Studenti shqiptar 52-vjeçar që çuditi Amerikën

Studenti shqiptar 52-vjeçar që çuditi Amerikën
Ndërsa në Shqipëri kishte vetëm tre ditë që ishte bërë publik skandali i diplomës së rreme të Renzo Bossit, më 13 maj,media amerikane kishte gjetur heroin e saj të ditës. Nuk ështe as biri i një politikani italian apo amerikan, por një shqiptar, 52 vjecar, që diplomohej ndershmërisht në krah të studentëve të tjerë, pas 20 vitesh të gjata studimi, sakrifice dhe pune si pastrues në Columbia University. Historia frymëzuese u përpi nga të gjitha format e medias, të cilat e vunë Gac Filipajn në qendër të vemendjes.

Dikush përfoli se mund të shkruhej një libër me historinë e tij, dikush tjetër përmendi një film amerikan ku një pastrues bash si Filipaj, ia del mbanë të diplomohet. Por Gaci nuk e ka parë këtë film. Dhe nuk i pëlqen të quhet hero, përsa kohë nuk ka bërë asgjë për të tjerët. Por në intervistën e tij të parë për një media në Shqipëri Gac Filipaj nuk ndihet mirë. Jo për diplomën e rreme te Bossit për të cilin nuk ka dëgjuar asnjë fjalë, por për tragjedinë e Himarës. “Ju- lutem thotë ai- shprehuni nga ana ime familjeve që humbën fëmijët e tyre të dashur, ngushëllimet e sinqerta”.
Pas këtij momenti të shoqëruar me heshtje vjen dhe një saktësim. “Sikundër më dëgjoni jam shqiptar “sqaron me një gegërishte elegante Gac Filipaj duke hedhur poshtë ndonjë aludim blogjesh për kombësinë e këtij emigranti nga Mali i Zi.

Zoti Filipaj, së pari urime për diplomimin tuaj. Pak i vonuar ky diplomim në kohë, por sic thotë një shprehje shqiptare, “Më mirë vonë se kurrë”
Këtë shprehje që thoni ju, “më mire vonë se kurrë” e kam thënë edhe unë për të justifikuar faktin që më është dashur të shkoj në shkollë në një moshë moçëm nga se njerëzit shkojnë zakonisht.

Keni pasur momente studionit kur ju është dashur të shtyni veten për të shkuar deri në fund?
Po, disa here. Sidomos kur fillova greqishten e vjetër si lëndë. Isha I lodhur shumë, nuk kisha kohë për të fjetur. Por edhe ajo gjuhë është shumë e vështirë dhe disa herë më ndodhi kur pothuajse isha gati të hiqja dorë, por kam mbërritur që me vullnet të fortë ta përballoj krizën, ta tejkaloj atë situate. Sot ndihem I kënaqur që kam vazhduar dhe nuk kam hequr dorë.

Si po e përjetoni famën në mediat e huaja?
Nuk kam pasur kurrë dëshirë dhe as tani nuk kam dëshirë t’i jap vetes publicitet, të bëhem i famshëm. Nuk shëtis andej- këtej nëpër qytet. Vetëm tek shtëpia, tek puna, Nuk dal jashtë në rrugë, nëse nuk kam për të blerë
ndonjë gjë. Kështu që nuk janë shumë njerëzit që vrapojnë pas meje e nuk më bezdisin. Në fakt do të kisha dashur të mbetesha njësoj siç kam qenë deri tani. Unë nuk jam hero.

Ju nuk e quani veten hero, por gjithsesi 20 vite studime e punë bashkë nuk janë pak...
Kam menduar pse ky rasti im është një gjë e madhe që të përhapet në shumë media. Me siguri që amerikanët janë njerëzt të urtë dhe të zgjuar, por ndoshta kanë problem edhe me rininë që ka aq shumë mundësi për të arritur gjtihçka që do, mirëpo nuk kanë vullnet për studim dhe punë. Kështu që rasti im është shembull i një pune të palodhshme, një përkushtimi, për një gjë të mirë dhe fisnike siç është shkollimi. Por unë nuk kam bërë për të tjerët një vepër të madhe dhe heroike.

Kur shkohet në emigrim shkolla shpesh mbetet si një ëndërr…
Unë kam filluar universtitetin në ish-Jugosllavi pa arritur ta mbaroj. Kam bërë tre vite e gjsymë në fakultetin juridik,por nuk u diplomova për katër provime. Pothuasje e kam përfunduar, por nuk e kam diplomën dhe nuk mund të them se e kam kryer. Kjo gjë më bëri presion se duhet me çdo kusht ta vazhdoj shkollën. Kjo ishte një nxitje, por jo e vetmja. Pjesa tjetër ishte se kur erdha në Amerikë duhet të mësoja anglishten dhe jo në mënyra të ndryshme por në shkollë. Për këtë arsye mora një degë për gjuhë klasike duke menduar se të njëjtën kohë që mësoj gjuhën tjetër, mësoj edhe anglishten. Klasikët janë letërsia më e mirë deri tash, sidomos se bazat e kulturës europiane pak a shumë janë të vëna prej grekëve të vjetër dhe romakëve. E zgjodha Columbia University pasi një professor më tha që ky ishte më I miri. Më eci puna dhe munda të regjistrohem në fakultet.

