SHKODER- Pas letrës me të cilën disa ditë më parë i kërkuan shkrimtarit Ismail Kadare që të bëhej presidenti i ardhshëm i vendit, studentët e Shkodrës përmes një retorike emocionuese i janë drejtuar Ramës dhe Berishës që në takimin e sotëm të gjejnë presidentin konsesual që sipas tyre të mishërojë vlerat kombëtare, intelektuale dhe morale.
Të rinjtë e Universitetetit “Luigj Gurakuqi”në Shkodër shkojnë më larg kur e përkufizojnë këtë takim si celësin e integrimit.
“Integrimi i mëtejshëm i vendit është në duart tuaja, dhe sonte gjithçka mund të finalizohet me sukses” thuhet në letrën e studentëve drejtuar Ramës dhe Berishës. Emicionet vijojnë më tej kur studentët u kërkojnë dy liderëve që kanë ende kohë të mendojnë për të ardhmen e shqiptarëve dhe vecanërisht të fëmijëve para se të shkojnë në këtë takim.
”Mendoni vetëm kaq: ne, fëmijët tuaj, meritojmë një të ardhme europiane, ashtu si mjaft bashkëmoshatarë në vendet perëndimore demokratike. Përveç mbarë kombit shqiptar, edhe mjaft ndërkombëtarë e zyrtarë të huaj i kanë sytë në takimin tuaj, duke pritur nga ju një zgjidhje të pranueshme, nga e cila mund të arrihet shumë shpejt edhe integrimi i mëtejshëm evropian”.
Presim me ankth këtë takim-shprehen studentët. Ndërsa kërkojnë të zgjojnë vëmendjen se presidenti konesusal të jetë përfaqësues i unitetit dhe një figurë me integritet.

Në vijim letra e plotë e studentëve të Shkodrës:

Të nderuar z. Berisha dhe z. Rama,

E vlerësojmë maksimalisht takimin tuaj, i cili do të realizohet sonte në orët e darkës në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve, dhe përmes letrave të hapura që u kemi dërguar secilit nga ju, jeni njohur me përpjekjen tonë, e cila mes të tjerash synonte një takim mes opozitës dhe mazhorancës për të biseduar mbi gjetjen e një presidenti konsensual, e mbi të gjitha mishërues i vlerave kombëtare, intelektuale dhe morale.

Këshilli Studentor i Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH) ju përgëzon për takimin tuaj, nga i cili qëndrojmë me shpresën se do të dilet në një zgjidhje të arsyeshme, atë që aq shumë e dëshiron dhe meriton, populli ynë shqiptar. Integrimi i mëtejshëm i vendit është në duart tuaja, dhe sonte gjithçka mund të finalizohet me sukses.

Ndoshta ky mesazh publik i ardhur nga zëri studentor, rinor dhe brezi i të ardhmes së këtij vendi, mund të zgjojë tek ju ndjenjat e një përgjegjësie edhe më të lartë. Sonte, kulti i harresës duhet të mbizotërojë si tek njëri ashtu dhe tek tjetri sa i takon konflikteve, fërkimeve dhe tensioneve politike. Mendoni vetëm kaq: ne, fëmijët tuaj, meritojmë një të ardhme europiane, ashtu si mjaft bashkëmoshatarë në vendet perëndimore demokratike. Përveç mbarë kombit shqiptar, edhe mjaft ndërkombëtarë e zyrtarë të huaj i kanë sytë në takimin tuaj, duke pritur nga ju një zgjidhje të pranueshme, nga e cila mund të arrihet shumë shpejt edhe integrimi i mëtejshëm europian.

Në këtë letër të hapur publike, ju drejtohemi me zemrën të ngrirë, duke pritur me ankth takimin tuaj dhe shpresuar që më në fund, klasa jonë politike është e aftë t'i japë vendit dhe popullit, të cilin përfaqëson, atë çka ai aq shumë e meriton: Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një president me konsensus të gjerë politik, përfaqësues i unitetit popullor dhe një individ me moral e integritet të lartë, një njeri me profil atdhetar.

Duke shpresuar dhe besuar në gjetjen e një zgjidhjeje sa më të drejtë dhe të pranueshme, po e mbyllim këtë letër të shkurtër.

(ns/shqiptarja.com)