Një tjetër natë e vështirë ishte kjo që kaloi në Greqi, për shkak të përmbytjeve në Kardicë dhe Trikala shkaktuar nga stuhia 'Daniel'.
Pamje shokuese vijnë nga Kardica, ku banorët në mëngjes gjetën shpëtim vetëm në tarracat dhe çatitë e shtëpive dhe janë në pritje të evakuimit.
Gjithashtu edhe në shumë fshatra në komunën e Palamas, njerëzit kanë hipur në çati ose vende më të larta duke kërkuar ndihmë.
Sipas informacioneve, tre helikopterë do të jenë duke kontrolluar zonën, por ato do të vazhdojnë punën pas disa orësh për shkak të motit të keq, raporton Protothema.
Do të përdoren helikopterët e kërkim-shpëtimit Super Puma dhe me gjasë Sikorsky S-70B , gjithashtu edhe forcat ajrore të ushtrisë do të jenë në vendngjarje, baza e të cilëve është në Stefanovikio
Plani aktualisht parashikon që një nga tre helikopterët të niset për në fshatin Aspritsa për të marrë 35 persona, një në fshatin Agia Triada dhe një në Metamorfosi. Po ashtu edhe ekipet e shpëtimit janë në vendngjarje për të shpëtuar personat që kanë mbetur të bllokuar në banesat e tyre.
Sipas informacioneve, gjithçka është përmbytur në të gjitha fshatrat përreth Palamasit si: Metamorfosi, Vlohos, Petrino, Itea, Kalyvakia, Psathochori.
“Jemi në mëshirë të Zotit”, tha Konstantinos Tsioukas, banor i fshatit Palamas Karditas për median greke.
Niveli i ujit në të gjithë fshatin ka kaluar gjashtë metra, ku në sipërfaqe duken vetëm tjegullat e shtëpive. Banorët e zonës që folën për median greke përdorën tone dramatike të cilët po përshkruanin situatën që po përjetonin: “Ndihmoni, po mbytemi, çdo 10 minuta dëgjojmë të shembet një shtëpi. Jemi ngjitur në çatitë e shtëpive, kemi nevojë për ujë dhe ushqim”.
Zëvendësguvernatori i Trikalonit, Christos Michalakis, në një deklaratë për Agjencinë e Lajmeve të Athinës bëri thirrje që të dërgohen pajisje speciale për të shpëtuar njerëzit, ndërsa foli edhe për rrëshqitjen e dheut.
Zëvendësguvernatori i Kardicës, Konstantinos Noussios, theksoi gjithashtu se problemi më i madh është bashkia e Palamasit, ku shumë banorë janë të bllokuar në shtëpitë dhe bizneset e tyre dhe se duhet të shpëtohen menjëherë.