Studimet historike, erdhën “gjermanët” e rinj

Studimet historike, erdhën “gjermanët” e rinj

Marenglen Kasmi

Në vitet njëzetë-tridhjetë të shekullit të shkuar bashkëkombës të tillë quheshin si me “dojç kulturë”, por këta, për të cilët do të flasim më poshtë nuk mund të profilizohen tamam kështu.

“Dojçkulturasit” jo vetëm regjimi i para nëntëdhjetës, duke nderuar megjithatë Aleks Budën apo Eqrem Çabejn, po ashtu edhe disa për kontributin në albanologji, të tjerët, ata për çështje të trajtimit të Luftës së Dytë Botërore u përpoq t’i neutralizonte.

Këtë detyrë e morën në dorë historianët “partizanë”.

Duke qenë se për një gjysmë shekulli arsimimi i shqiptarëve të Tiranës në Gjermani apo edhe në Austri u ndërpre, doemos “dojçkulturasit” shkuan drejt rrafshimit. Por as pasrënia e diktaturës nuk i gjallëroi dhe i mëkëmbi dot. Tani shkollat e Perëndimit qenë dyerhapët që prej Athinës e Selanikut, Romës dhe Padovës, Parisit e Londrës, Nju Jorkut dhe Filadelfias, madje deri në Japoni dhe Malajzi.

Shqipëria e pas nëntëdhjetës kishte vrapuar përpara në të gjitha fushat e përparimit ekonomik dhe të hapjes së diturisë e mendimit për dosje të shumta të historisë së saj, veç pati mbetur në rrjetën e çështjen e ndërlikuar të marrëdhënieve mes nacionalçlirimtarëve, ballistëve dhe legalistëve. Po ashtu edhe në përshkrimin e identitetit të qeverive bashkëpunuese me nazigjermanët.

Këtu u mobilizuan disa historianë të kohës së realsocializmit, persona tashmë në rinovim të sinqertë, por shumica që hyri në përleshje qenë si po ata të viteve dyzetë: nuk kishin ndryshuar asgjë nga pajimet dhe vezmet e tyre luftarake. Përveç atmosferës së shumëfishuar të Luftës së Nxehtë dhe asaj të Ftohtë, këta sollën shtrëmbërime të reja ideologjike dhe propagandistike, në disa raste shumë më të rënda se më parë. Kështu u krijua përshtypja se asnjëra palë nuk kishte pasur në kokë gjatë Luftës së Dytë ide çlirimtare. Qenë njëlloj mendësi sunduese.

Por shoqëria e hapur dhe pluralizmi, zhvillimi i natyrshëm i Shqipërisë pranë një Evrope me themele dhe traditë të fortë demokratike, i solli më në  fund ata, çlirimtarët e vërtetë të rolit të Gjermanisë Fashiste gjatë pushtimit të vendit tonë. Kjo nisi të kthjellojë dhe bëjë më të kuptueshme çfarë pati ndodhur me të vërtetë në këtë periudhë mjaft specifike: fillim shtator 1943-fund nëntor 1944.

Bedri Pejani kërkon masakrim të serbëve, Hitleri ia hedh poshtë

Drejtori i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura, Prof. asoc. dr. Teki Kurti, është një njeri mjaft energjik dhe tepër i kthjellët për punën që ka kryer bashkë me tetë kolonelë dhe nënkolonelë, duke hartuar dhe botuar “Buletinin Nr.1-2/2017), ku ndodhen të botuara të gjitha dokumentet e të Konsullatës së Përgjithshme Gjermane në Tiranë, të ambasadave gjermane në Romë dhe në Beograd, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Gjermani mbi gjendjen në Shqipëri dhe Ballkan për periudhën nëntor 1940-nëntor 1944.

