Studimi: Gjuha e urrejtjes në Shqipëri, e përhapur masivisht

Studimi: Gjuha e urrejtjes në Shqipëri, e përhapur masivisht

Në Tiranë u publikua sot një studim i thelluar mbi Gjuhën e urrejtjes, fryt i i bashkëpunimit midis Komisionerit kundër Diskriminimit, Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës.

Sipas studimit, afro 60 për qind e të anketuarve mendojnë se gjuha e urrejtjes mbizotëron masivisht në vend.

Madje, në grupe më të ndjeshme prej diskriminimit, nëntë nga dhjetë të anketuar mendojnë se gjuha e urrejtjes është shumë e përhapur.

Studimi i publikuar sot bazohet në reagimet e mbi 1 mijë e 800 personave të anketuar dhe sjell të dhëna në nivel kombëtar për situatën e gjuhës së urrejtjes, perceptimet, përvojat dhe besimin në institucionet që duhet të merren me gjuhën e urrejtjes. Sipas studimit, afro 96 për qind e njohin gjuhën e urrejtjes.

Pjesa më e madhe e tyre, afro 70 për qind, pohuan se programet më të zakonshme televizive që përhapin më shpesh gjuhë të urrejtjes janë debatet politike dhe më pak shfaqjet e realitetit.

Më shumë se gjysma e të anketuarve mendojnë që motivet më të zakonshme që ngacmojnë gjuhën e urrejtjes janë varfëria, statusi social, opinioni politik dhe paraqitja fizike.

Gra janë ato që mendojnë më shumë se gjuha e urrejtjes nxitet nga paraqitja fizike, ndërsa burrat mendojnë se gjuha e urrejtjes nxitet më shumë nga opinioni politik.

Afro gjysma e të anketuarve mendojnë se etnia dhe raca janë dy motivet kryesore që nxisin gjuhën e urrejtjes.

Rezultatet e studimit nxjerrin në pah se në radhët e komunitetit LGTBIQ mendojnë gjerësisht që fobia ndaj tyre është motivi më i zakonshëm që nxit gjuhën e urrejtjes.

Një tjetër formë e gjuhës së urrejtjes shihet nga studimi edhe njollosja e reputacionit të mirë të dikujt, pasuar nga nxitja e urrejtjes dhe sharjet ose fyerjet etnike.

Sharjet etnike, nxitja e urrejtjes dhe shakatë për pakicat etnike perceptohen masivisht afro në 70 për qind, si forma të gjuhës së urrejtjes.

“Gjuha e urrejtjes përdoret më së shumti në media sociale, shkolla, universitete dhe vendet e punës. Më shumë se gjysma e të anketuarve pohojnë se kanë reaguar me veprime, kur kanë qenë dëshmitarë të gjuhës së urrejtjes ndaj dikujt tjetër. Aleanca kundër urrejtjes ka shumë punë për të bërë në Shqipëri” - thotë Robert Gajda, komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Afro 60 % e të anketuarve nga grupet në nevojë e kanë përjetuar personalisht gjuhën e urrejtjes dhe po aq kanë dëgjuar për të tjerë që e kanë përjetuar.

Pra, grupet në nevojë janë më aktive për të ndërmarrë veprime në rast se janë dëshmitarë të ndonjë situate me gjuhë të urrejtjes në krahasim me popullatën e përgjithshme.

“Një aleancë kundër gjuhës së urrejtjes është ngritur dhe po punon në dy drejtime: anti-diskriminimi dhe liria e shprehjes. Puna nisi me largimin e gjuhës së urrejtes nga fushata zgjedhore dhe tani po vazhdon me shmangien nga rrjetet sociale dhe jeta e përditshme” - thotë Jutta Gutzkow, kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri.

Të anketuarit nga radhët e rinisë përjetojnë gjuhë të urrejtjes online në krahasim me të anketuarit më të moshuar.

Studimi tregon se vetëm 20 për qind nuk i janë ekspozuar ndonjëherë gjuhës së urrejtjes online.

Afro 30 për qind e qytetarëve kanë përjetuar disa herë dhe 32 për qind të tjerë deklaruan se e kanë përjetuar shpesh.

Kjo kategori është mjaft e lartë në grupin LGTBIQ saqë gjysma e tyre deklarojnë se i janë ekspozuar gjuhës së urrejtjes online.

“Është përgjegjësi e të gjithëve ne, që të luftojmë fjalimet e urrejtjes, sepse jetojmë në një shoqëri demokratike me përgjegjësi qytetare për këdo. Aleanca kundër gjuhës së urrejtjes po bën një punë të mirë sa u takon veprimtarisë së medias, politikës, parlamentit. Gjuha e urrejtjes ekziston kudo në Europë, jo vetëm në Shqipëri, por Tirana duhet të bëjë pjesën e saj, përballë treguesve shqetësues që sjell studimi” - thotë Lenka Vitkova, përfaqësuese e Delegacionit të Bashkimit Europian.

Më shumë se gjysma e të dëmtuarve nga gjuha e urrejtjes shohin më së shumti familjen dhe miqtë si mjete kryesore për të kërkuar ndihmë, dhe më pas shkojnë tek mjeku, psikologu dhe policia, shoqatat e shoqërisë civile.

Afro 70 për qind e personave të shënjestruar nga gjuha e urrejtjes vuajnë nga ankthi dhe depresioni, humbja e vetëbesimit.

Pjesa dërrmuese e të anketuarve mendojnë që ky nivel i lartë i gjuhës së urrejtjes ka qenë i pranishëm gjithëmonë, por vetëm një në dhjetë thotë se është pandemia e COVID-19 ajo që e ka shtuar gjuhën e urrejtjes./ VOA

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë