/ATSH-ANA-MPA/ - Nëse zhvillimi ekonomik do të ishte në përputhje me nivelin e reduktimit të shpenzimeve dhe rritjen e tatimeve, atëherë Greqia do të duhej të ishte kampione e zhvillimit ekonomik, vlerëson gazeta gjermane "Suddeutsche Zeitung" në një artikull duke shpjeguar se përse shtrëngesa në vetvete nuk është zgjidhje për problemet ekonomike të Greqisë.
Sipas Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), Greqia ka bërë më shumë reforma nga sa Irlanda, Spanja dhe Portugalia.
Siç vë në dukje gazeta "pesë vitet e fundit grekët kanë parë rrogat e tyre të reduktohen me mesatarisht 20 për qind, fuqinë e tyre blerëse të ulet me një të katërtën, ndërsa paralelisht shpenzimet publike u kufizuan në një të tretën".
"Pas uljeve së pagave, kompetiviteti në Greqi u përmirësua me 25 për qind, më tepër nga sa në Irlandë. Mirëpo, gjithë këto, nuk e ndihmuan dhe shumë vendin dhe tashmë shtrohet pyetja nëse programet e ashpra të shtrëngesave ishin vërtet të dobishme", thekson gazeta e njohur.
"Çdo reduktim shpenzimesh dhe rritje taksash do të thotë se dikush humbet para, të cilat nuk do të mundet më t'i shpenzojë. Në këtë mënyrë humbet të ardhura edhe Ministria greke e Financave dhe krijohet një rreth vicioz", sipas "Suddeutsche Zeitung".