TIRANE - Gati 25 studentë të Fakultetit të Inxhinierisë Tekstile në Universitetin Politeknik, ende nuk kanë marrë bursat e akorduar për ta. Problem ky që ka mbi një vit që mbetet i pazgjidhur për studentët e Inxhinierisë Tekstile. Studentët shprehen se askush nuk u jep një përgjigje përse ata ende nuk i kanë marrë lekët.

“Askush nuk na jep një përgjigje përse ne nuk i kemi marrë bursat. Lekët nuk i kemi marrë as për vitin që shkoi as për këtë vit. Në bankë na thonë që nuk ju a u kanë kaluar nga shkolla, vijmë në shkollë sekretarja ka një vit që na thotë do ju a kalojmë këtë javë, do ju a kalojmë javën tjetër.

Kemi takuar edhe zëvendës dekani dhe ai na kanë thënë që shumë shpejt do ju a hedhim, por deri tani asnjë gjë nuk është bërë. Kemi mbi një vit që sorollatemi nëpër dyert e Universitetit dhe nuk kemi marrë një përgjigje të saktë” shprehen studentët.

Ata shprehen se kanë mbi një milionë lekë pa marrë. “Ata që kanë bursë të plotë kanë gati mbi një milion e 300 mijë lekë pa marrë. Ndërsa ata që kanë gjysmë burse kanë mbi 60.000 lekë pa marrë” thonë studentët e Inxhinierisë Tekstile. Ndërsa Dekani i Fakultetit Andonaq Londo shprehet se nuk është në dijeni të këtij problemi.

“Nuk jam në dijeni të problemit, por nëse problemi qëndron ashtu sikurse shprehen studentët unë do marr masa që problemi i tyre të zgjidhet menjëherë” thotë Londo. Bursa e plotë për studentët varion nga 8.900-9.400 lekë, kjo varet nga shkolla që ata vazhdojnë. Për studentët e Inxhinierisë Tekstile bursa e plotë është 8.900 lekë, ndërsa gjysmë bursa është 4.450 lekë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 19.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)