Kjo lëndë arkivore është siguruar që prej viteve shtatëdhjetë të shekullit të shkuar me porosi të drejtpërdrejtë të Enver Hoxhës. Ajo nuk u mor në Gjermaninë Perëndimore, ku ruhej fondi i Komandës Gjermane, por nga kopje të tij në Kanada dhe në Francë. Sigurisht që ky mision atëherë u krye jo për të shkruar historinë e vërtetë, por atë të fitimtarëve. Ky dokumentacion do të përdorej për të diskretituar kundërshtarët politikë të viteve të rezistencës antifashiste, të cilët e vijonin betejën e tyre me Tiranën zyrtare që prej bazave të tyre të mërgimit.

Botimi i këtij fondi arkivor ia heq mundësinë kujtdo personi apo grupi e partie të tyre, po ashtu insttucioni, që rreket ta manipulojë propagandistikisht periudhën e mësipërme. Nuk ekziston asnjë mundësi për ta censuruar këtë dëshmi dokumentare me 327 faqe libër edhe një fakt tjetër: historiani i ri, por me plot aftësi analitike dhe baraspeshimi, Marenglen Kasmi, bashkë me studimet para pak vitesh në Gjermani, ka marë të kopjuar për fondin e tij personal të kërkimit, të gjithë arkivin e Wermachtit, i cili gjatë Luftës së Dytë Botërore lidhet me Shqipërinë.

Një kuriozitet nga dobia e botimit të “Buletinit 1-2/2017”: drejtori i Arkivit Qendror të Forcave të Armatosura në privatësi dhe besim se ajo që po më bsedonte nuk ia vlente të bëhej publike, na tha se megjithatë nga tërë lënda që Arkivin Qendror të Forcave të Armatosura kanë për temën e mësipërme, dy dokumente i kanë përfshirë, pra i kanë censuruar.

Bëhet fjalë për dy letra të Bedri Pejanit, prijësit të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, në të cilat u kërkonte gjermanëve të mundësonin dërgimin në kampet naziste të shfarrosjes masive një sasi jo të vogël mshkujsh serbë. Kësaj ia kishte dalë, por në një lutje tjetër kërkonte që të mund të niseshin për në kampet e vdekjes edhe një masë femrash serbe.

Kjo u ndalua, thuhet, nga vetë Adolf Hitleri.

“Nuk i vendosëm në “Buletin”, na thotë studiuesi Teki Kurti, sepse do t’u jepnim rast ekstremistëve të tanishëm në Beograd, për ta përdorur kundër Kosovës.

Doemos dëshira e drejtorit të Arkivit të FA është mjaft fisnike, por e vërteta është mbi të gjitha. Ndërkohë duket e pamundur që edhe shteti serb nuk ka dërguar, siç bëri Tirana, njerës për ta siguruar këtë arkiv. Ata e dinë dhe patjetër e kanë përdorur në propagandë. Nuk ka zhurrmuar kjo akuzë dhe mbetur në kujtesën e Ballkanit, jo thjesht sepse prej shtetit millosheviçian u kryen gjëma tepër të mëdha, por edhe sepse Bedri Pejani nuk hyn në bashkëkombësit e adhuruarprej shumicës së shqiptarëve.

Gjithsesi për ta kuptuar çmëndurinë e një nacionalisti ultraradikal, i cili ka urrejtje gjenocidiale për një popull tjetër, nga “Buletini 1-2/2017”, po publikojmë disa fragmente të shkurtra.

Në një pjesë të saj, ndërsa vihej në dukje se Pejani pati kërkuar grumbullimin dhe armatosjen e 150.000 shqiptarëve për të luftuar dhe mundur malazezët dhe serbët, thuhej: “Qysh në Berlin iu luta telegrafisht Mehdi Frashërit, nëpërmjet djalit të tij Vehbiut, që Bedri Pejani të përjashtohet nga veprimtaria politike. Prandaj ju lutem që në këtë drejtim të përdorni çdo influencë të mundshme. Mendoj se Bedri Pejani, në çmënduri e sipër, do të ishte në gjendje që serbëve në Kosovë t’u përgatitë një natë bartolemeniane ose si Skënderbu i dytë të kalojë kufirin me turmën e armatosur”.

