Edhe pse situata është përmirësuar në pjesën më të madhe të vendit pas stuhisë së mbrëmjes së djeshme, problematika vijojnë të evidentohen në disa zona.
Mungesa e energjisë elektrike vazhdon të prekë pjesë të Vlorës, Fierit, Sarandës dhe Librazhdit, ndërsa Patosi mbetet pa furnizim me ujë për shkak të ndërprerjes së energjisë në stacionin e pompimit të Varibopit. Në Portin e Durrësit era e fortë rrëzoi disa kontejnerë bosh.
Ministria e Infrastrukturës bën me dije se grupet e punës mbeten në terren për normalizimin e plotë të situatës.
RAPORT MBI SITUATEN E KRIJUAR DHE MASAT E MARRA PË TË PËRBALLUAR MOTIN E KEQ GJATË MBRËMJES DHE ORËT E PARA TË MËNGJESIT
Mbrëmjen e djeshme, disa zona të vendit u përfshinë nga moti i keq, me reshje intensive shiu, të shoqëruara me erë të fuqishme, të cilat shkaktuan disa problematika. Grupet e punës, nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, kanë qenë në terren që në momentet e para, duke ndërhyrë për normalizimin e situatës.
AKSET RRUGORE
Ekipet e Autoritetit Rrugor Shqiptar kanë monitoruar vazhdimisht situatën në terren, duke bërë pastrimin nga rënia e gurëve apo materialeve.
Akset kombëtare kanë qenë të kalueshme pa problematika dhe qarkullimi ka vijuar normalisht.
ARRSH është në gatishmëri dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen e rrugëve.
FURNIZIMI ME ENERGJI ELEKTRIKE
Aktualisht, në rang vendi janë 21 fidera jashtë pune, ku ndër rajonet e prekura janë Vlora, Fieri, Saranda dhe Librazhdi.
Në orët e para të mëngjesit është vendosur në punë Nst i Livadhjasë dhe është rikthyer energjia në disa zona.
OSSH ka angazhuar mbi 1,000 punonjës në terren për normalizimin e situatës së furnizimit me energji elektrike.
RRJETI I TRANSMETIMIT
Aktualisht, të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV janë në operim normal.
KASKADA E DRINIT
Situata në basenin e lumit Drin paraqitet e qetë dhe pa problematika.
FURNIZIMI ME UJË
Situata në Stacionin e Pompimit të Ujit të Ndotur (SPUN) në Sarandë është rikthyer në normalitet. Gjithashtu, edhe SPUN në Ksamil është rikthyer në funksionim normal.
Rrugët e bllokuara në Stacionin e Pompimit të Ujit të Pijshëm janë zhbllokuar dhe aktualisht po vijon puna për largimin e pemëve të rrëzuara në ITUN.
Durrës
Si pasojë e kushteve të pafavorshme atmosferike, janë evidentuar problematika të përkohshme në stacionet e pompimit në Fushë Krujë dhe Çermë.
Në stacionin e pompimit Çermë, një elektropompë pësoi avari. Ekipet teknike ndërhynë menjëherë dhe, brenda pak orësh, defekti u riparua, duke e rikthyer elektropompën në funksion normal.
Fier
Rreth orës 02:00 është riparuar defekti në stacionin e Kafarajt, duke mundësuar rikthimin e furnizimit normal me ujë për qytetin e Fierit.
Në stacionin e Varibopit vijon të mungojë furnizimi me energji elektrike. Si pasojë, qyteti i Patosit mbetet pa furnizim me ujë. Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike.
Shoqëritë e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. Situata është në kontroll.
PORTET DHE AEROPORTI
Aeroporti i Tiranës
Situata në Aeroportin e Tiranës ka qenë kryesisht e qetë, me disa fenomene meteorologjike të veçuara, të cilat kanë shkaktuar disa vonesa të lehta në trafikun në ardhje.
Porti i Durrësit
Si pasojë e stuhisë, në Terminalin e Kontejnerëve janë rrëzuar disa kontejnerë bosh, 8 prej të cilëve kanë pësuar dëmtime më të konsiderueshme.
Aktualisht po vijon koordinimi me kompanitë përkatëse për vlerësimin e plotë të situatës dhe të dëmeve.
Në sektorët e tjerë të Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht.
Në Portin e Sarandës situata paraditen e sotme paraqitet e qetë. Linja me Korfuzin vijon normalisht.
Lajmi kryesor:
Stuhia në Himarë, elektricisti 54-vjeçar humb jetën gjatë punës! Bie pema, 3 të lënduar në Sarandë! Probleme me energjinë në 4 bashki, Patosi pa ujë (EMRI + VIDEO)









