Shifrat janë tronditëse.

Lufta në Ukrainë deri më tani ka shkaktuar 1.8 milionë jetë të humbura nga të dyja palët dhe ky numër mund të arrijë shumë shpejt në 2 milionë.

Këtë e thotë një raport i Qendrës për Studime Ndërkombëtare Strategjike (CSIS), sipas së cilës, numri i humbjeve në njerëz në Rusi ka arritur në 1.2 milionë. Ukraina, nga ana tjetër, llogaritet të ketë rreth 600 mijë ushtarë të vrarë, plagosur ose të zhdukur.

Që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Vladimir Putin, as Moska dhe as Kievi nuk kanë bërë publike shifra të plota për humbjet, duke i trajtuar ato si sekret shtetëror. Për këtë arsye, raporti i CSIS mbështetet në intervista me zyrtarë perëndimorë dhe ukrainas, si edhe në të dhëna nga media e pavarur ruse Mediazona dhe BBC Russian Service.

Kremlini reagoi menjëherë, duke e quajtur raportin “jo të besueshëm” dhe duke këmbëngulur se vetëm Ministria ruse e Mbrojtjes ka autoritetin të publikojë shifra për humbjet.

Sipas autorëve të studimit, humbjet ruse janë historikisht të jashtëzakonshme. Ato janë më shumë se 17 herë më të larta se humbjet e Bashkimit Sovjetik në Afganistan në vitet ’80, 11 herë më të larta se gjatë dy luftërave çeçene dhe mbi pesë herë më të mëdha se të gjitha luftërat ruse dhe sovjetike të zhvilluara që nga Lufta e Dytë Botërore.

Raporti thotë se humbjet ruse janë rreth dy deri në dy e gjysmë herë më të larta se ato ukrainase. Megjithatë, për Ukrainën kjo pabarazi nuk e zbut situatën. Me një popullsi shumë më të vogël, vendi ka shumë më pak hapësirë për të përballuar humbje të gjata dhe për të rimbushur radhët e ushtrisë.

Rusia ka reaguar duke shtuar rekrutimet përmes pagave të larta dhe përfitimeve të tjera.  Autoritetet rajonale ofrojnë shpërblime regjistrimi që në disa raste arrijnë dhjetëra mijëra dollarë. Po ashtu, Moska ka rekrutuar mijëra burra nga Azia, Amerika Latine dhe Afrika, shpesh përmes premtimeve të rreme ose presionit.

Ukraina, ndërkohë, po has vështirësi të mëdha për të mobilizuar trupa të reja. Presidenti Volodymyr Zelenskyy ka refuzuar thirrjet për të ulur moshën e mobilizimit nën 25 vjeç, një hap që do të ishte shumë i papëlqyer brenda vendit.

Pavarësisht këtij bilanci të rëndë njerëzor, përparimi rus në terren ka mbetur i kufizuar. CSIS vlerëson se që nga viti 2024, forcat ruse kanë avancuar mesatarisht vetëm 15 deri në 70 metra në ditë gjatë ofensivave kryesore, një ritëm më i ngadalshëm se pothuajse çdo fushatë e madhe sulmuese në luftërat moderne.

Sipas të dhënave të grupit monitorues ukrainas DeepState, Rusia ka pushtuar vetëm 152 kilometra katrorë territor ukrainas mes 1 dhe 25 janarit, shifra më e ulët mujore që nga marsi i vitit të kaluar.

Fundjavën e kaluar, Rusia, Ukraina dhe SHBA u takuan në Abu Dhabi për bisedimet e para të paqes që nga nisja e pushtimit të plotë. Takimi u mbyll pa asnjë përparim konkret, ndërsa Moska vazhdon të këmbëngulë në kërkesat e saj territoriale.