Subashi: Bojkot votimit
për heqjen e imuniteteve

Subashi: Bojkot votimit <br />për heqjen e imuniteteve
Partia Socialiste nuk do të marrë pjesë në votimin e 6 gushtit për kufizimin e imunitetit. Edhe pse Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka shprehur vendosmëri, (pa negociata deri tani), për ta votuar në këtë datë, PS ka shprehur një tjetër vullnet. Partia Socialiste ka kërkuar që ndryshimet në Kushtetutë të bëhen njëherësh, dhe jo të dy herë brenda 2 muajve. Ndaj në këtë kontest, PS ka kërkuar që me heqjen e imunitetit t'i jepet siguri opozitës për paashmërinë e gjyqtarëve. Që sipas draftit të dytë të PS-së, gjyqtarët të zgjidhen me 84 vota në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe sipas saj, të dyja draftet të votohen në muajin shtator.

Armando Subashi
Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh anëtar i komisionit të Ligjeve dhe anëtar i trupës për të kufizuar imunitetin Armando Subashi është shprehur se PS nuk do të marrë pjesë në votimin e 6 gushtit. Në një pronocim për gazetën "Shqiptarja.com", Subashi pohon se PS do të jetë aktive në diskutime, por nuk do të marrë pjesë gjatë votimit, nëse kryeparlamentarja Topalli do ta fusë në proces votimi heqjen e imunitetit. "Qëndrimi PS e ka deklaruar. Ajo është pro kufizimit të imunitetit, dhe për këtë është rënë dakord. Por ne nuk mund të votojmë dy herë Kushtetutën. Ne duam që ndryshimet në Kushtetutë të vinë si paketë, dhe jo njërën ta votojmë tani edhe tjetrën në shtator", është shprehur Subashi. Deputeti i PS, ka bërë edhe një përllogaritje të kohës që duhet për t'i votuar të dy draftet, pa cenuar edhe vendimin e BE-së për marrjen e statusit. "Ne mendojmë që nga fillimi i shtatorit të mblidhemi për të diskutuar me juristë, kosntitucionalistë, grupe interesi, dhe në mes të shtatorit e votojmë kufizimin e imunitetit së bashku me mënyrën e votimit të gjyqtarëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm", është shprehur ligjvënësi Subashi. Por meqë opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në votimin e 6 gushtit, imuniteti nuk do të kalojë, dhe kjo do ta shtyjë edhe me një vit shqyrtimin për heqjen e imunitetit. I pyetur për këtë fakt Subashi, ai u shpreh se "Ne e kemi shprehur që në fillim vendimin tonë se nuk do ta votojmë në 6 gusht, ndaj Topalli këtë po e bën këtë për ta djegur me një vit imunitetin. Duket që nuk është marrë seriozisht kjo çështje nga PD. Ne kemi dhënë mendimin tonë, kemi dalë në një draft integral, që do të thotë se jemi dakord",- u shpreh anëtari i komisionit të Ligjeve, Armando Subashi.

Ermonela Felaj
Në të njëjtin sinkron me kolegun e saj, edhe deputetja e PS, Ermonela Felaj ka pohuar për gazetën "Shqiptarja.com" se PS nuk do të marrë pjesë në votimin për ndryshimin e neneve të imunitetit në Kushtetutë. "Do të jemi prezent dhe aktiv në diskutim, por nuk do të votojmë nëse nuk do të votohet si paketë. Nuk kemi ndërmend të votojmë dy herë Kushtetutës", ka thënë deputetja e PS, Ermonela Felaj.

Reagimi i Malajt
Ndryshe nga deputetët e PS, Arben Malaj ka kërkuar që opozita të marrë pjesë në votimin e 6 gushtit, për t'i hapur rrugë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. "Nuk kam ngurruar që publikisht ta them që ne duhet ta votojmë me datën 6 gusht, duke e parë në raport me integrimin e vendit". "Pra ngjarjet historike nuk presin mirëkuptimet tona, ose reforma të plota. I gjithë zhvillimi, edhe politik, edhe ekonomik ka ardhur hap pas hapi. Në këtë moment ka marrë prioritet një kuadër i ri për imunitetin", u shpreh deputeti i PS-së. Por, ai tha nga ana tjetër se: "Sigurisht që Kushtetua e vendit ka nevojë të rishikohet, sigurisht që ekuilibri i ndarjes dhe kontrollit të pushteteve është prishur". Megjithatë deputeti socialist nuk është shprehur nëse do të marrë pjesë në votim apo jo.

(gm/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Censi 2023, popullsia u tkurr me 419 mijë në 12 vite, cili është shkaku?



×

Lajmi i fundit

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!

Absurdi vs 'Shtetit të së Drejtës'!