Me moton “Universiteti në rrezik" ata kundërshtojnë detyrimin e mbrojtjes së gjuhës angleze para se të merret diploma. Gjithashtu kundërshtojnë mënyrën e financimit që sipas tyre synohet financimi i universiteteve private.
Studentët thonë se duke vendosur me ligj detyrimin për të mbrojtur anglishten, diskriminohet gjuha shqipe si gjuhë e popullit; i mohohet shqipes barazvlerësia me gjuhë të tjera si bartëse dhe nxitëse e shkencës e kulturës; ndër gjuhët e huaja, privilegjohet duke u ngritur në rang absolut gjuha angleze. Çka edhe në kuptimin ekonomiko- punësues nuk e ka hegjemoninë absolute dhe në vend që të nxitet mësimi i gjuhëve të huaja përmes thellimit dhe përhapjes të programeve mësimore publike, nxitet "certifikatosja" që i nxjerr paratë nga qesja e pakët studentore drejt thesit të madh të institucioneve private fitimprurëse.
Zërave kundër vendosjes së Toefl-it, si provim me detyrim, për të marrë diplomën master dhe doktoraturë, u është shtuar edhe rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule. Ai ka deklaruar se ky vendim duhet të rishikohet. Sipas tij Niveli C1 i anglishtes që kërkon ministria e Arsimit, shumë i avancuar për studentët.
(sg/shqiptarja.com)