhe ky lloj fleksibilitet është i rëndësishëm për të e kontratat, licencat, standardet apo rregullat shtetërore vetëm sa ia vështirësojnë këtë liri që do të donte të kishte. Madje historikisht të vetmet raste të vënies në praktikë të ideologjisë së anarkizmit janë rastet jetëshkurtra të të Spanjës dhe Italisë në disa zona që karakterizohen prej dominimit të ndërmarrjeve të vogla mikroborgjeze.

Këtu ia vlen që të hidhet një këndvështrim në strukturën ekonomike të Shqipërisë për të parë se cila filozofi politike do të kishte mbështetjen më të madhe. Sipas censusit për njësitë ekonmike të Institutit të Statistikës del se në të gjithë vendin rezultojnë 103 038 njësi ekonomike, nga të cilat 99 722 janë aktive.

Po të shihen sipas numrit të  të të punësuarve, pjesa dërrmuese e bizneseve, 62.7 për qind e tyre, kanë vetëm një punonjës ndërsa rreth  28.2 për qind kanë nga 2 deri në 4 punonjës. Pra me pak fjalë shumica e bizneseve private shqiptare mundet që fare lehtë të karakterizohen si mikro-borgjeze.  Ndërmarrjet me mbi 50 punonjës që mund të quhen me gojë të plotë si borgjeze dhe mbështetëse të liberalizmit janë vetëm 0.9 për qind e totalit të ndërmarrjeve.

Faktikisht teoria e të parit të individëve vetëm si pjesë e një veprimi kolektiv politik të motivuar nga grupimi monolit ekonomik ku ata bëjnë pjesë, lë shumë për të dëshiruar.  Individët në sjelljen e tyre politike motivohen nga shumë faktorë dhe rrethana dhe jo thjesht nga përkatësia në një shtresë ekonomike.

Megjithatë interesi i tyre ekonomik , pra një lloj materializmi është gjithësesi i rëndësishëm dhe nëse marrim të mirëqenë se përkatësia apo interesi klasor ekonomik është me të vërtetë domethënës, atëherë nuk është rastësi që në Shqipëri ka pak mbështetje publike për liberalizmin dhe tendenca të mirëfillta për anarkizmin.  Këtu po të shihet edhe përqindja e lartë e popullsisë rurale mund të nxirret mbase edhe një shpjegim për mbështetjen shoqërore ndaj konservatorizmit.

Struktura ekonomike dhe qasja materialiste shpesh është përdorur edhe për të analizuar apo parashikuar veprimet e aktorëve të ndryshëm ekonomik përkundrejt shtetit dhe politikës së jashtme. Ndryshimi rrënjësor i ekonomisë drejt industrializimit solli edhe nisjen dhe kultivimin e nacionalizmit në mbarë evropën.
Para industrializimit, puna kryesore ishte bujqësia dhe blegtorira dhe burrë, grua dhe fëmijë punonin me njëri tjetrin duke prodhuar mjaftueshëm sa për të mbajtur frymën gjallë, kishte pak teprica për të shitur dhe pak motiv për të shtuar prodhimin e për të komunikuar përtej fisit.

Industrializmi solli teknologjitë e reja, transportin, komunikimin,  zhvillimin dhe unifikimin e kulturës, dhe nevojën për t’u bashkuar e bashkëvepruar në komunitete më të mëdhaja së më parë, në përmasa tanimë kombëtare. Po ashtu lidhja e industrialistëve me territorin u bë e çimentuar pasi varësia ndaj lëndëve të para,  investimi masiv në fabrika e uzina  dhe  mjete transporti si hekurudhat në mënyrë të pashmangshme i bënte ata më sedentarë dhe lidhte interesat e tyre ekonomikë me fatet e vendit.

Përveç borgjezisë industrialiste njihet edhe një e ashtuquajtur “borgjezi kompradore”, një term që vjen nga Kina e jugut dhe ka origjinën nga fjala portugeze, “blerës”.  Kompradorët ishin fillimisht kinezë të punësuar nga evropianët dhe ishin ndërmjetësa midis prodhuesve të botës perëndimore dhe konsumatorëve apo klientëve kinezë.

Ky term mandej i është mveshur individëve që i përkisnin klasës së tregëtarëve të cilët ishin në një linjë ose mbështesnin interesat ekonomike të huaja, filiale të të cilave ishin dhe shiheshin si dorë e zgjatur e interesave kolonialiste të të huajve në Kinë. Prandaj edhe janë trajtuar nga shteti kinez komunist madje si tradhëtarë dhe spiunë të vendeve të huaja. Këta shkonin ndesh me të ashtuquajturën borgjezi tregtare vendase dhe borgjezi industrialiste e cilët konsideroheshin se punonin për të ndërtuar dhe konsoliduar ekonominë kombëtare.

Këtu kthehemi sërish tek censusi i njësive ekonomike për të parë se sa është përmasa e prodhuesve që do mund të kishin interesat e tyre ekonomikë në një frekuencë me patriotizmin. Sot vetëm 15.8% janë prodhues mallrash dhe mund të konsiderohen borgjezi prodhuese.  60 për qind e bizneseve në vendin tonë janë bare, kafe dhe restorante dhe një pjesë e mirë e ngelur janë tregtare.

Një pjesë e mirë e biznesmenëve të mëdhenj shqiptarë në fakt janë tregtarë të mallrave të importit të cilët shpesh mund të kualifikohen për t’u quajtur kompradorë pasi shpesh kanë përfaqësuar në Shqipëri interesat e vendeve fqinje prej nga kanë sjellë produktet që tregtojnë, sesa interesat e vendit. Në kushtet kur prodhimi e prodhuesit vendas janë kaq të paktë përkundrejt importuesve të huaj, është e kuptueshme deri diku që edhe niveli i patriotizmit në vend të jetë minimal dhe influenca e huaj maksimale.

Pra mes të tjerash, nëse ka pak mbështetje apo popullaritet për patriotizmin kjo gjë vjen mes të tjerash nga nëj strukturë ekonomike të mbizotëruar nga tregtarët kompradorë dhe nëse ka kaq shumë tendenca anarkike anti-shtetërore në vendin tonë një ndër faktorët ndikues mund të konsiderohet dominimi i ekonomisë nga firma të vogla mikroborgjeze.

(b.m/shqiptarja.com)