Për të lehtësuar ngritjen e një qeverie sadopak bashkëpunuese u bënë gati 100 kg kafe dhe 50 litra raki

Në librin e tij “Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944” Marenglen Kasmi në kreun IV “Ngritja dhe vendosja e regjimit pushtues”, me nëntitullin “Paqësimi politik”, mes të tjerash shkruan se pas kapitullimit të Italisë fashiste “Qëllimi i drejtuesve gjermanë ishte ruajtja e fuqisë luftarake të Wehrmact-it, pra përdorimi i këtyre forcave ushtarake në fronte të tjera dhe, më tej, sigurimi i produkteve tepër të rëndësishme për luftën si krom, bakër, lëndë druri dhe ushqime. Duke u bazuar në këto dy arsye tepër të forta për zhvillimin e luftës, u arrit në konkluzionin që, qëllimet e mësipërme mund të arriheshin vetëm duke siguruar në Ballkan një “paqësim” ushtarak dhe politik”.

Sipas dokumenteve autentike që Kasmi zotëron, përveç shkëputjes nga Serbia e Kosovës duke u futur ajo brenda një shteti të bashkuar shqiptar, të “Madh” sigurisht, Ribbentrop ofron si formulë demagogjike të zgjatjes së regjimit të pushtimit gjerman krijimin në Tiranë të “një qeverie kompromisi dhe progjermane”.

E sqaron Marenglen Kasmi këtë tezë të tij të anashkaluar për dekada të tëra, por edhe të manipuluar në mënyrën më të zellshme që të provohej se terësisht qe një krijesë tradhëtare. “Kjo qeveri, thuhet në citimin e historianit të mësipërm, duhej të kujdesej për mbarëvajtjen e qetësisë dhe rregullin në vend dhe më tej të merrte përsipër ruajtjen e rrugëve lidhëse të transportit. Në plan të dytë, forcat ushtarake qeveritare duhej të ndihmonin Wehrmacht-in gjerman në ruajtjen e vijës bregdetare shqiptare. Për të arritur këtë qëllim mjaftonte që trupat qeveritare t’i mbronin nga krahët forcat gjermane prej sulmeve partizane. Në këmbim të këtyre shërbimeve mund të njihej pavarësia e shtetit shqiptar”.

Vazhdon Kasmi për ta shpjeguar sa më qartë këtë rrethanë të veçantë: “Më tej ishte detyrë e konsullit të Përgjithshëm Schliep që të lidhej me politikanë shqiptarë të aftë dhe me popullaritet, të cilët duke u ndihmuar politikisht dhe ushtarakisht nga gjermanët “të merrnin drejtimin e vendit sa më parë në dorë”. Por fillimisht Konsulli i Përgjithshëm ishte i detyruar të zhgënjente Ministrin e tij. Schliep raportonte që nuk duhej të mbahej ndonjë shpresë e madhe mbi një bashkëpunim aktiv me shqiptarët”.

Ndërkohë në aksionin për ngritjen e kësaj qeverie bashkëpunuese me gjermanët për aq sa të qe e mundur, nga Berlini u ngarkua, shkruan Marenglen Kasmi, “Franz von Scheiger, një njohës i mirë i Shqipërisë dhe i shqiptarëve”. Pasi informon se ky ish-oficer austro-hungarez pati shërbyer në vendin tonë për rreth 20 vite, shton se “ai, para se të nisej për në Shqipëri kërkoi t’i sigurohej një ngarkesë prej 100 kg kafe dhe 50 kg raki për bajraktarët e veriut...”

Duket që ora e Franz kishte mbetur mbrapa tek kujtonte se qeverisës lokalë të veriut mund t’i gënjente me raki, sepse me kafe, në kushtet e luftës dhe të mungesave të treg edhe mundej!! Por nazistët janë në hall për ta blerë çmimin e tyre të qetësisë në Shqipëri.

Kasmi po ashtu paraqet në librin e tij edhe një fakt tjetër, një raport të Neubacher për ministrin e Jashtëm Ribbentrop. Mes të tjerash në të thuhet: “Gjatë bisedimeve të pashmangshme pas darkës me disa shqiptarë, unë përmenda çështjen e krijimit të qeverisë.

