TIRANË - Një grup studentësh të transferuar nga Univeristetet e mbyllura tek Universiteti i Mjekësisë kanë nisur një grevë urie, duke kërkuar që pas transferimit nga privati në shtet të paguajnë njësoj si studentët e tjerë që kanë fituar me konkurs shkollën. 
 
Kërkesa e tyre në dukje bazohet tek barazia mes studentëve. Këta studentë, të cilët më parë kanë qenë pjesë e Universiteteve të mbyllura si Vitrina apo Kristali, janë pranuar në Universitetin Publik në degët përkatëse pas lehtësimit të transferimit nga Ministria e Shëndetësisë.
 
Në reagimin e Zëvendës Rektorja e Universiteti i Mjekësisë në Tiranë Anyla Bulo tha se studentëve të transferuar nga universitetet private iu është dhënë një mundësi e artë për t’u shkolluar njëlloj me studentët e tjerë që kanë arritur atje me meritokraci. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe ministrja Nikolla e cila takoi gjatë mbrëmjes studentët që protestojnë. 

Nikolla ka zhvilluar një takim për rreth 1 orë me studentët të cilët ndodhen në grevë.

Ora 23:13 Avokati: I propozuam ministres që çështja të shkojë në Kushtetuese
Avokat i të rinjve që ndodhen në grevë deklaroi se i kanë propozuar ministres që një grup deputetesh të dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo e fundit të vendosë se si duhet të veprohet në vijim. 

Ora 21:46 Nikolla: I dinit tarifat, kërkoni të ndryshoni rregullat
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla ka shkuar të bisedojë me studentët të cilët protestiojnë dhe kanë hyrë në grevë për tarifat. Gjatë bashkëbisedimit me ta Nikolla u ka kujtuar atyre, kontratën që kanë nënshkruar me Universitetin Publik. “ Kur nënshkruat kontratat u njohët me kushtet dhe tarifat. Ju po paguani shumë më pak nga atje ku ishit.”- tha ajo duke shtuar se ishin të mashtruar nga universitetet piramidë.