Sot në Shkup mijëra studentë shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në një protestë masive për të kërkuar përdorimin e gjuhës amëtare në provimet e diplomimit, një e drejtë që praktikisht ekziston në letër.
Me thirrjet “ Gjuha shqipe e drejta jonë” “ne flasim shqip”, “nuk ka shtet pa rini”, studentët e shumtë në numër mbanin pankarta të ndryshme dhe flamujt kuq e zi duke kërkuar diçka që është e garantuar.
Gjatë marshimit ata gjithashtu kanë kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë Igor Filkov dhe ministres së Arsimit Vesna Janevska
Edhe pse gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka status zyrtar, provimi i jurisprudencës, i domosdoshëm për ushtrimin e profesioneve juridike si avokat, gjyqtar apo prokuror, zhvillohet kryesisht në gjuhën maqedonase.
Studentët kanë nënshkruar edhe një peticion për këtë çështje, të cilin kryeministri Hristijan Mickoski në fillim e cilësoi të drejtë por që më pas u tërhoq nga qëndrimi duke thënë se ‘ligji nuk e lejon një gjë të tillë”
Ministria e Drejtësisë nga ana tjetër e zhvendosi debatin nga e drejta tek interpretimi duke thënë se bëhet fjalë për një provim profesional dhe jo një procedurë administrative.
Debati për gjuhën shqipe është përhapur edhe në rrafshin politik mes përfaqësuesve të partive shqiptare.
Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani akuzon VMRO-DPMNE se ka një strategji të qëllimshme për të dobësuar gjuhën shqipe në institucione shtetërore. Izet Mexhiti nga Vlen argumenton se “ligjet gjysmake japin zgjidhje gjysmake” dhe e sheh kuadrin ligjor si të paplotë.
Në një postim në X, Hoxha e quan të drejtë themelore dhe legjitime përdorimin e gjuhës amëtare nga ana e studentëve shqiptarë në Maqedonië e Veriut.
“Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë” tha Hoxha.
Në reagimin e tij, Hoxha bën thirrje për shmangie të politizimit të ccështjes dhe trajtim të saj me maturi e përgjegjësi, sidomos në frymën e respektimit të të drejtave themelore.
Kryediplomati vlerësoi gjithashtu angazhimin qytetar të studentëve duke nënvizuar se zgjidhja duhet të vijë përmes dialogut konstruktiv.
"Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore. Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve. Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara."
Protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre i kanë bështetur edhe Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane, duke insistuar se kjo e drejtë u garantohet studentëve me Kushtetutë, Marrëveshjen e Ohrit dhe Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në reagimin e saj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cilëson këtë kërkesë si të drejtë dhe legjitime, duke theksuar se përdorimi i gjuhës shqipe është i garantuar si me Kushtetutë ashtu edhe me ligj, por sipas studentëve ende nuk po zbatohet në praktikë.
AAK thekson se kjo situatë ngre shqetësime serioze për respektimin e të drejtave dhe për barazinë reale të shqiptarëve në sistemin arsimor.
Partia i bën thirrje institucioneve përgjegjëse në Maqedoninë e Veriut që të veprojnë pa vonesë dhe të garantojnë zbatimin e të drejtave të parashikuara me ligj, duke respektuar parimin e barazisë dhe standardet kushtetuese.

Universiteti i Tiranës ka dalë hapur në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po protestojnë për të drejtën e tyre për mbajtjen e provimeve në gjuhën shqipe.
Në një reagim zyrtar, institucioni dhe rektori Artan Hoxha theksojnë se përdorimi i gjuhës amtare në arsim dhe në vlerësimin profesional nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element bazë i barazisë në shoqëritë shumëgjuhëshe.
Universiteti i Tiranës thekson se mbështet çdo përpjekje që forcon të drejtat gjuhësore dhe garanton standarde të barabarta në arsim dhe në jetën publike, ndërsa u bën thirrje institucioneve përkatëse që të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
Deklarata e plotë e Universitetit të Tiranës
Universiteti i Tiranës shpreh mbështetjen e plotë për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë realizimin e një të drejte themelore: përdorimin e gjuhës së tyre amtare në proceset arsimore dhe profesionale. E drejta për t’u arsimuar dhe për t’u vlerësuar në gjuhën amtare nuk është privilegj, por një standard i njohur ndërkombëtarisht dhe një element thelbësor i barazisë reale në shoqëri shumëgjuhëshe. Kur studentët ndjekin studimet e tyre në një gjuhë të caktuar, është e drejtë legjitime që edhe vlerësimi përfundimtar profesional të bëhet në të njëjtën gjuhë. Kërkesa e studentëve shqiptarë për të zhvilluar provimet shtetërore në gjuhën shqipe përfaqëson një aspiratë të drejtë për barazi, dinjitet dhe mosdiskriminim. Mosrespektimi i këtij parimi rrezikon të krijojë pengesa të panevojshme në zhvillimin profesional të tyre dhe të cenojë besimin në institucionet shtetërore. Universiteti i Tiranës mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e të drejtave gjuhësore dhe garantimin e standardeve të barabarta në arsim dhe në jetën publike. Ne inkurajojmë institucionet përkatëse që, në frymën e ligjit dhe të bashkëjetesës demokratike, të gjejnë zgjidhje të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Respektimi i diversitetit gjuhësor nuk është vetëm detyrim ligjor, por edhe vlerë që pasuron shoqërinë dhe forcon kohezionin social në rrugën e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian!

Ish Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka ofruar mbështetjen e saj për studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut të cilët protestojnë sot duke kërkuar që të mbajnë provimet e Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
“Të protestosh sot për gjuhën shqipe nuk është vetëm alarm. Është një sinjal që diçka thelbësore sërish nuk po funksionon siç duhet” shkruan ajo në një postim në rrjete sociale.
Duke insistuar që të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër Spiropali nënvizon me vendosmëri se gjuha shqipe nuk është çështje interpretimi por një e drejtë themelore.
Deklarata e plotë e Elisa Spiropalit në Facebook
“Kur një e drejtë që parashikohet në Kushtetutë dhe në ligj kërkohet në rrugë, atëherë lind nevoja për më shumë vëmendje dhe reflektim mbi zbatimin e saj në praktikë. Sepse të drejtat nuk duhet të mbeten vetëm në letër; ato duhet të jetohen në përditshmëri. Gjuha shqipe nuk është çështje diskutimi. Nuk është kompromis. Nuk është temë për interpretim të paqartë institucional. Është e drejtë themelore. Protesta e studentëve sot është më shumë se një reagim. Është një thirrje e qartë për të forcuar standardet dhe për të garantuar të drejtat themelore. Një shtet që garanton gjuhën, forcon barazinë. Dhe një shtet që forcon barazinë, ndërton besim dhe stabilitet për të gjithë qytetarët e tij. Mbështetje për studentët që po mbrojnë jo vetëm gjuhën, por edhe dinjitetin e parimet mbi të cilat duhet të funksionojë një shoqëri e drejtë. Kjo nuk është vetëm çështje e shqiptarëve. Kjo është një provë e rëndësishme për të gjithë, për mënyrën se si funksionon shteti në praktikë, jo vetëm në parim. Sidomos për dy vende mike , që ndajnë të njëjtin horizont dhe të njëjtën aspiratë europiane, respektimi i të drejtave dhe forcimi i barazisë nuk është vetëm detyrim, por edhe drejtim i përbashkët” tha Spiropali
Komente












Politika zyrtare duhet ti mbeshtese studentet ! Me blllokim fondesh per N.Maqedonia deri sa te zbatohet kushtetuta ku gjuha Shqip eshte shtetformuese
Përgjigju