Munda të dalloj, që për të marrë pjesë në qeverin e re, ata kishin frikë se mos kompromentoheshin apo dëmtonin marrëdhëniet me Britaninë e Madhe, me të cilën ndiheshin tradicionalisht politikisht më afër...Gjatë bisedës atyre ju bë e qartë që një qeveri ushtarake, të cilën ne ishim të detyruar ta ngrinim së shpejti, dhe në rast se ajo tregohej e drejtë dhe dashamprej irëse, nuk do i perceptonte dhe i mbronte interesat e vendit asnjëherë si një qeveri shqiptare me autorizimet përkatëse”.

Kjo bisedë paraprake pati ndodhur në Tiranë. Ishte një lloj ultimatumi: Ose ngrijeni ju qeverinë dhe me këtë rast diçka për atdheun tuaj do të përfitoni, ose në krye të administratës civile do të jenë oficerët e pamëshirshëm të ushtrisë së Wermacht-it.

Si rrezik për gjermanët Mehmet Shehu citohet 25 herë, Enver Hoxha as përmendet se ekziston

Pedagogu i gjuhës gjermane në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura, Gaqi Karakashi, është edhe autor i përkthimit dhe i botimit të dy librave që pasqyrojnë gjendjen e pranisë në Shqipëri, të gjermanëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Hartuar në formë kujtimesh, për shkak të korektesës së lartë prej autorëve të raportimit të fakteve, çfarë ndërgjegjeje është krejt e paimagjinueshme për shumë hartues librash të etnisë sonë, këto dy botime janë mirëfillimi paketa të ngjeshura dokumentash.

Njëri libër i përkthyer nga Karakashi titullohet “Lufta e çetave në Shqipëri”. Në origjinal është edhe një titull i dytë: “Ushtari këmbësor/Malet karstike dhe Shqiptarët”. Autor është Herman Frank, i cili ka qenë oficer i lartë i trupave gjermane të pushtimit në Shqipëri dhe çfarë ka parë e rrëfen nëpërmjet personazhit të tij kapitenit Fraj.

Libri i dytë i përkthyer nga Gaqi Karakashi titullohet  “Nojbaher, Mision i posaçëm në Europën Juglindore 1940-1945, Raportimi i një diplomati përherë në fluturim”.

Duke mos pasur mundësi hapësire botimi për të paraqitur dëshmi dokumentare tepër të rëndësishme prej këtij libri të dytë, do t’i drejtohemi të parit, ku fragmentet që dëshmojnë se trupave gjermane në Shqipëri u është bërë një luftë mjaft e vendosur dhe prej nacionalçlirimtarëve ata kanë pasur humbje të rënda,  janë të shumta. Madje më tepër se në çdo botim ku shkruajnë të pasionuar gjer në ekzagjerim të kësaj lufte.

Fillimisht një detaj: Mehmet Shehu dhe trupa e tij e armatosur, rrezikshmëria e saj e lartë për ushtarakët gjermanë, përmendet 25 herë. Nuk citohet askund Enver Hoxha. Madje as nënkuptohet një ekzistencë e tij gjatë luftimeve të ashpra që kryheshin mes nga njëra anë partizanëve dhe anglezëve e nga ana tjetër nazigjermanëve.

Po rreshtojmë shkurtimisht disa fragmente. Jemi në faqen 143, titulli i kapitullit “Vend plot enigma”: “Vazhdimisht raportohen sulme të papritura nga çeta të fuqishme në pjesën jugore të rrugës midis Tiranës dhe Durrësit. Rruga bllokohet”.

