TIRANE- Përpjekjet e studentëve për të ndjekur paralelisht arsimin e lartë dhe një pune për të siguruar të ardhurat e tyre, krijon mangësi dhe mungesa për ta në formim dhe përgatitje.

Në rastet kur afrojnë sezonet e provimeve dhe sidomos ato të dorëzimit të diplomave të gjithë studentët kërkojnë mundësitë për të akumuluar njohuritë e humbura.

Kohët e fundit një metodë shumë e aplikuar nga studentët është përgatitja e detyrave apo punimeve të diplomës kundrejt pagesës nga individë apo site të ndryshme në internet.

Këto individë apo site nuk janë nën kontrollin e autoriteteve arsimore dhe shkelin hapur të drejtën e autorit duke shfrytëzuar dhe dubluar punime të parapërgatitura më parë.

Situata favorizon studentët dhe këta individë, në një kohë kur në shumë prej universiteteve publike temat e diplomës zhvillohet në formën teorike. Ky ka qenë një shqetësim i ngritur prej kohësh nga disa drejtues në universitetet publike të cilët janë përpjekur të marrin  masa dhe të ndëshkojnë të gjithë studentët që paraqesin diploma të marra kundrejt pagesës.

Sa kushton?
Mundësitë për të siguruar një punim diploma kundrejt pagesës, janë të ndryshme. Në afërsi të disa prej universiteteve mund të lexosh lajmërime në të cilat njoftohen studentët për punimet diplome të punuara që ofrohen kundrejt pagesës. Këto pagesa variojnë nga 3000-5000 lekë, kjo në varësi edhe të degës së cilës i përket kjo diplomë. Studentët kanë mundësi që të bëjnë edhe përzgjedhje midis disa temave të diplomës të cilat ofrohen në këto pika.

Disa prej këtyre individëve kanë hapur edhe website dhe faqe në rrjetin social facebook në të cilat ju ofrojnë informacion të rinjve. Ky fenomen shton problematikat në arsim në një kohë kur sistemi arsimor pritet ti nënshtrohet një reformimi të thellë në të gjithë nivelet e tij. Dublimi i punimeve të diplomës është në shkelje të hapur me të drejtën e autorit e cila e përkufizon qartë se “E drejta e autorit mbi një vepër lind automatikisht në momentin e krijimit te veprës origjinale ose të prejardhur dhe shkelja apo abuzimi me këtë të drejtë sanksionohet me ligj.”

faksimile e nje profili ne FB qe ofron diploma
(Foto: Faksimile e një profili në Facebook që ofron diploma kundrejt pagesës)

faksimile e nje website qe ofron diploma
(Foto: Faksimile e një website që ofron diploma)

Zgjidhja
Zylyftar Bregu, pedagog i departamentit të gazetarisë dhe komunikimit shprehet se mënyra më efikase për diplomimin e një studenti është ajo praktike. Drejtues i Ateliesë së Shtypit në këtë departament, tregon se prej disa vitesh nuk e vuan problematikën e diplomave të dyshimta apo të dubluara nga vite të mëparshme.

“Unë ndjek studentin që në momentin që ai jep idenë dhe e orientoj atë drejt temave te veçanta, mundësisht ekskluzive. Më pas monitoroj procesin e mbledhjes së informacionit, deri tek procesi i te shkruarit”, pohon për Shqiptarja.com pedagogu i gazetarisë. Por në ndryshim me këtë mënyrë që ofron prof.Zylyftar Bregu shumë departmente vazhdojnë që punimet përfundimtare të studentëve ti kërkojnë me tema të karakterit teorik.


Shkrimi u publikua sot (23.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)