Një stuhi e pazakontë me shi të rrëmbyeshëm, breshër dhe erë të fortë ka goditur Elbasanin, duke shkaktuar probleme në disa rrugë të qytetit. Reshjet e dendura kanë bërë që disa akse të përmbyten, ndërsa moti i keq ka përfshirë edhe qytete të tjera të qarkut.
Stuhia është shoqëruar me erë të fortë, ndërsa reshjet intensive kanë vështirësuar qarkullimin në disa zona të Elbasanit.
Shërbimi Meteorologjik Ushtarak kishte paralajmëruar më herët se vendi do të ndikohej nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Sipas parashikimit, gjatë mesditës dhe pasdites priten reshje shiu me karakter lokal, të shoqëruara herë pas here me shtrëngata afatshkurtra, shkarkesa elektrike dhe breshër, kryesisht në veri dhe lindje të territorit.
Ndërkohë, për shkak të përkeqësimit të motit në det, Kapiteneritë e Porteve Vlorë dhe Sarandë kanë ndaluar daljen në det të hapur për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit deri në orën 06:00 të 25 korrikut. Kufizimi prek mjetet që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, si edhe në zonat Dhërmi–Himarë, Borsh dhe Ksamil, ku parashikohen erëra të forta dhe dallgë deri në 3.5 metra.
Pas stuhisë me reshje të dendura shiu që goditi Elbasanin, kryetari i Bashkisë, Gledjan Llatja, ka dalë vetë në terren për të ndjekur nga afër situatën. Ndërkohë, ekipet e Bashkisë po punojnë në rrugët ku ka prani uji, si edhe në zonat e tjera ku stuhia ka shkaktuar probleme.
Komente










