Keir Starmer është rrethuar nga një presion i fortë për të lënë drejtimin e qeverisë laburistë në Britani pasi humbi zgjedhjet lokale javën e kaluar.

Por megjithë stuhinë rreth tij Starmer mblodhi kabinetin e tij qeveritar për të dhënë mesazhin se nuk do të largohet, një qëndrim që e dha që prej momenteve të para kur partia e tij u shpall si humbësja e zgjedhjeve të këtij fillim maji. Kryeministri i thotë kabinetit se do të vazhdojë qeverisjen përballë thirrjeve në rritje që ai të japë dorëheqjen.

“Unë marr përgjegjësinë për rezultatet zgjedhore dhe marr përgjegjësinë për të sjellë ndryshimin që kemi premtuar. 48 orët e fundit kanë qenë destabilizuese për qeverinë dhe kjo ka një kosto reale ekonomike për vendin tonë dhe për familjet. Partia Laburiste ka një proces për të sfiduar liderin dhe ai proces nuk është aktivizuar. Vendi pret që ne të vazhdojmë të qeverisim. Kjo është ajo që po bëj unë dhe ajo që duhet të bëjmë ne si kabinet”, tha Starmer.

Më herët një ministre e qeverisë së Starmer dha dorëheqjen, duke i thënë Keir Starmer se as ajo dhe as publiku nuk mendon se ai mund ta udhëheqë ndryshimin.

Miatta Fahnbulleh ishte ministre për decentralizimin, besimin dhe komunitetet. Ajo është ministrja e parë e qeverisë që largohet, duke i kërkuar kryeministrit të përcaktojë një afat kohor për largimin e tij, por edhe një ndër shumë zërat që po i bëjnë presion atij për të lënë drejtimin e partisë dhe qeverisë.

Një numër i konsiderueshëm deputetësh laburistë i kanë kërkuar atij hapur të largohet. Numri i atyre deputetëve që kanë kërkuar Starmer të japë dorëheqjen, ose të përcaktojë një afat për largimin e tij, ka arritur tashmë në 81, rreth 20% e deputetëve të Partisë Laburiste.

BBC shkruan se Kryeministri po tregohet sfidues, duke i provokuar deputetët e tij që ta sfidojnë hapur dhe duke e bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet.

Duket se ai ende gëzon mbështetjen e një pjese të anëtarëve të kabinetit. Teksa largoheshin nga Number 10, disa prej tyre shprehën publikisht mbështetjen për kryeministrin para gazetarëve të mbledhur jashtë.