Studimi u zhvillua në 137 këshilla vendorë në 12 qarqet e vendit, duke sjellë sugjerime se si mund të fuqizohet vendimmarrja e grave këshilltare në Shqipëri. 186 gra këshilltare nga zonat urbane dhe rurale u bënë pjesë e studimit.
Rezultatet tregojnë se 93 % e grave këshilltare, e perceptojnë përfaqësimin e interesave të grave dhe vajzave si përgjegjësinë e tyre. Rreth 68% e grave këshilltare raportuan se nuk ishin të kënaqura me pushtetin e tyre në këshill; 11.86 % e grave këshilltare u shprehën se "ndjeheshin të diskriminuara" për shkak të gjinisë dhe 18.29 % u shprehën se "këshilltarët i ndërpresin fjalën kur gratë këshilltare janë duke folur në mbledhjet e këshillave bashkiakë."
50.81% e grave këshilltare u shprehën se janë përfshirë në iniciativa kolektive. Gratë këshilltare raportuan që kishin më shumë gjasa të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, kur ata përbënin një numër të konsiderueshëm. Përveç kësaj, 63,78 % e grave këshilltare u shprehën se e kanë ngritur zërin e tyre në këshill për të adresuar problemet me të cilat përballen gratë dhe vajzat në komunitet.
Gratë këshilltare përballen me barriera të shumta strukturore në vendim-marrje. Këto pengesa janë të lidhura me kompetencat e dobëta të këshillave lokalë, kapacitetet të pamjaftueshme fiskale të organeve të qeverisjes vendore, proceset përmes të cilave drejtuesit e partive politike përzgjedhin gratë dhe kufizimet që këta vendosin për vendim-marrësit lokalë.
Gjetjet e këtij studimi sugjerojnë se vetëm rritja e numrit të grave këshilltarë nuk mund të sjellë rezultatet e dëshiruara. Prandaj, ndërhyrjet e aktorëve lokalë, kombëtarë dhe ndërkombëtarë duhet të jenë shumë-planëshe.
Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mesila Doda u shpreh që, "ky është shekulli i gruas. Është koha që vajzat dhe gratë të bëhen të ndërgjegjshme për rolin e jashtëzakonshëm që kanë në shoqëri dhe për nevojën e shoqërisë njerëzore për këndvështrimin e gruas, për sensibilitetin e gruas për mençurine dhe vendimarrjen e saj. Shoqëria jonë ka një nevojë emergjente të ndjejë zërin dhe forcën e gruas në vendimarrje, jo sepse ne më keq se burrat nuk mund ta bëjmë, por sepse pa dyshim dimë të bëjmë një shoqëri shumë më të mirë, më të vërtetë me institucione dhe vendimmarrje në përmasën e gruas që është përmasa e vertetë njerëzore", tha deputetja Doda.
Zv. Kryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Mimoza Hafizi, theksoi se prania 50% e grave në këshillat e reja bashkiake-ngjarje që i jep vlerën e duhur organizimit të ri dhe kompetencave në rritje të pushtetit vendor.
Në fjalën e saj, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Zineb Touimi-Benjelloun u shpreh se gratë kudo kanë nevojë për më shumë demokraci, në politikat lokale, partitë politike si edhe në jetën politike në përgjithësi në mënyrë që të jenë në gjendje të kenë pushtet në vendimmarrje dhe në vendimet të cilat ndikojnë në jetën e grave.
"Për gratë këshilltare, fuqia vendim-marrëse ka të bëjë me forcën e zërit, fuqinë për të vepruar dhe besuar, për të dhënë llogari dhe marrë përgjegjësi. Çfarë theksohet më shumë nga ky studim është se barazia gjinore në qeverisjen lokale shkon përkrah me demokracinë, transparencën dhe llogaridhënien në të gjitha institucionet e jetës politike, duke përfshirë partitë politike dhe institucionet qeverisëse", vijoi ajo.
Ky studim u realizua me mbështetjen e PNUD në kuadër të Programit të Barazisë Gjinore dhe me fonde të Qeverisë Suedeze.