Diku tjetër: “Natë për natë shtohet gumëzhima e aeroplanëve të rëndë. Janë aeroplanë transporti anglezë, që vijnë duke fluturuar në lartësi të ulët mbi male dhe hedhin armë, veshje dhe ushqime për partizanët në vende që dallohen nga zjarret e ndezura. Me zell përpiqen ushtarët gjermanë t’i përnjohin vendet e hedhjes dhe të përcaktojnë se cilat sinjale u jepen aeroplanëve nga toka. Ndonjëherë ia dalin që nëpërmjet zjarreve të vegjël të ndezur në formë trekëndëshi në lartësitë pa pyje t’i mashtrojnë aeroplanët anglezë dhe t’u prishin mendjen për t’i hedhur ngarkesat”.

Pak më tej: “Kështu aeroplanët anglezë vazhdojnë të gjëmojnë çdo mbrëmje...”.

Një fragment i katërt: “Ndërsa vendi po thahet plotësisht në verën që po mbaron dhe gjendet nën një shtresë të dendur pluhuri, popullsia shqiptare po përçahet në grupe politike që luftojnë njëri tjetrin...Kështu në gjithë Shqipërinë vlon një luftë e egër në përmasa të vogla. Situata politike po bëhet gjithmonë e më e ngatërruar. Trupat gjermane e kanë të ndaluar si edhe më parë “që të përzihen në çështjet e brendshme shqiptare”, - një qëndrim, që duket se rrjedh nga situata konkrete, por edhe që s’shfrytëzon shumë mundësi, madje i dëmton ato”.

Pak më poshtë: “Në vija të përgjithshme situata në vjeshtën e 1943 është afërsisht kështu:...Ministri i brendshëm Dr. Deva, shqiptar nacionalist, bashkëpunon me gjermanët dhe ka organizuar gjithashtu një trupë të vetën. Në Kosovë ia ka arritur pa vështirësi, por pikërisht në këtë krahinë ka edhe kundërshtarë: ish koloneli i policisë Muharrem Bajraktari në Bicaj përpiqet ta mbrojë zonën e fisit të tij nga çdo pushtues”.

Duke e mbyllur këtë citim të posaçëm ilustrues se sa të vërteta ndryshe pasqyrohen në botimet e “gjermanëve” të rinj, këtyre studiuesve me frymë bashkëkohore, ardhur në historiografinë shqiptare këto vitet e fundit, ja edhe një tjetër fragment: “Gjermanët nuk e dinë kurrë me siguri se cili nga grupet e shumta të bandave të armatosura shqiptare është me gjermanët apo kundër tyre. Vërtet pranohet si rregull i përafërt se jugu qenka me bindje komuniste e veriu me bindje nacionaliste, por grupet e bandave e ndërrojnë shpesh e në mënyrë të parregullt vendqëndrimin e tyre. Ata i organizojnë shpesh dhe me qejf sulmet e tyre të papritura në zonën e kundërshtarëve të tyre vetjakë, me qëllim që kundërmasat gjermane të godasin këta e që gjermanët të humbasin besimin tek këta. 

Por komanda gjermane ka halle të tjera. Megjithë kujdesin e plotë dhe trajtimin e mirë mjekësor shfaqen sëmundje të çuditshme e rrallojnë radhët e njësive. Në zonën bregdetare përhapet malaria, megjithëse trupat marrin tableta e megjithëse thahen ose dezinfektohen moçalet dhe ujrat e ndenjura. 

Shumë këmbësorë vuajnë nga pickimet e gjarprinjve e të akrepave, të tjerë torturohen nga çibanët dhe ekzemat. Gjakosjet e mishrave të dhëmbëve dhe parodontoza përhapen gjithnjë e më shumë e sëmundjet në pjesët e poshtme të barkut, të shkaktuara nga ndryshimi i madh i temperaturave, krijojnë humbje në njerëz.   

Kudo në Shqipëri rriten shkurre me gjemba të gjatë e me majë. E kështu në tërë Shqipërinë zor s’e ka një metër katror tokë, ku do mund të uleshe pa t’u ngulur me dhimbje e pa t’u thyer një gjemb në të ndenjura”.

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 prill 2018.

 

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë

Një nga ne/ 'Ndenja 16 vite vetëm', prek i moshuari: Ndjeva një boshllëk, më mirë në azil me shokë