Filluat punën enkas aty që të krijonit mundësi për shkollimin?
E kisha atë ëndërr, por edhe duhet të gjesh punë. Kur vjen në Amerikë dikush mund edhe të marrë ndihmë financiare nga shteti vetëm sepse nuk ka punë. Ka shumë që e bëjnë atë gjë dhe sidomos shqiptarë. Unë nuk kam dashur ta marr atë ndihmë përderisa jam shëndoshë e mirë dhe kam fuqi për të bërë çfarëdolloj pune, mjafton të jetë e ndershme. Fillimisht punova si ndihmëskamerier, për disa muaj në një restorant ku merrja 30 dollarë për 10
orë punë. Pas një viti dhe kur kisha mësuar pak anglisht, kërkova një punë tjetër. Isha më I kënaqur që të gjeja punë në një shkollë, në një fakultet, në një ambjent ku ka njerëz të rinj. Arsyeja tjetër ishte se mendoja të vazhdoja shkollimin. E kam dëgjuar një përfitim që të japin uiniversitetet nëse punon. Nëse arrin të kalosh testet, një numër klasash mund t’I marrësh pa pagesë. Kështu që thashë duke punuar aty, nëse arrij të regjistrohem në faktultet do të marr klasa pa paguar.

Si ishte një ditë pune dhe studimi?
Çohesha herët në mëngjes herët rreth orës 7, përgatitesha për punë, shkoja në kampus, pastaj në klasë, kur mbaroja aty, shkoja në bibliotekë për të studiuar, ose shumicën e kohës, ngaqë natën nuk flija, kërkoja një kolltuk apo një karrike të butë dhe flija një orë. Pastaj punoja deri në mbrëmje. Pas punës merrja autobusin dhe pas një ore e gjysmë mbërrija në shtëpi, diku pas mesnate. Bëja një kafe, pushoja për gjysmë ore dhe pastaj filloja studimin për 4-5 orë. Shumë herë nuk kam fjetur aspak sidomos kur kisha për të dorëzuar esetë. I shkruaja me dorë, por më duhej kohë për t’i shtypur në kompiuter, e ngaqë nuk jam I shpejtë për të shkruar atëherë më duhej kohë më e gjatë. Kam kaluar shumë kohë ose pa gjumë, ose me dy -tri orë gjumë. Kjo ma ka bërë më të vështirë studimin.

E dinin studentët që edhe ju ishit student?
Disa prej tyre e kanë ditur. Unë kam punuar dhe punoj akoma në një ndërtesë ku zhvillohen mbledhje ,ka salla studimi, ku vijnë vazdimisht studentë. Ata që kanë qenë në klasë më mua, me kanë parë me uniformë.
Atëherë disa janë çuditur kur më kanë parë. Disa më pyesnin nëse isha shoku i tyre i klasës. Çuditeshin, por nuk u është dukur një gjë e keqe, as
për mua, as për ata në kuptimin që kanë pasur shok klase një njeri më të moçëm dhe që pastron.

Po universiteti si reagoi?
Punëtorët dhe shefi më kanë përgëzuar. Një javë më vonë shokët e mi të punës, rezervuan një prej dhomave në të njëjtë godinë ku punoj dhe më shtruan një gosti të vogël. Sindikata më dha edhe një çek prej 900 dollarësh për të blerë një unazë që është zakon këtu në Amerikë. Unaza ka emrin e universitetit si një shenjë e diplomimit. Tani duhet të pres që të dalë një vend pune e shpresoj se do gjej një punë më të mirë.

Ju vazhdoni të njëjtën punë?
Të njëjtën punë. Nuk kam gjetur akoma një punë më të mirë.

Do ta lini studimin?
Do të më plotësohej tërësisht ëndrra po të mund të merrja doktoraturën, por nëse nuk e arrij, do bëj dy vite, që është masteri. Nëse nuk më ecën puna, prapë jam i kënaqur.

Dëshironi një punë në profiling ku u diplomuat?
Është e vështirë të gjesh punë vetëm me katër vite shkollë. Mund të jap mësim në shkollë fillore ose ndoshta edhe të mesme. Ndërsa masteri do të ishte më e mirë që të punoja diku në një shkollë të mesme. Por unë e kam bërë më tepër të për studiuar diçka që më pëlqente, pa llogaritur punën që duhet të bëja pas diplomimit.

Çfarë do t’u thoshte studentëve të sotëm, Gac Filipaj?
Shikoni me shumë vëmendje rastin tim. Mos e lini kur të jeni në moshë si unë, por studioni sa jeni të rinj se është më e lehtë për ju. Por nëse për
çfarëdolloj arsye nuk do jeni të mençur boll dhe nuk keni për t’i dhënë rëndësi edukimit, kur të vini në moshën time mos i humbni shpresat se edhe atëherë mund ta kryesh shkollën. Por së pari provoni dhe bëni çfarë të mundeni sa jeni të rinj. Mos e humbni shpresën kurrë.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës

Sondazhi i Report Tv/ Nëse votohet sot, 52% e zgjedhësve të vendosur do të votonin për PS-në! 30% për PD-në e Berishës