Ish kryeministri shqiptar dhe ish deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka bërë thirrje për të marrë pjesë në protestën në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe në provime. Më 18 maj do të mbahet protesta e radhës e studentëve në Shkup, e cila nis në orën 16:30.

Në një reagim në rrjetet sociale, Majko theksoi se studentët po kërkojnë një të drejtë themelore, përdorimin e gjuhës shqipe në provime, duke e cilësuar absurde që studimet të zhvillohen në shqip, ndërsa provimet të jepen në maqedonisht.

“Në Maqedoninë e Veriut ka nisur një lëvizje studentore, e djemve dhe vajzave të shqiptarisë! Studentët shqiptarë kërkojnë  të drejtën më të vjetër në botë, atë të gjuhës amëtare! Ata kërkojnë që gjuha e provimit në jurisprudencë të jetë në gjuhën shqipe! Të studjosh shqip dhe të japësh provimin në maqedonisht, fyen inteligjencën më naive!”, shkruan ai.

Ai kritikon edhe deklaratën e kryeministrit maqedonas Hristijan Mickoski për konsultimin me Komisionin e Venecias lidhur me çështjen e gjuhës shqipe.

“Kryeministri Mickovski ka deklaruar se do të “pyetet” Komisioni i Venecias për përdorimin e gjuhës shqipe!… Shteti që ndroi emrin dhe flamurin, ka vendosur “të pyesë” se cfarë të bëj me fëmijët e shqiptarëve! Askush në Maqedoninë e Veriut, të ardhmen e ndritshme në Bashkimin e Europian, nuk mund ta kthejë për shqiptarët, në të kaluarën e errët të Jugosllavisë së dikurshme:, shton ai.

Sipas Majkos, protesta e studentëve përfaqëson më shumë se një revoltë studentore, duke e konsideruar atë një betejë për të ardhmen dhe për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Protesta e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është refuzim i një sistemi që e ka humbur kontrollin mbi vetveten dhe zbatimin e ligjit! Kjo që po ndodh, është më shumë se një revoltë studentësh! Ajo është një betejë për të ardhmen.  Protestoni sot! Ajo refuzon luftën nesër!”, përfundon Majko.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:48
Studentët në Maqedoninë e Veriut kërkojnë të drejtën e gjuhës shqipe në provime, Jorida Tabaku mbështet protestën e 18 majit: Legjitime dhe e drejtë! Gjuha amëtare është çështje dinjiteti

Më 18 maj 2026, para Urës së Gurit në Shkup, studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë protestën e radhës për të kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet në gjuhën shqipe. Në mbështetje të tyre ka reaguar edhe deputetja demokrate Jorida Tabaku, e cila përmes një postimi në rrjetet sociale e cilësoi kauzën e studentëve si një të drejtë themelore dhe çështje dinjiteti njerëzor.

" Ka momente në histori kur një popull nuk kërkon privilegje. Nuk kërkon favore. Kërkon vetëm të drejtën për të qenë vetvetja. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë të drejta që nuk mund të zhbëhen, nuk mund të relativizohen dhe nuk mund t’u hiqen nga askush. Kur takova Mevlanin para disa javësh në Tiranë, pashë tek ai jo zemërimin e një njeriu të revoltuar, por qetësinë dhe dinjitetin e një patrioti që lufton për diçka themelore: të drejtën për gjuhën amtare. Për të drejtën që një njeri të flasë gjuhën e nënës së tij pa frikë, pa paragjykim dhe pa u ndjerë i huaj në vendin e vet. Sepse gjuha nuk është vetëm komunikim. Është kujtesë. Është identitet. Është historia që një popull ua lë brezave. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk mund të trajtohen si qytetarë pa identitet dhe pa rrënjë. Europa që ne besojmë nuk ndërtohet duke heshtur përballë padrejtësive të vogla që me kohën bëhen plagë të mëdha. Integrimi europian nuk mund të jetë një fasadë që fsheh rrëshqitje drejt nacionalizmit apo cenimit të të drejtave themelore. Prandaj mbrojtja e gjuhës amtare nuk është vetëm një çështje politike. Është një çështje dinjiteti njerëzor. Dhe protesta për këtë të drejtë është jo vetëm legjitime, por e drejtë. Një të drejtë që e mbështes me bindje të plotë" shkruan Tabaku